Mirëqenia është e drejtë themelore për fëmijët
Living Democracy » Principals » SHKOLLA AKTIVE » Ndërgjegjësimi » Mirëqenia është e drejtë themelore për fëmijëtNeni 17 i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës (20 nëntor 1989) kërkon që shtetet nënshkruese të mbrojnë “mirëqenien sociale, shpirtërore dhe morale, dhe shëndetin fizik dhe mendor” të të gjithë fëmijëve në territoret e tyre. Konventa e të Drejtave të Fëmijës (KDF) pasqyron dispozitat e përgjithshme të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të 10 dhjetorit 1948, https://www.un.org/en/universal-declaration-human-rights/index.html, ipërfshirë të drejtën për jetë (DUDNJ, neni 3; KEDNJ, neni 2) dhe të drejtën për shëndet dhe mirëqenie (DUDNJ, neni 25; KEDNJ, neni 2).
Të drejtat e njeriut dhe të fëmijëve varen nga zbatimi dhe mbrojtja e tyre. Zhvillimi i shëndetshëm kognitiv, emocional, i sjelljes, fizik dhe social i individit është pra objektiv kryesor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh). Sidoqoftë, shëndeti dhe mirëqenia jonë fizike varen jo vetëm nga kushtet mbizotëruese të jetesës dhe sistemet e mbështetjes të sigurisë shoqërore të ofruara nga shteti në të cilin jetojmë, por edhe nga shprehitë tona të jetesës. Nëse shprehitë tona e mbështesin shëndetin dhe mirëqenien tonë ose e dëmtojnë atë, varet nga zgjedhjet dhe përgjegjësitë tona personale. Me zgjedhje të tilla, ne ushtrojmë të drejtën tonë njerëzore për liri, që do të thotë se ne mund të inkurajohemi, por jo edhe të detyrohemi të udhëheqim jetën tonë me arsye (neni 3 i DUDNJ).
Prandaj shkolla juaj luan rol kryesor që t’i ndihmojë të rinjtë për të kuptuar rëndësinë jetike të zgjedhjeve të tyre dhe se si ato ndikojnë në jetën dhe identitetet e tyre. Shkolla juaj mund t’u sigurojë fëmijëve dhe adoleshentëve njohuri, aftësi, mbështetje sociale dhe përforcim mjedisor të domosdoshëm dhe t’i fuqizojë ata të adoptojnë modele të sjelljes afatgjata që përmirësojnë shëndetin. Në këtë drejtim, edukimi fizik cilësor vepron si themel për angazhim të përjetshëm në aktivitete fizike dhe sporte. Përvojat e të nxënit që u ofrohen fëmijëve dhe të rinjve përmes mësimeve të edukimit fizik duhet të jenë të përshtatshme në aspektin zhvillimor për t’i ndihmuar ata të fitojnë aftësi psikomotorike, të kuptuar kognitiv dhe aftësi sociale dhe emocionale të nevojshme për t’u përfshirë në aktivitet fizik gjatë gjithë jetës (Burimi: adaptuar nga Shoqata për Edukim Fizik (afPE) Dokumenti i Pozicionit Shëndetësor, 2008).
Një faktor domethënës që kontribuon në shëndetin e fëmijëve, zhvillimin shoqëror, aftësitë e të nxënit dhe rezistencën ndaj problemeve mendore është përfshirja e tyre në aktivitetin fizik të përditshëm. Kjo përfshin lojën e lirë, transportin dhe rekreacionin aktiv, edukimin fizik në shkollë, sportet e organizuara ose ushtrimet e planifikuara.
Loja është një nga të drejtat zhvillimore që u mundëson fëmijëve të arrijnë potencialin e tyre të plotë së bashku me edukimin, kohën e lirë, aktivitetet kulturore, qasjen në informacion dhe lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë.
Konventa e Kombeve të Bashkuara (KB) për të Drejtat e Fëmijës përcakton aktivitetin fizik dhe rekreacionin si të drejta njerëzore, duke njohur shprehimisht të drejtën e fëmijës për shëndet (neni 24), pushim, kohë të lirë, lojë dhe përfshirje në aktivitete argëtuese (neni 31).
Në veçanti, komenti i përgjithshëm i KB numër 4: “Shëndeti dhe zhvillimi i adoleshentëve në kontekstin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës”
https://www.childrensrights.ie/resources/uncrc-general-comment-adolescent-health-and-development-context-convention-rights-child
tërheq vëmendje të veçantë për rëndësinë e informacionit adekuat mbi temat që lidhen me shëndetin përfshirë aktivitetin fizik (Seksioni III, 26).
Më tutje, një komitet i KB monitoron zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Ai rekomandon disponueshmërinë për:
- Mjediset në të cilat mundësitë e lojërave dhe rekreacionit janë të arritshme për të gjithë fëmijët dhe sigurojnë kushte për kreativitet.
- Mundësitë për të ushtruar kompetencën përmes lojës së vetiniciuar, rritjes së motivimit, zhvillimit të aftësive fizike dhe shkathtësive, si dhe ndërveprimeve të gjalla kulturore që pasurojnë jetën.
- Të drejtën e pushimit, e cila siguron që fëmijët të kenë energjinë dhe motivimin e nevojshëm për të marrë pjesë në lojë dhe angazhim kreativ.
Vendi juaj është zotuar t’i respektojë këto konventa. Kjo kërkon që ju, si drejtor, të bëni çmos për të zbatuar këtë zotim në mënyrën më të mirë të mundshme brenda sferës suaj të përgjegjësisë.
Për të zbatuar një qasje të bazuar në të drejtat e njeriut për shkollimin, drejtorët duhet të dinë më shumë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe të drejtat e fëmijëve, si dhe për implikimet e tyre për të menduarit, planifikimin dhe vlerësimin edukativ.