Komunikimi në një proces demokratik
Living Democracy » Principals » KOMUNIKIMI » Ndërgjegjësimi » Komunikimi në një proces demokratikElementi më i rëndësishëm i komunikimit në një kontekst demokratik është transparenca, veçanërisht në komunikimin formal. Demokracia moderne kërkon të dyja: llogaridhënien dhe transparencën. Prandaj, proceset e komunikimit që përjashtojnë vazhdimisht anëtarët ose grupet e caktuara të komunitetit shkollor janë thjesht jodemokratike.
Nëse jeni duke u përgatitur për një mbledhje të bordit të shkollës, duke shkruar një njoftim për shtyp në lidhje me një ngjarje të shkollës, duke kërkuar një mundësi për të folur me prindërit për një shqetësim ose duke u përpjekur të merrni disa sqarime rreth legjislacionit të miratuar rishtazi, gjithmonë ka mënyra të shumta për të komunikuar me një shumëllojshmëri të audiencave që lidhen me shkollën tuaj. Si drejtor, ju përcaktoni se sa transparencë në komunikimin tuaj institucional është adekuate dhe nëse ajo mbështet një qasje pjesëmarrëse në shkollën tuaj, apo nëse forcon fuqinë e disa vetave.
Në këtë seksion ju do të informoheni për disa mënyra themelore për t’iu qasur aftësive të komunikimit me komunitetin e shkollës, duke pasur gjithmonë parasysh se shkolla juaj është një mikroshoqëri.
Rëndësia e komunikimit me komunitetin e shkollës dhe palët e interesit
Me komunikim, në këtë kontekst, po i referohemi nevojës për të dërguar mesazhe dhe informacione për audiencat specifike. Prandaj, si drejtor i shkollës duhet të konsideroni me kujdes si “ndërtimin” e duhur të mesazheve tuaja, ashtu edhe audiencat specifike të synuara dhe kanalet e komunikimit që do t’i përdorni. Është e rëndësishme të kuptohet se ekzistojnë lloje të ndryshme të mesazheve, që iu drejtohen llojeve të ndryshme të audiencës, përmes llojeve të ndryshme të kanaleve të komunikimit.
Për shembull, në rastin kur dëshironi t’i dërgoni stafit tuaj një sinjal joverbal që një ngjarje e veçantë do të zhvillohet, ju do të riorganizoni klasën. Në rastin tjetër, ju do të shkruani një komunikatë për shtyp për të njoftuar publikun për një arritje të rëndësishme të nxënësve.
Kështu, komunikimi verbal, joverbal dhe me shkrim përdoret për t’i përcjellur mesazhet. Sidoqoftë, nevoja për të formuluar një mesazh të qartë dhe koherent, të cilin të gjitha audiencat mund ta kuptojnë dhe ta dekodojnë, duhet të jetë gjithmonë prioriteti juaj kryesor.
Zhvillimi i shkathtësive të komunikimit është shumë i rëndësishëm në arsim. Drejtorët, edukatorët dhe administratorët komunikojnë vazhdimisht me nxënës, prindër, bashkëpunëtorë, institucione, sindikata, shoqata, udhëheqës të komunitetit dhe palë tjera të interesit. Ndërsa është me rëndësi jetike të përqendrohemi në problemet e përditshme administrative, në zhvillimin e kurrikulave, në vlerësimet ose në sigurinë e nxënësve, shkollat mund të përfitojnë gjithashtu duke u fokusuar në atë se sa mirë komunikojnë drejtorët dhe edukatorët e tyre.
Komunikimi është proces i ndërlikuar që nuk ka një përgjigje të vetme, e as përgjigje të thjeshta. Kështu, ndërsa përpiqeni të krijoni procese më efektive të komunikimit brenda mjedisit shkollor, mund të jeni të sigurt se veprimet dhe deklaratat tuaja nuk dëgjohen vetëm nga disa, por po ashtu kuptohen plotësisht nga njerëzit ose institucionet me të cilët ju komunikoni në mënyrë efektive.