Aktiviteti fizik në shkolla
Living Democracy » Principals » SHKOLLA AKTIVE » Ndërgjegjësimi » Aktiviteti fizik në shkollaMundësitë për të qenë aktivë
Siç është ilustruar më lart, aktiviteti i rregullt fizik ndikon drejtpërdrejt në shëndetin fizik dhe mendor dhe në aftësitë sociale dhe kognitive të një personi.
Nivelet e aktivitetit fizik të fëmijëve janë të lidhura me mundësitë e tyre për aktivitet fizik. Ndër faktorët përgjegjës për sigurimin e këtyre mundësive, shkollat kanë potencialin më të madh për të ndikuar në sjelljet e aktivitetit fizik të nxënësve të tyre, përmes mënyrave të ndryshme. Duke marrë parasysh që fëmijët qëndrojnë ndenjur për pjesën më të madhe të ditës së shkollës, është e domosdoshme që komuniteti i shkollës gjithashtu të sigurojë mundësi që fëmijët të jenë aktivë fizikisht gjatë gjithë ditës së shkollës.
Mësoni më shumë rreth asaj se si mund t’i mbështetni shkollat tuaja për t’u bërë më aktive:
- Aktiviteti fizik i ndarë nga mësimet u referohet të gjitha veprimtarive gjatë një dite shkollore që nuk kanë asnjë lidhje me mësimin e lëndëve shkollore. Këto mund të përfshijnë:
- Pushime më të gjata dhe më aktive dhe koha e pushimit kur nxënësve u ofrohet stimul, mjete dhe inkurajim për t’u përfshirë në rekreacion, argëtim, aktivitete fizike dhe lojëra në sheshin e lojërave në shkollë ose në vende dhe ndërtesa të krijuara posaçërisht. Provoni të merrni parasysh ndryshimet mjedisore në nivel shkolle për të ndihmuar në aktivitetin më të madh fizik gjatë pushimit.
- Udhëtimi aktiv për në shkollë dhe në kthim ku fëmijët, në bashkëpunim me prindërit, inkurajohen të ecin, çiklojnë, ngasin dërrasën rrëshqitëse në shkollë, individualisht ose në grup. Kalimi aktiv i rrugës gjithashtu mund të përfshijë përdorimin e transportit publik ose të ecurit në rresht, ose udhëtimin me makinë për një pjesë të rrugës për në shkollë, prej nga nxënësit ecin në pjesën e mbetur të rrugës.
- Programet sportive dhe pas shkolle, që zhvillohen brenda apo jashtë shkolle. Programet sportive, ngjarjet sportive dhe garat kanë qenë prej kohësh pjesë integrale e mjedisit shkollor, duke rritur pjesëmarrjen e përditshme të nxënësve në aktivitetin fizik dhe në sportet e organizuara.
- Aktiviteti fizik i kombinuar me mësimet i referohet kryesisht ndërprerjeve me aktivitete të shkurtra gjatë mësimeve akademike për t’u ofruar nxënësve mundësi për të lëvizur. Në një model danez, për shembull, kjo kategori njihet si “ndërprerje e energjisë” që përqendrohet në perspektiva specifike të të mësuarit. Këto mund të përfshijnë forma të ndryshme të aktiviteteve që nuk lidhen me intensitetin e aktiviteteve gjatë kohës normale në klasë. Aktivitetet e lëvizjes dhe ndërprerjet me aktivitet fizik në klasë ofrojnë një mundësi shtesë për aktivitet fizik gjatë gjithë ditës së shkollës me planifikim minimal, duke mos kërkuar pajisje ose burime të posaçme, dhe që marrin vetëm një kohë të shkurtër. Për ide praktike shihni: http://www.coloradoedinitiative.org/wp-content/uploads/2014/08/CEI-Take-a-Break-Teacher-Toolbox.pdf
- Aktiviteti fizik i integruar në mësime i referohet veprimtarisë si pjesë aktive e mësimeve akademike. Këtu, lëvizja dhe aktiviteti janë të integruara në procesin e të mësuarit, duke e pasuruar atë me përforcimin e përmbajtjes dhe të kuptuarit e saj përmes të mësuarit aktiv. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për nxënësit kinestetikë. Shembuj dhe ide specifike për të shtuar të nxënit e përmbajtjes në matematikë, lexim/gjuhë, shëndetësi, edukim fizik, shkencë dhe studime sociale mund të gjenden në: http://www.activeacademics.org/
- Edukimi fizik i referohet lëndës së edukimit fizik në shkollë, e cila ka kurrikulën, qëllimet dhe praktikat e veta në çdo vend. Edukimi fizik si lëndë shkollore u ofron të gjithë fëmijëve qasje në aktivitet dhe mund t’ua zhvillojë aftësitë, njohuritë dhe qëndrimet që janë të nevojshme që ata ta krijojnë dhe të mbajnë një mënyrë jetese fizikisht aktive. Përfitimet e mundshme të pjesëmarrjes së nxënësve në edukimin fizik sigurohen më së miri nëse ofrohet Edukimi Fizik Cilësor. Edukim fizik cilësor përcaktohet si “përvoja e të nxënit të planifikuar, përparimtar, gjithëpërfshirës që përbën një pjesë të kurrikulës në vitet e hershme, arsimin fillor dhe të mesëm. Përvojat e të nxënit që u ofrohen fëmijëve dhe të rinjve përmes njësive mësimore të edukimit fizik duhet të jenë të përshtatshme në aspektin zhvillimor për t’i ndihmuar ata të fitojnë aftësitë psikomotorike, të kuptuarit kognitiv dhe aftësitë sociale dhe emocionale që u duhen për të bërë një jetë fizikisht aktive”. (Burimi: adaptuar nga Association for Physical Education (afPE) Health Position Paper, 2008).
Propozimi bazohet në modelin danez nga Claus Løgstrup Ottesen, Profesor i Asociuar, Anders Flaskager, Profesor i Asociuar dhe Børge Koch, Profesor (Departamenti i Edukimit Fizik dhe Promovimit të Shëndetit, Kolegji Universitar i Danimarkës Jugore dhe Qendra Kombëtare Daneze e Njohurive për Promovimin e Shëndetit).