Çështjet e diskutueshme në kurrikulë – Krijimi i mundësive për të biseduar

Living Democracy » Principals » ÇËSHTJET E DISKUTUESHME » Çështjet e diskutueshme në kurrikulë » Çështjet e diskutueshme në kurrikulë – Krijimi i mundësive për të biseduar

Ndonëse disa lëndë shkollore janë më të lidhura me polemika sesa të tjerat, në çdo lëndë në kurrikulë ka mundësi që të flisni për çështje të diskutueshme, nëse e dini se ku duhet të kërkoni. Diskutimi i këtyre çështjeve në klasë do të kontribuojë jo vetëm në edukimin demokratik të nxënësve, por edhe në të kuptuarit më të thellë të vetë lëndës.

Megjithatë, mësuesit e lëndëve jo gjithmonë e kuptojnë se këto mundësi ekzistojnë. Prandaj, përdorni këto dy aktivitete për ta ndihmuar stafin tuaj t’i identifikojë disa nga mundësitë.

1. ‘PËRPUTHJA E LËNDËVE’

Formoni grupe të përziera të mësimdhënësve nga lëndë të ndryshme mësimore. Kërkojuni grupeve të mendojnë shembuj të çështjeve që aktualisht janë të diskutueshme në shkollën, komunitetin ose shoqërinë tuaj. Identifikoni ato që tashmë janë të përfshira në kurrikulën e detyrueshme dhe vendosni ato në njërën anë. Kërkojuni grupeve të përqendrohen në çështjet që kanë mbetur dhe t’i vlerësojnë ato sipas rëndësisë së tyre të perceptuar për jetën dhe edukimin e nxënësve tuaj. Grupet pastaj zgjedhin çështjet më të rëndësishme dhe përpiqen të krijojnë lidhje midis tyre dhe lëndëve aktuale në kurrikulën tuaj shkollore. Sistemoni rezultatet nga grupet e ndryshme dhe kërkoni nga drejtuesit e lëndëve ose drejtuesit e aktivave lëndore të marrin në konsideratë se si mund t’i përfshijnë këto çështje në mësimdhënien e lëndëve të tyre.

2. ‘TAKIMET E SHPEJTA NDËRKURRIKULARE’

Organizoni hapësirën me disa tavolina, me nga tri karrige në të dyja anët e secilës tavolinë. Ndani stafin tuaj në grupe me nga gjashtë persona, ku asnjëri grup nuk duhet t’i ketë dy mësues të së njëjtës lëndë. Organizoni secilin grup në tri çifte në tavolinë, me anëtarët e secilit çift që rrinë përballë njëri-tjetrit. Kërkojini secilit çift që të identifikojë një çështje të diskutueshme që ndërlidhet me dy lëndët e tyre. Pas çdo disa minutave, lëvizni me rotacion – shtyni një vend tutje në tavolinë mësuesit dhe përsëritni procesin. Çiftet duhet të marrin shënime për sugjerimet e tyre, për t’i diskutuar më vonë në përmbledhjen me grupin e madh.