Edukimi për demokraci dhe 
Edukimi për të Drejtat e Njeriut

Home » Edukimi për demokraci dhe 
Edukimi për të Drejtat e Njeriut

“Edukimi për qytetari demokratike” nënkupton edukimin, trajnimin, ngritjen e vetëdijes, informimin, praktikat dhe veprimtaritë që ato synojnë përmes pajisjes së nxënësve me njohuri, aftësi dhe qëndrime dhe sjellje që i aftësojnë dhe i fuqizojnë ata për të ushtruar dhe për të mbrojtur të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shoqëri, për të vlerësuar diversitetin dhe për të luajtur një rol aktiv në jetën demokratike, për mbrojtjen dhe përparimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës”.
“Edukimi për të drejtat e njeriut” nënkupton edukimin, trajnimin, ngritjen e vetëdijes, informimin, praktikat dhe veprimtaritë që ato synojnë, përmes pajisjes së nxënësve me njohuri, aftësi dhe qëndrime dhe sjellje që i aftësojnë dhe i fuqizojnë ata për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin dhe mbrojtjen e një kulture universale të të drejtave të njeriut në shoqëri, për përparimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore.

Edukimi për qytetari demokratike dhe edukimi për të drejtat e njeriut janë në ndërlidhje të ngushtë dhe në mbështetje të ndërsjellë. Ndryshimi ndërmjet tyre nuk qëndron aq në synimet dhe praktikat se sa në fokusin dhe në fushën e veprimit. Edukimi për qytetari demokratike fokusohet kryesisht në të drejtat dhe përgjegjësitë demokratike dhe në pjesëmarrjen aktive në sferat qytetare, politike, shoqërore, ekonomike, ligjore dhe kulturore të shoqërisë, kurse edukimi për të drejtat e njeriut lidhet me fushën e gjerë të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, në çdo aspekt të jetës së njerëzve.

PYETJE QË BËHEN SHPESH

Cili është qëllimi i Edukimit për qytetari demokratike dhe për të drejtat e njeriut (EQD/EDNJ)?

Edukimi për qytetari demokratike dhe për të drejtat e njeriut synon t’u japë njerëzve njohuritë, të kuptuarit, aftësitë dhe qëndrimet që do t’i ndihmojnë ata të luajnë rol më të efektshëm në komunitetin e tyre, qoftë ai lokal, kombëtar ose ndërkombëtar. Ai u tregon atyre si të informohen për të drejtat, përgjegjësitë dhe detyrat e tyre dhe i ndihmon ata të kuptojnë se ata mund të bëjnë një ndryshim.

Çfarë është EQD/EDNJ?

Edukimi për qytetari demokratike dhe për të drejtat e njeriut nuk ndeshet vetëm në shkollë, gjatë të mësuarit për qytetarinë: ai mbulon të gjitha format e edukimit, nga fëmijët e deri tek të rriturit në kolegje dhe universitete, përmes edukimit për të rritur, formimit profesional dhe në vendin e punës. Ju mund të ndesheni me të gjatë punës së grupeve të fushatave dhe në faqet e internetit që synojnë fëmijët. Ai nuk merret vetëm me të mësuarit për votën. Ai përfshin të mësuarit për të zgjidhur problemet në familje, pa qenë nevoja t’i drejtohemi dhunës. Ai përfshin të mësuarit për të zgjidhur debatet që lindin në parkun e lodrave në mënyrë të drejtë dhe të logjikshme. Ai ka të bëjë me aktivizimin e fqinjëve në punë të përbashkët për të mbajtur të pastër dhe të sigurt mjedisin e tyre.

Përse kemi nevojë për EQD/EDNJ?

Qytetaria demokratike është një aftësi dhe aftësitë duhet të mësohen. Shumë shkolla në të kaluarën kanë mësuar për strukturat e qeverive në të kaluarën: jo shumë i kanë mësuar nxënësve të tyre për mënyrën si të kishin zërin e tyre në shoqërinë ku jetonin dhe përse një gjë e tillë ishte e rëndësishme. Demokraci rrjedh nga kuptimi grek “i popullit”. Megjithatë, studimet tregojnë se shumë njerëz në Evropë po heqin dorë nga të drejtat e tyre ndaj sistemit të tyre politik. Ata nuk besojnë më tek politikanët, janë të pasigurt për institucione e tyre politike dhe dyshojnë në vlerën e votimit.

Si i ndihmon të rinjtë?

Fëmijët dhe të rinjtë mund të mos kenë moshën e duhur për të votuar në zgjedhje ose të ulen në juri, por ata kanë të drejta, detyrime dhe të drejtën të thonë fjalën e tyre. EQD/EDNJ, duke u dhënë fëmijëve njohuri për të ardhmen, u mëson atyre edhe aftësitë për të cilat kanë nevojë për jetën në shkollë dhe në familje.

Po të rriturit?

Shumë të rritur e kanë humbur interesin e tyre në atë që ata shohin si “politika”. Ata dyshojnë në partitë politike dhe mendojnë se përfaqësuesit e tyre politikë janë shkëputur prej tyre dhe prej mënyrës së tyre të të menduarit. Megjithatë, shumë njerëz janë shumë të interesuar për botën përreth tyre – për shembull, duke marrë pjesë në fushata për spitalet lokale, për mjedisin ose kundër mizorisë ndaj kafshëve. EQD/EDNJ mund t’i ndihmojë këta të kuptojnë si mund të rritin ndikimin e tyre në shoqëri.
Ka pengesa të tjera që njerëzit të jenë në gjendje të shprehin veten. Disa gra nuk kanë shansin të votojnë ose të përfshihen në shoqëri, sepse ato vijnë nga shoqëri ku sundojnë burrat. Njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit mund të frenohen nga ideja se është e vështirë që zëri i tyre të mund të dëgjohet. EQD/EDNJ punon për t’u dhënë atyre besim dhe për të hapur sytë dhe veshët e pjesës tjetër të shoqërisë.

Përse është i përfshirë Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër dhe më e madhe e Evropës. Me 47 shtetet e saj anëtarë, ajo mbulon të gjithë Evropën gjeografikisht dhe prek jetët e më shumë se 800 milion njerëzve që jetojnë në të. Këshilli është vëzhguesi i të drejtave të njeriut për qytetarët e Evropës dhe rojtar i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës: struktura më e mirë për të mbikëqyrur EQD/EDNJ në Evropë.

Disa mendime për demokracinë, të drejta t e njeriut dhe edukimin

“Nëse liria dhe barazi, siç mendohet nga disa, kryesisht mund të gjenden në demokraci, ato mund të arrihen më mirë kur të gjithë personat e ngjashëm marrin pjesë, në shkallën me të lartë, në qeveri.” Aristotle (384 BC – 322 BC)

“Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdoret për të ndryshuar botën.” Nelson Mandela

“Ju duhet të bëheni ndryshimi që dëshironi të shikoni në botë.”

“Për të ruajtur demokracinë, njerëzit duhet të jenë të prirur drejt pavarësisë, respektit për veten dhe të jenë vetvetja.”

“Shpirti i demokracisë nuk mund të imponohet nga jashtë. Ai duhet të burojë nga brenda. Në demokracinë e vërtetë burri dhe gruaja mësohen të mendojnë për vete.” Mahatma Gandhi

[quote]“Votimi është ndër të paktat gjera ku mospjesëmarrja në protestë qartësisht i përkeqëson gjërat.” Jane Auer, Autor Amerikan[/quote]

“Bota është një vend i rrezikshëm, jo nga ata që bëjnë keq, por nga ta që i shohin dhe nuk bëjnë gjë.” Albert Einstein

“Përgjegjësia nuk qëndron vetëm tek udhëheqësit ose tek ata që janë caktuar ose zgjedhur për të bërë një punë të veçantë. Ajo qëndron tek të gjithë ne, si individë. Për shembull, paqja fillon brenda nesh. Kur ne kemi paqe të brendshme, ne mund të jemi në paqe me të gjithë ata që na rrethojnë.” The Dalai Lama

Aspekte të qytetarisë

Qytetaria demokratike nuk kufizohet në statusin ligjor të një qytetari dhe në të drejtën e votimit që rrjedh nga ky status. Ajo përfshin të gjitha aspektet e jetës në shoqërinë demokratike. Qytetaria demokratike lidhet me një numër të madh temash si: zhvillimi i qëndrueshëm, pjesëmarrja e njerëzve me aftësi të kufizuara në shoqëri, integrimi gjinor, parandalimi i terrorizmit dhe i shumë fushave të tjera.