Biri juaj Semi është 1 vjeç e gjysmë. Tash ai dëshiron të ushqehet vetë. Por, në vend se ta përdorë lugën dhe pirunin, Semi luan me ushqimin dhe nuk arrin ta fusë ushqimin në gojë. Ushqimi është kudo: në rrobat e tij, në flokë dhe në dysheme rreth tryezës. Ju zemëroheni, sepse mendoni për rrëmujën dhe për kohën që do t’ju duhet për ta pastruar kuzhinën.
Çdo prind është i mësuar me situata të tilla nga jeta e përditshme me të vegjlit. Si mund të reagojmë në mënyrë adekuate për të shmangur konfliktet dhe emocionet negative në situata të tilla?
Në vazhdim ju mund të analizoni situatën dhe reagimet e juaja me ndihmën e pyetjeve fillestare.
Përveç kësaj, ju gjeni këshilla për të reaguar si duhet.
Analizë
Këshilla
Çfarë duhet të di lidhur me komunikimin me bebet dhe fëmijët e vegjël?
Të gjitha llojet e komunikimeve ndikojnë në trurin e një fëmije dhe gjuha është thelbësore për zhvillim të mirë të trurit të fëmijës suaj. Mungesa e komunikimit në fëmijërinë e hershme çon në zhvillimin e dobët të fjalorit, me pasoja negative për inteligjencën e fëmijës dhe suksesin e të mësuarit për tërë jetën. Truri ynë krijon një rrjet të neuroneve, duke përdorur të gjitha informatat e reja që vijnë nga rrethi. Përmes veprimeve shoqërore siç është komunikimi verbal dhe joverbal, përsëritja dhe thellimi i stimujve, ne ndihmojmë trurin tonë për të forcuar dhe rritur këtë rrjet të paçmueshëm.
Kështu, si prindër, ju keni ndikim të madh mbi inteligjencën e fëmijës suaj dhe zhvillimin social e individual.
Si mund t’i jepni shtysë më së miri zhvillimit të trurit të fëmijës suaj?
Është shumë e rëndësishme të komunikoni në çdo rast me fëmijën tuaj, madje edhe në një fazë të hershme të fëmijërisë. Megjithatë, për zhvillimin e trurit të fëmijës nuk është e rëndësishme vetëm sa shpesh flisni, por edhe se si ju komunikoni me fëmijën e vogël. Shkencëtarët kanë dhënë disa sugjerime themelore (tri veprimet) për ju, që t’i keni parasysh.
Tri veprimet:
Kyçuni: Kjo do të thotë ta vëni veten në pozitën e të voglit. Vëzhgoni fëmijën tuaj. Për çfarë është i interesuar ai për momentin? Në çfarë fokusohet? Bisedoni me të voglin tuaj rreth këtyre gjërave (p.sh. kunjat, gotat ose tasat, tekstili, gurët, pasqyrat, kafshët, fëmijët e tjerë, emocionet ose vëzhgimet) edhe nëse ai nuk është në gjendje t’i kuptojë ende fjalët tuaja. Ndonjëherë fëmijët e vegjël do të ndryshojnë fokusin e tyre shumë shpejt. Ndodh që pas një minute libri mund të mos jetë më interesant për fëmijën, por ai mund të tregojë papritmas interes të madh në blloqet lodra që janë në anën tjetër të dhomës. Lërini fëmijët tuaj të shkojnë pas tyre dhe bëni komente për veprimet e tyre! Pranimi i perspektivës së një fëmije dhe bërja e komenteve për të e mbështet të mësuarit e fëmijës dhe zhvillimin e trurit. Fëmija nuk duhet të shpenzojë energji me gjëra jointeresante, të imponuara nga prindërit.
Flisni më shumë: Këtë këshillë është me të vërtetë e lehtë për ta integruar në jetën tuaj të përditshme me të vegjlit. Komentoni të gjitha veprimet tuaja me fëmijën: ushqyerjen, ndërrimin e pelenave, veshjen, larjen. Fëmija juaj do të mbajë mend tingujt e ndryshëm të gjuhës suaj dhe pas një kohe do t’i riprodhojë ato. Shembuj:
- Shpjegoni objektin që fëmija juaj mban në duart e tij: Çfarë është kjo? Për çfarë e përdorim?
- Bashkërisht, kërkoni objekte tjera të ngjashme: Ku mund të gjejmë të tjera? Ku janë fshehur?
- Bëni pyetje: Kur fëmija juaj zgjat krahët për ju, pyetni së pari: “A dëshiron të vish këtu tek unë?” Dhe pastaj veproni duke e marrë fëmijën tuaj. Në këtë mënyrë fëmija juaj mund të krijojë lidhjen midis fjalisë dhe veprimit.
Kur i vogli juaj fillon të flasë (si “top”), zgjeroni fjalët e tyre të shprehura në një fjali të plotë si: “Po, është një top” ose “A do të luash me topin?” Duke vepruar kështu, ose duke përdorur fjalët në një kontekst tjetër, ju e nxisni fëmijën tuaj për të komunikuar. Kjo gjithashtu e krijon dëshirën për ta përdorur gjuhën.
Ndiqni radhën: Derisa komunikoni me fëmijën tuaj, sigurohuni që të lejoni reciprocitet. Lejoni që fëmija t’i gjejë fjalët vetë, mos i parashikoni ato dhe t’i thoni ju paraprakisht. Të vegjëlve u duhet ca kohë për të gjetur fjalët e duhura në fazën e hershme të të mësuarit të gjuhës.
Përdorni pyetje të hapura, si: pse, kush, si? Fëmijëve u duhet të përdorin më shumë fjalë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, kështu që e ushtrojnë fjalorin e tyre me çdo përgjigje. Për më tepër, këto pyetje mbështesin komunikimin e vazhdueshëm. Kështu, biseda juaj nuk do të përfundojë pas pyetjes me një përgjigje njëfjalëshe: «po-jo».
“Të folurit me fëmijët rreth shprehive të të ngrënit” është bazuar në referencat më poshtë:
Nolan, Virginia. 2016. «Die Macht der Sprache.» Das Schweizer Elternmagazin Fritz und Fränzi, Oktober, 58-64.
Suskind, Dana, Beth Suskind und Leslie Lewinter-Suskind. 2015. Thirty Million Words. Building a Child’s Brain. New York: Dutton.