Themelet e komunikimit njerëzor

Living Democracy » Parents » FËMIJËT (4-12 vjeç) » Sjellja agresive » Themelet e komunikimit njerëzor

< Prapa


Themelet e komunikimit njerëzor

Le ta pranojmë përkufizimin e mëposhtëm të komunikimit: Çdo komunikim është një mesazh ndërmjet një dërguesi dhe një marrësi. Fëmijët dhe prindërit mund të jenë të dyja: dërgues (persona që duan të komunikojnë diçka) ose marrës (personat që marrin një mesazh).

Ju nuk mund të mos komunikoni. Edhe kur jemi të heshtur dhe shmangim kontaktin me sy me persona të tjerë, ne dërgojmë një mesazh: “Lermë, dua të jem më vete!” Për më tepër, foshnjat dhe të vegjlit mund dhe dëshirojnë të komunikojnë me ne. Ata e bëjnë atë në mënyrë joverbale dhe prandaj, shpesh është më e vështirë për prindërit e tyre që t’i kuptojnë. Në mënyrë të ngjashme, fëmijët shumë të vegjël përpiqen të shprehin ndjenjat, nevojat dhe vullnetin e tyre. Për të siguruar një proces komunikimi të suksesshëm dhe të kënaqshëm me fëmijët tanë, është e rëndësishme që ne të përpiqemi shumë për të deshifruar dhe kuptuar përpjekjet e tyre të komunikimit joverbal.

Ekzistojnë situata komunikuese simetrike dhe plotësuese. Situata simetrike nënkupton një komunikim ndërmjet pjesëmarrësve të barabartë: shokëve e shoqeve, vëllezërve e motrave ose kolegëve; komunikimi plotësues bazohet në marrëdhënie të pabarabarta, si ndërmjet mësuesve dhe nxënësve, punëdhënësve dhe punonjësve, prindërve dhe fëmijëve. Këto marrëdhënie përcaktohen nga strukturat e pushtetit ku një person në pozitë të pushtetit mund të ushtrojë presion ndaj një personi tjetër. Natyrisht, është më e lehtë të komunikohet nga pozita e pushtetit, siç është pozita jonë e prindërve. Por duhet të kemi kujdes që ne të mos abuzojmë me këtë pushtet, përndryshe komunikimi mund të japë rezultate të dobëta dhe me pasoja negative për marrëdhënien me fëmijët tanë. Fëmijët janë gjithmonë në pozitë vartësie kur komunikojnë me prindërit e tyre. Ata nuk mund të dalin prej saj.

Pikësimi i procesit komunikues: Dërguesi dhe marrësi strukturojnë rrjedhën e komunikimit në mënyrë të ndryshme dhe, kështu, interpretojnë sjelljen e tyre gjatë procesit komunikues thjesht si reagim ndaj sjelljes së tjetrit (çdo palë beson se tjetri është shkaku i një sjelljeje të caktuar). Të pikësosh një komunikim do të thotë të interpretosh një rend të vazhdueshëm të ngjarjeve duke etiketuar një ngjarje si shkak dhe ngjarjen pasuese si përgjigje (nëse ndodh një gjë, gjithmonë ndodh diçka tjetër).