Të dalluarit e sjelljes problematike

Living Democracy » Parents » ADOLESHENTËT (13-18 vjeç) » Përdorimi i medias » Të dalluarit e sjelljes problematike

< Prapa


Të dalluarit e sjelljes problematike

Në diskutimet me adoleshentët tuaj, sigurohuni që të theksoni rreziqet e përdorimit të medieve, veçanërisht të atyre elektronike. Mbajeni kontaktin me fëmijët tuaj dhe interesohuni për aktivitetet e tyre. Vëzhgoni ndryshimet e dukshme të sjelljes dhe rrini vigjilentë.

Nëse adoleshentët tregojnë rënie dramatike të performancës në shkollë ose e izolojnë plotësisht veten nga shoqëria, nëse mirëqenia e dobët fizike ose emocionale e tyre është një gjë e përditshme, kontaktoni personat e tjerë referues, siç janë mësuesit e klasës. Kërkojuni atyre të japin vlerësimin dhe ndihmën e tyre.

Në këtë kapitull ju gjeni informacion lidhur me temat në vijim:
Ngacmimet kibernetike
Sjellja e varësisë
Dhuna në internet
Pornografia në internet

Si të dallojmë ngacmimet kibernetike?4

Treguesit e ngacmimeve kibernetike nuk janë qartë të dallueshëm, ngase autorët, viktimat dhe spektatorët shpesh ngurrojnë ta bëjnë veten të njohur. Megjithatë, ngacmimet kibernetike sigurisht ndryshojnë sjelljen e fëmijëve të prekur. Ata priren të:

  • …tërhiqen nga shoqëria dhe nuk u pëlqen të shkojnë në shkollë. Performanca e tyre në klasë bie dhe interesat e tyre ndryshojnë ndjeshëm.
  • … shfaqin simptoma fizike dhe psikologjike (p.sh. mungesë oreksi, shqetësime gjumi, dëshpërim, ndjenja inferioriteti dhe depresioni).
  • … nuk kënaqen më me përdorimin e internetit. Ata largohen nga bisedat në internet nëse dikush tjetër shikon në ekran, ose duken të shqetësuar dhe të humbur pasi lexojnë postime dhe mesazhe të reja.
  • … vazhdimisht e bllokojnë çdo bisedë në lidhje me ndryshime në sjellje ose ndryshime të tjera të dukshme, duke i minimizuar ato, ose edhe duke reaguar me turp dhe duke iu shmangur pyetjeve.

Çfarë mund të bëjnë prindërit:

  • Ofroni mbështetje: Fëmijët duhet të ndihen të sigurt se mund të flasin me prindërit e tyre në çdo kohë për përvojat e tyre në internet dhe se besimi në ta nuk paraqet pengesë të pakapërcyeshme.
  • Tregoni mirëkuptim: Reagoni me arsye dhe me simpati ndaj ndryshimeve të mundshme në sjelljen e fëmijës.
  • Merrni gjërat seriozisht: Fëmijët duhet ta dinë se ata dhe shqetësimet e tyre merren seriozisht dhe se do ta kenë ndihmën. Nëse prindërit duan të ndërmarrin hapa konkretë për çështje të caktuara, është e dobishme të përfshihet fëmija në diskutimet dhe përpjekjet e tyre për një zgjidhje.
  • Mos ndëshkoni: Ndalimi i përdorimit të telefonit celular ose ndalimi i internetit nuk është i dobishëm. Ngacmimet kibernetike në përgjithësi nuk shkaktohen nga sjellja e keqe e një fëmije. Përmbajtja në lidhje me personin e prekur mund të publikohet pavarësisht nga përdorimi i internetit ose pajisjeve mobile nga ana e këtij personi.
  • Kontakti me shkollën: Mund të jetë e dobishme të adresohet çështja me shkollën e fëmijës, për t’ua sugjeruar që ngacmimet kibernetike të bëhen temë e diskutimit në klasë.
  • Ndihmoni adoleshentët tuaj të mbledhin dhe të ruajnë imazhet nga ekrani i kompjuterit, si dëshmi të ngacmimeve kibernetike. Nëse autorët janë të njohur, kërkojuni t’i fshijnë përmbajtjet përkatëse. Nëse kjo nuk ndodh, kërkoni nga ofruesi i platformës që të ndërmarrë veprimet e duhura.
  • Rastet e rënda të ngacmimeve kibernetike duhet të raportohen në polici. Gjithashtu mund të jetë e këshillueshme që të bëni konsultime paraprake ligjore.
  • Për informata shtesë rreth ngacmimeve në përgjithësi, shihni “Të folurit me fëmijët rreth ngacmimit”

Si mund ta dalloni sjelljen e varësisë?5

Në rastin e varësisë nga interneti, qendra e jetës së një personi kalon në masë të madhe nga jeta reale në realitetin virtual. Personat e prekur shpesh refuzojnë vaktet e përbashkëta, duke preferuar të jetojnë në dhomat e errëta para kompjuterit të tyre, në vend që të ndjekin aktivitete në natyrë me të tjerët dhe janë plotësisht të lodhur për shkak të privimit të vazhdueshëm nga gjumi. Pasoja të tjera janë rënia e performancës në shkollë, veçimi nga shoqëria dhe humbja e interesit për aktivitete me shokë e shoqe.

Çfarë mund të bëjnë prindërit:

  • Kontrolloni për respektimin e kufijve të moshës te lojërat kompjuterike.
  • Mbani kontakt me fëmijët tuaj, bëjini ata t’ju tregojnë lojërat që luajnë dhe bisedoni me ta për aktivitetet e tyre në internet dhe ueb faqet e tyre të preferuara.
  • Mendoni se si etja për aventurë dhe nevoja për përkatësi, njohje dhe sukses, mund të plotësohen edhe në botën reale.
  • Në rastet e përdorimit të tepërt të aktiviteteve të lojës në internet: zvogëloni afatin kohor brenda ditës ose javës dhe, së bashku me fëmijën tuaj, zhvilloni ide për aktivitete alternative të kohës së lirë. Siç është sugjeruar më pare, një kontratë për përdorimin e medias mund të jetë e dobishme në këtë drejtim.
  • Nëse nuk jeni më në gjendje të ndikoni te fëmija juaj, kërkoni këshillat e ekspertëve. Qendrat këshilluese rajonale për varësinë shpesh punësojnë specialistë në fushën e “varësisë nga interneti”.

Paraqitja e dhunës në internet6

Dhuna është shumë e pranishme në medie sot. Mediet elektronike, në veçanti, bartin rrezikun e pashmangshëm që adoleshentët të jenë të ekspozuar ndaj paraqitjeve të shumta të dhunës. Për më tepër, qarkullimi i imazheve të dhunës së vërtetë është i përhapur shumë, për shkak të videove të bëra vetë në telefona të mençur. Konsumimi i materialit të dhunshëm mund të ketë efekte negative mbi fëmijët dhe adoleshentët: zemërimi, frika, acarimi – janë ndjenjat që shumë konsumues i përjetojnë. Po kështu, konsumimi i dhunës mund të ndikojë në sjelljen e tyre. Me praninë e disa faktorëve të tjerë të rrezikut, adoleshentët janë më të prirur ndaj dhunës nëse shohin pamje të shumta të dhunës.

Çfarë mund të bëjnë prindërit:

  • Sigurohuni që adoleshentët tuaj përdorin vetëm lojëra dhe video që janë të lejuara për grupmoshat e tyre.
  • Përmirësoni mbrojtjen teknike të medieve elektronike (p.sh. me një filtër për mbrojtjen e fëmijëve).
  • Kufizoni përdorimin e medieve nga adoleshentët tuaj.
  • Bisedoni me adoleshentët tuaj rreth ndjenjave të tyre dhe frikës së mundshme në lidhje me përdorimin e medieve nga ana e tyre.

Pornografia në internet7

Nëse adoleshentët shfletojnë internetin për informacion rreth temave të caktuara, herët a vonë ata do të ndeshen me imazhe pornografike. Interesimi për seksualitetin dhe fizikun e vet është krejtësisht i natyrshëm dhe i përket një zhvillimi të shëndetshëm. Sidoqoftë, imazhet shumë të seksualizuara mund të kenë efekt shqetësues ose madje edhe frikësues ndaj adoleshentëve. Pornografia shpesh ka efekt frikësues ndaj adoleshentëve pa ose me fare pak përvoja seksuale të mëparshme në jetën reale. Kjo është arsyeja pse, në shumë vende, është në kundërshtim me ligjin që të tregohen ose të jepen imazhe pornografike për të miturit (fëmijët nën 16 vjeç).

Nëse adoleshentët krijojnë materiale të natyrës erotike (foto ose video) dhe e përcjellin materialin te personat për të cilët kanë interesa dashurie (ose madje edhe te grupet e shokëve/shoqeve), kjo quhet seksting. Kujdes i veçantë duhet të ushtrohet në këtë drejtim. Së pari, marrësit e materialeve të tilla mund ta keqpërdorin atë në mënyra të shumta (fotografitë komprometuese mund të qarkullohen pa pëlqimin e dërguesit). Së dyti, të miturit mund të jenë përgjegjës ndaj ndjekjes penale nëse prodhojnë dhe transmetojnë materiale pornografike. Prindërit duhet të informohen rreth dispozitave ligjore të vendit të tyre.

Vardisja kibernetike ndodh kur personat e rritur u qasen fëmijëve ose adoleshentëve në internet me qëllim të angazhimit eventual në akte seksuale. Anonimiteti i internetit e lehtëson një miqësim të tillë, duke u lejuar kështu autorëve të krimit pedoseksual të paraqiten si bashkëmoshatarë në kërkimin e kontakteve me fëmijët dhe adoleshentët. Duke bërë kështu, kjo mund të çojë shpejt në abuzim seksual: ekzibicionizëm, postim të përmbajtjes pornografike, shprehje dhe veprime tronditëse.

Çfarë mund të bëjnë prindërit:

  • Është shumë e rëndësishme që prindërit t’u ofrojnë fëmijëve të tyre diskutime të përshtatshme për moshën në lidhje me temën e pornografisë dhe të jenë në dispozicion për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre ose për të sqaruar përmbajtjet e shikuara më parë. Edukimi seksual është shumë i rëndësishëm për zhvillim të shëndetshëm. Për informacion të mëtejmë në lidhje me këtë temë, konsultoni kapitujt “Të folurit me fëmijët rreth trupit dhe seksualitetit“ dhe “Të folurit me fëmijët rreth seksit dhe dashurisë“.
  • Është e mundur t’i bllokoni përmbajtjen e ndaluara (Anglisht: X-rated) në kompjuterin tuaj, por jini të vetëdijshëm se adoleshentët tuaj me gjasë do të pranojnë përmbajtje pornografike nëpërmjet kompjuterit nga miqtë e tyre. Prandaj, inkurajoni fëmijët tuaj që ta diskutojnë përmbajtjen provokuese me një person të cilit i besojnë.
  • Jini të vetëdijshëm për vlerësimin e moshës së videove dhe lojrave kompjuterike.
  • Për temën e “sekstingut”:
    Bisedoni me fëmijën tuaj për temën e vetëportretizimit në internet: Si do të doje të perceptoheshe nga të tjerët? A mund të jetosh me faktin se fotografitë komprometuese të vetes tënde shpërndahen në shkollë apo qarkullojnë tjetërkund pa dijeninë tënde?
  • Për temën e “vardisjes kibernetike“:
    Bëjeni të qartë për fëmijët tuaj se ata menjëherë mund t’ju drejtohen juve nëse ka ndonjë gjë që për ta duket “e sikletshme” ose shqetësuese në internet, veçanërisht gjatë bisedave virtuale. Lajmëroni përdoruesit e tjerë, bllokoni ata ose fshini kontaktin e bisedës nëse ndodhin shkelje.
    Adoleshentëve duhet t’u kërkohet që të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre të kontaktit në internet. Po kështu, ata nuk duhet të dërgojnë në mënyrë të pavëmendshme fotot e tyre ose të hapin kamerat e tyre në kompjuter. Adoleshentët tuaj kurrë nuk duhet të lejojnë që dikush t’i bindë ata që të takohen diku të vetëm me dikë që e kanë njohur përmes bisedës virtuale.