Pse është fëmija im agresiv?

Living Democracy » Parents » FËMIJËT (4-12 vjeç) » Sjellja agresive » Pse është fëmija im agresiv?

< Prapa


Pse është fëmija im agresiv? – Të kuptuarit e shkaqeve të agresivitetit

Në kundërshtim me besimin e përgjithshëm, agresiviteti nuk është tipar i lindur i karakterit. Është më tepër sjellje e brendshme që mund të shfaqet në situata të caktuara ose ngjarje që konsiderohen të rrezikshme nga truri ynë. Kjo ndonjëherë është thelbësore për mbijetesë dhe sigurisht ishte e këtillë për paraardhësit tanë të epokës së gurit.

Çdo sjellje agresive ka një arsye, e cila rrjedh nga vlerësimi që i bën truri ynë një situate. Kjo shkelje e kufirit, e perceptuar individualisht, është përgjegjëse për sjelljen agresive të një personi. Shkaku më i qartë për dhunën është dhimbja fizike. Një person i cili është grushtuar ka shumë të ngjarë ta kthejë me grushtim. Sidoqoftë, dhimbja psikologjike, siç është margjinalizimi social, padrejtësia apo përbuzja, përpunohet në të njëjtat fusha të trurit si edhe dhimbja fizike dhe kështu konsiderohet si arsye për agresion. Pragu se kur shkelja e kufirit mendohet të ndodhë është tepër individual. Një vështrim i gabuar mund të mjaftojë që një fëmijë të acarohet, ndërsa një tjetër do të reagojë me dhunë vetëm nëse shtyhet dhe goditet nga të tjerët.

Agresioni si një reagim ndaj një shkeljeje të kufirit nuk duhet domosdoshmërisht ta shënjestrojë shkelësin që ka kaluar kufirin. Nëse një fëmijë është i poshtëruar nga një nxënës më i madh, reagimi agresiv i fëmijës me siguri nuk do të drejtohet kundër agresorit, i cili supozohet të jetë më i fortë, por ndoshta kundër vëllait më të ri dhe më të dobët. Agresioni gjithashtu mund të shfaqet në një moment të mëvonshëm, ashtu që lidhja me shkeljen origjinale të kufirit nuk mund të krijohet. Kështu, sjellja agresive mund të shfaqet thjesht prej asgjëje dhe ne kemi përshtypjen se fëmija është “thjesht ashtu” agresiv ndaj vetes apo fëmijëve të tjerë, pa asnjë arsye të qartë.
Kështu, sjellja agresive gjithmonë duhet të kuptohet si një lloj thirrjeje. Vlen t’u bëhet një vështrim më i afërt, veçanërisht fëmijëve që shpesh shfaqin sjellje agresive. Cilat vija vazhdimisht tejkalohen? Nga kush? Si janë shkelur kufijtë? Si mund ta mbështes fëmijën që ka përjetuar shkelje të kufirit? Si mund ta trajtonte ndryshe fëmija agresionin e tij?

Një detyrë e rëndësishme e edukimit është t’u ofrojë fëmijëve një mënyrë për t’u marrë me ndjenjat agresive. Në asnjë mënyrë ne nuk jemi pengje për trurin tonë dhe kemi aftësinë për t’iu përgjigjur shkeljeve të kufijve në mënyra të tjera e jo me dhunë. Qeniet njerëzore janë në gjendje të reflektojnë për veprimet dhe pasojat e tyre, prandaj mund të përcaktojnë nëse reagimi i tyre është i përshtatshëm për shoqërinë. Të rrënjosurit e kësaj në fëmijët tanë është një nga sfidat tona themelore si prindër. Videot dhe lojërat e dhunshme ku fëmijët e shohin dhunën si një mënyrë për të arritur sukses janë kundërproduktive nga këndvështrimi i edukimit, pasi fëmijët mësojnë shumë gjëra nga imitimi. Në lojëra të shumta, ata e përjetojnë dhunën si një rrugë përpara dhe mund ta transferojnë këtë qëndrim në jetën e tyre të përditshme. Për këtë arsye, prindërit duhet të jenë vigjilentë për lojërat që luajnë fëmijët e tyre, si dhe videot që ata shikojnë.