Menaxhimi i çështjeve të diskutueshme në klasë – Ide për praktikë
Living Democracy » Principals » ÇËSHTJET E DISKUTUESHME » Trajtimi i çështjeve të diskutueshme në mënyrë të sigurt » Menaxhimi i çështjeve të diskutueshme në klasë – Ide për praktikëMenaxhimi i diskutimit të një çështjeje të diskutueshme në mënyrë të sigurt në klasë kërkon një varg aftësish nga mësuesi. Këtu janë 4 ide për aktivitete trajnuese që do të ndihmojnë në zhvillimin e disa prej këtyre aftësive te stafi tuaj mësimdhënës.
1. Si të merremi me bindjet dhe paragjykimet personale të dikujt
Jepuni mësuesve një përzgjedhje fotografish të fytyrave të njerëzve (të prera nga revistat). Pyetini, “Cili është terroristi?” dhe kërkojuni t’i shpjegojnë proceset e tyre të të menduarit në arritjen e një përgjigjeje. Më pas shpjegojuni se nuk ka përgjigje të saktë. Besimet dhe anshmëritë e shprehura janë të gjitha në kokat e mësuesve. Vazhdoni duke u kërkuar mësimdhënësve që të përpiqen të identifikojnë besimet dhe anshmëritë që mund t’i kenë në lidhje me çështjet specifike të diskutueshme që mund t’i hasin në shkollë.
2. Si t’u përgjigjemi shprehjeve raciste dhe shprehjeve të tjera nënçmuese
Jepni disa skenarë në të cilët nxënësit shfaqin shprehje raciste ose shprehje të tjera nënçmuese. Kërkojuni mësuesve që në grupe t’i mendojnë dhe t’i diskutojnë mënyrat e ndryshme për t’iu përgjigjur këtyre shprehjeve, duke marrë parasysh përparësitë dhe dobësitë e tyre përkatëse. Provoni përgjigjet e tilla të ndryshme, si: “Prej nga e keni marrë këtë ide?”, ose “A e kuptoni se sa lënduese mund të tingëllojë kjo për disa njerëz?” Reflektoni se kur dhe si mund të jetë e përshtatshme t’ua prezantoni nxënësve konceptin “gjuha e urrejtjes”.
3. Si t’i inkurajojnë nxënësit të marrin parasysh këndvështrimet tjera
Mësuesit japin pikëpamjet e tyre mbi një numër çështjesh të diskutueshme. Kërkojuni atyre të zgjedhin njërën, për të cilën ata ndjehen më të sigurt, dhe të përpiqen të argumentojnë në favor të pikëpamjes së kundërt. Jepuni kolegëve një mundësi për të vënë në dyshim veten duke përvetësuar këtë rol. Përmblidhni duke u kërkuar atyre të tregojnë atë që kanë mësuar nga përvoja në lidhje me pikëpamjet e tilla dhe njerëzit që i përkrahin ato. Reflektoni se kur dhe si mund të përdoret ky aktivitet me nxënësit në shkollë.
4. Si të parandalojmë shpërthimin e emocioneve në klasë
Kërkojuni mësuesve që në grupe të provojnë “depersonalizimin” e pyetjeve që mund t’i përdorin kur e lehtësojnë një diskutim në klasë, pra duke bërë pyetje shoqërore dhe jo personale. Për shembull, duke e ndryshuar pyetjen “Çfarë mendoni për punëtorët migrantë?” në “Çfarë mendojnë njerëzit për punëtorët migrantë?” Praktikoni me një sërë shembujsh. Diskutoni ndikimin që ky ndryshim i gjuhës mund ta ketë në diskutimet në shkollë dhe situatat ku mund të jetë i vlefshëm.