< Prapa


Mjerisht, një temë e tillë nuk mund të shmanget thjesht ose «të kalohet në heshtje». Komunikimi njerëzor funksionon sipas rregullave të caktuara. Ndër të tjera, një nga këto rregulla përcakton se nuk mund të mos komunikojmë. Lexoni këtu më shumë lidhur me themelet e komunikimit njerëzor

Heshtja, pra, është po ashtu mesazh. Në këtë rast, ju komunikoni (megjithëse duke u shprehur joverbalisht): «Ne nuk flasim për këtë dhe nuk kemi fjalë për fizikalitetin. Çfarëdo që të ndien dhe dëshiron të dish për trupin tënd, të takon ta zbulosh vetë.» Ky mesazh, për kohë të gjatë mund të prishë marrëdhënien e besimit mes jush dhe birit tuaj. Herët a vonë Denisi do ta zbulojë se në filma, reklama apo midis miqve, tema e seksualitetit është me të vërtetë shumë e diskutuar. Ai mund të ndihet se nuk u mor me seriozitet dhe madje u tradhtua nga prindërit e tij, të cilët nuk donin ta diskutonin këtë temë me të.

Kështu, Denisi merr informata rreth temës nga burime të tjera që janë jashtë kontrollit absolut të prindërve të tij dhe ata nuk janë në gjendje të gjejnë saktësisht atë që ai e di dhe nuk e di për temën e seksualitetit.

Zhvillimi seksual është edhe zhvillim gjuhësor.

Lexoni më shumë

Në diskutimin e pjesëve të trupit me fëmijët tuaj, ju u ofroni fjalë që u mundësojnë atyre të flasin për këtë aspekt të jetës. Nëse fëmijët mësojnë të flasin për trupin dhe organet gjenitale në mënyrë krejtësisht të natyrshme, kjo gjithashtu lehtëson bisedën rreth seksualitetit. Kështu, fëmijët fitojnë pak nga pak një fjalor për t’i shprehur pyetjet, ndjenjat dhe nevojat e tyre në gjuhë të përshtatshme. Duke vepruar kështu, ata bëhen më kompetentë për jetën e tyre të mëvonshme, pasi ata që mund ta shprehin veten mirë janë më të suksesshëm në arritjen e asaj që dëshirojnë.
Ju gjithashtu duhet t’i diskutoni përshkrimet dhe fjalët që fëmijët tuaj mund t’i sjellin në shtëpi nga shkolla. Meqenëse fjalori i fëmijëve që ka të bëjë me trupin dhe seksualitetin zhvillohet me kalimin e kohës, jo çdo vulgaritet i dukshëm që shprehet nga fëmija juaj duhet të konsiderohet si shenjë e provokimit të menjëhershëm dhe brutalitetit. Kategorizoni shprehjet vulgare si «shkërdhatë» me fëmijët tuaj dhe ofrojuni atyre terme që ju do të preferonit të përdoren.