Gjithëpërfshirja e shkollës sime të bazuar në të drejtat e njeriut

Living Democracy » Principals » SHKOLLA E BAZUAR NЁ TЁ DREJTAT E NJERIUT » Gjithëpërfshirja e shkollës sime të bazuar në të drejtat e njeriut

Ndërgjegjësimi

Ashtu si edhe drejtuesit e tjerë të shkollave, ju e dini dhe e keni dëgjuar dhe lexuar atë qindra herë: Arsimi është njohur si e drejtë e njeriut në konventa të shumta të rëndësishme ndërkombëtare.

Në veçanti, Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijëve (KDF) u referohet të drejtave të fëmijëve nën 18 vjeç. Ajo njeh arsimimin si një të drejtë ligjore dhe si mundësi të barabartë për çdo fëmijë. Neni 28 i saj garanton arsimin fillor falas e të detyrueshëm për të gjithë, arsimin e mesëm progresivisht falas i cili, në çdo rast, duhet të jetë i disponueshëm për të gjithë, si dhe qasjen në arsim të lartë në varësi të kapacitetit. Ajo përcakton detyrimin e Shtetit për të miratuar masa në lidhje me vijimin e shkollës dhe disiplinën duke mbrojtur dinjitetin e fëmijëve. Ajo inkurajon bashkëpunimin ndërkombëtar sa i përket arsimit, veçanërisht eliminimin e paditurisë dhe analfabetizmit dhe promovon qasjen në njohuri shkencore dhe teknike.

Neni 29 i saj përcakton qëllimet e arsimimit dhe, duke njohur individualitetin e fëmijëve, rekomandon që arsimimi të zhvillohet në drejtim të personalitetit, talenteve dhe aftësive të secilit fëmijë.

Në tërësi, përveç dispozitave në lidhje me qasjen, e drejta për arsim përfshin detyrimet e shteteve për t’u përmbajtur nga diskriminimi në të gjitha nivelet e sistemit arsimor dhe për të vendosur standarde minimale arsimore për të përmirësuar cilësinë e arsimit.

Dhe tani: ju jeni udhëheqësi i shkollës suaj. Ju keni burime të kufizuara dhe ballafaqoheni me rutinat dhe problemet e përditshme që kërkojnë zgjidhje. Për të siguruar funksionimin themelor të shkollës vetvetiu është detyrë e madhe. Për më tepër, ju duhet të mirëmbani një mjedis mikpritës dhe edukues dhe t’i arsimoni të gjithë nxënësit pavarësisht nga specifikat e tyre seksuale, fizike, intelektuale, sociale, emocionale, gjuhësore ose karakteristika tjera individuale. Shkolla juaj duhet të jetë institucion gjithëpërfshirës, i cili është ligj në shumë vende. Çfarë detyre!

Ju jeni përgjegjës për të siguruar që i gjithë personeli i shkollës ta respektojë dhe promovojë diversitetin dhe mundësitë e barabarta për të gjithë. Për më tepër, ju dëshironi që të gjithë ta trajtojnë diversitetin si mundësi dhe jo si pengesë për arsim cilësor.

Por ku qëndroni në këtë aspekt? Cilat janë kujtimet tuaja kur bëhet fjalë për përfshirjen? A e keni përjetuar ndonjëherë personalisht një moment përjashtimi? A keni qenë gjithmonë nxënës, mësues dhe drejtues i suksesshëm i shkollës që ka ngritur ndërgjegjësimin kur të tjerët nuk janë përfshirë? Do të ishte me vlerë ta rishikoni në mënyrë kritike këtë çështje dhe ta vetëvlerësoni situatën, përvojën dhe vlerat tuaja. A do ta nisni një veprim vetëm kur të bini dakord plotësisht të mbështesni të gjithë të përfshirët në ndërmarrjen e këtij veprimi së bashku me ju? Duke vepruar kështu, ju u ofroni të tjerëve përvojë të dorës së parë të përfshirjes dhe dëshmisë se sa intensivisht një shkollë e bazuar në të drejtat e njeriut është e angazhuar në ndryshime praktike, në mënyrë që të gjithë nxënësit të mund të kenë sukses – pavarësisht nga prejardhja ose aftësitë dhe kompetencat e tyre.

Përvoja tregon se këto ndryshime do të jenë në përfitim të të gjithë nxënësve në shkollën tuaj, pasi ato mbështesin mësimdhënien dhe të nxënit cilësor për të gjithë. Për më tepër, nuk janë vetëm nxënësit që përfitojnë – të gjithë të tjerët do të ndihen të përfshirë. Në një mikro-shoqëri gjithëpërfshirëse që përbëhet nga prindërit, mësuesit, stafii shkollës dhe administratorët, këshilli drejtues dhe të gjithë në komunitet do të bashkëpunojnë me shkollën tuaj. A jeni gati për këtë aventurë?

Ç’është e rëndësishme, mësuesit tuaj duhet ta kenë ose ta zhvillojnë një të kuptuar të gjerë të përfshirjes. Nëpër takime, së bashku me specialistët tuaj (pedagogun e shkollës, psikologun ose mësuesit me trajnime shtesë në këtë fushë) duhet të gjeni mënyra për ta mbështetur stafin tuaj mësimdhënës drejt këtij zhvillimi.

Së pari, të gjithë të interesuarit duhet ta kenë të kuptuarit themelor mbi gjithëpërfshirjen. Teksti më poshtë mund të ndihmojë për ta sqaruar konceptin.

Përfshirja në arsim është më shumë sesa mendojnë shumë njerëz!

https://inclusiveeducation.ca/about/what-is-ie/ 18 gusht 2020.

Që nga konceptimi i tij fillestar në fillim të shekullit XX e deri kohët e fundit, “arsimi gjithëpërfshirës” është interpretuar si “të përfshirët e nxënësve me aftësi të kufizuara ose me nevoja të veçanta të të nxënit” në klasat e rregullta. Të shumtë janë ata që ende e kuptojnë termin brenda këtyre linjave.

Sidoqoftë, arsimi gjithëpërfshirës do të thotë që të gjithë nxënësit ta ndjekin dhe të jenë të mirëpritur në shkollat e lagjeve të tyre në klasa të rregullta të përshtatshme për moshën, dhe të mbështeten për të mësuar, për të kontribuar dhe për të marrë pjesë në të gjitha aspektet e jetës shkollore.

Arsimi gjithëpërfshirës ka të bëjë me mënyrën se si ne i zhvillojmë dhe modelojmë shkollat tona dhe programet e aktivitetet tona, në mënyrë që të gjithë nxënësit të mësojnë dhe të marrin pjesë së bashku.

Arsimi gjithëpërfshirës ka të bëjë me sigurimin e qasjes në arsim cilësor për të gjithë nxënësit duke përmbushur në mënyrë efektive nevojat e tyre të ndryshme në një mënyrë që të jetë e përgjegjshme, pranuese, e respektueshme dhe mbështetëse. Nxënësit marrin pjesë në programin arsimor brenda një mjedisi të përbashkët të të mësuarit me mbështetjen për të zvogëluar dhe hequr pengesat që mund të çojnë në përjashtim.

Arsimi gjithëpërfshirës ofrohet në një mjedis të përbashkët të të nxënit, një mjedis arsimor ku nxënësit me prejardhje të ndryshme dhe me aftësi të ndryshme mësojnë së bashku në një mjedis gjithëpërfshirës. Mjediset e përbashkëta të të nxënit përdoren për shumicën e orëve të rregullta të mësimit dhe mund të përfshijnë klasën, bibliotekën, palestrën, hapësirat e teatrit dhe muzikës, restorantin, terrenet sportive dhe bashkësinë lokale. Kështu, një mjedis i përbashkët i të nxënit është vend ku nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale ose nevoja të tjera të veçanta mund të mësojnë së bashku me shokët e tyre, në vend se ndaras nga ta.

Mjediset e përbashkëta të të nxënit që janë të efektshme:

  • I mundësojnë secilit nxënës të marrë pjesë plotësisht në mjedisin e të nxënit që është krijuar për të gjithë nxënësit dhe ndahet me bashkëmoshatarët në mjedis arsimor të zgjedhur.
  • Ofrojnë atmosferë pozitive, promovojnë ndjenjën e përkatësisë dhe sigurojnë përparimin e nxënësve drejt qëllimeve të duhura personale, sociale, emocionale dhe akademike.
  • Janë reaguese ndaj nevojave individuale të të nxënit duke siguruar nivele të mjaftueshme të mbështetjes dhe duke zbatuar praktika dhe parime mësimore me nxënësinnëqendër.
  • Mjedisi i përbashkët i të mësuarit: një mjedis gjithëpërfshirës ku mësimdhënia është hartuar që t’u ofrohet nxënësve me aftësi të ndryshme dhe me grupin e tyre të bashkëmoshatarëve në shkollën komunitare, duke qenë në të njëjtën kohë e përgjegjshme ndaj nevojave të tyre individuale si nxënës, dhe që aplikohet për shumicën e orëve të rregullta të mësimit të nxënësve.

Të siguruarit që secili fëmijë individual të ketë një mundësi të barabartë për përparim arsimor mbetet sfidë në të gjithë botën Qëllimi 4 i zhvillimit të qëndrueshëm (anglisht) mbi arsimin dhe Korniza e veprimit për arsim 2030 (anglisht) theksojnë përfshirjen dhe barazinë si themele për arsimim cilësor.

Për këtë detyrë që ta bëni shkollën tuaj një model për arsimin gjithëpërfshirës, duhet të keni shumë kolegë në të njëjtën varkë që nga fillimi. Që ta kuptoni më mirë situatën e shkollës suaj, me ekipin tuaj, do t’ju duhet të hartoni një plan duke përfshirë sa më shumë palë të interesit në këtë proces.


Përgatitja

Cilët hapa t’i merrni?

  1. Formoni një ekip me të cilin do të punoni gjatë gjithë procesit. Së bashku me ekipin tuaj, filloni duke diskutuar qasjen dhe merrni parasysh listën e treguesve.
    a. Zgjedhni ata tregues që janë të rëndësishëm për shkollën tuaj.
    b. Shtoni ndonjë tregues që mendoni se mungon.
    c. Plotësoni formularin me rreth dhjetë tregues që ju duken të rëndësishëm. Sigurohuni që të zgjedhni disa tregues ku qëndroni mirë dhe disa ku keni nevojë për zhvillim shtesë.
  2. Me ekipin tuaj, përgatitni një plan veprimi dhe një kornizë kohore për vlerësimin e parë, i cili do të jetë pika fillestare për zhvillimin e mëtejshëm. Përfshini në vlerësim:
    a. Nxënësit
    b. Mësuesit
    c. Stafin tjetër të shkollës
    d. Prindërit
    e. Këshillin drejtues të shkollës
    f. Anëtarët e komunitetit me të cilët mund të bashkëpunoni
    g. …
  3. Hartoni një plan veprimi dhe një kornizë kohore. Sigurohuni që ato të përfshijnë
    a. Profilin e shkollës pas vlerësimit të parë
    b. Hapat që duhet ndërmarrë (në 6 muajt e ardhshëm).
    c. Vlerësimin e dytë, për të mësuar për zhvillimet.

25 tregues të mundshëm për shkollën tuaj për ta vlerësuar gjithëpërfshirjen tuaj:
  1. Shkolla ka një deklaratë të misionit dhe/ose vizionit dhe politika rreth arsimit gjithëpërfshirës, arsimit të bazuar në të drejtat e njeriut, përfshirë edhe një politikë kundër diskriminimit.
  2. Mësuesit mund ta kuptojnë dhe shpjegojnë kuptimin e plotë të arsimit gjithëpërfshirës” (përtej nxënësve me paaftësi apo me nevoja të veçanta mësimore).
  3. Të gjithë nxënësit që banojnë brenda zonës gravituese të shkollës e ndjekin shkollën, pos nëse prindërit kanë zgjedhur t’i dërgojnë fëmijët e tyre në një shkollë private apo shkollë tjetër (nëse ka raste të tilla).
  4. Të gjithë nxënësit janë vendosur në klasat (nivelet) e përshtatshme për moshën e tyre.
  5. Shkolla dhe objektet e saj janë fizikisht të arritshme për të gjithë nxënësit.
  6. Shkolla e di se cilat organizata profesionale, paraprofesionistë, grupe avokimi dhe organizata të komunitetit mund të ofrojnë burime për arsimin gjithëpërfshirës prej të cilave do të përfitojnë nxënësit me sfond dhe aftësi të ndryshme.
  7. Shkolla përdor disa lloje të vlerësimeve të nxënësve dhe as nuk i vlerëson nxënësit bazuar në testet e performances, e as nuk bën publike rezultatet e tyre.
  8. Shkolla ka masa të vendosura për të ndihmuar nxënësit me paaftësi dhe/ose nevoja të veçanta, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së tyre dhe sigurimit të mësimit të tyre (p.sh., alfabeti braill, shenjat për të shurdhër, burime shumëgjuhëshe).
  9. Mësuesit vizitojnë shkollat model dhe/ose marrin pjesë në punëtori për zhvillimin e një klase dhe shkolle gjithëpërfshirëse. Kështu, ata marrin rregullisht trajnim të përparuar profesional për të zhvilluar njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet e nevojshme për plotësimin e nevojave të nxënësve të tyre në klasat e zakonshme në mënyrë gjithëpërfshirëse.
  10. Prindërit dhe grupet e komunitetit janë të njohur me arsimin gjithëpërfshirës dhe ofrojnë ide dhe burime për të ndihmuar shkollën që të bëhet më gjithëpërfshirëse.
  11. Shkolla demonstron në mënyra specifike që administratorët dhe mësuesit e saj e kuptojnë rëndësinë e arsimit gjithëpërfshirës (mënyra të tilla përfshijnë mekanizma për garantimin e qasjes në shkollë për të gjithë nxënësit, pavarësisht nga prejardhja ose aftësia e tyre).
  12. Shkolla ka (ose planifikon të krijojë) staf të larmishëm shkollor (i përbërë nga femra dhe meshkuj me prejardhje të ndryshme për sa i përket racës, përkatësisë etnike, aftësisë fizike, fesë, gjuhës, statusit socio-ekonomik, etj.). Në vendet ku mësuesit emërohen në shkolla nga shteti, në bazë të rezultateve të testeve, etj., shkolla përfiton nga elementet e ndryshme që stafi i saj sjell me vete.
  13. Shkolla tregon respekt për nxënësit e të gjitha feve; në shkollë nxënësit kanë mundësi të mësojnë rreth feve dhe sistemeve të ndryshme të besimit, aq sa është e përshtatshme.
  14. Shkolla ka furnizim të qëndrueshëm me ujë të pastër, të pijshëm dhe shërben ose shet ushqim të shëndetshëm, me veti ushqyese dhe me cilësi të lartë, ndërsa akomodon dhe respekton rregullat dietike të feve të ndryshme.
  15. Mësuesit vendosin pritje të mëdha për të gjithë nxënësit, pavarësisht nga prejardhja ose aftësia e tyre, dhe i inkurajojnë ata ta përfundojnë shkollimin.
  16. Mësuesit janë të vetëdijshëm për burimet që janë në dispozicion për të ndihmuar nxënësit me nevoja të veçanta, duke përfshirë nevojat e veçanta mësimore.
  17. Të gjithë nxënësit kanë libra shkollorë dhe materiale mësimore që përputhen me nevojat e tyre mësimore.
  18. Aktivitetet e të nxënit zhvillohen në formate të shumëfishta siç janë individuale, në dyshe, grupe të vogla dhe me tërë klasën, ku sigurohet që grupet e nxënësve të jenë heterogjene.
  19. Nxënësve u jepet mundësia të mësojnë gjuhën e tyre amtare ndërsa ata janë duke zotëruar gjuhën (gjuhët) zyrtare mësimore.
  20. Të gjithë nxënësit kontribuojnë në zhvillimin e udhëzimeve dhe rregullave për klasën dhe shkollën e tyre për të nxitur përfshirjen, mosdiskriminimin dhe për të parandaluar dhunën dhe keqtrajtimin.
  21. Proceset e të nxënit dhe mësimdhënies, si dhe materialet e të nxënit i angazhojnë nxënësit në mënyrë të ekuilibruar dhe jodiskriminuese, pavarësisht prejardhjes ose aftësisë së tyre.
  22. Në materialet mësimore të siguruara nga shkolla, fëmijët me prejardhje dhe aftësi të ndryshme portretizohen pozitivisht. Nxënësit e kuptojnë konceptin e arsimit gjithëpërfshirës dhe mund të identifikojnë paragjykime kulturore, fetare, etnike, gjinore e të tjera në materialet mësimore.
  23. Nxënësit me aftësi të kufizuara fizike kanë mundësi për lojë fizike dhe zhvillim.
  24. Kultura shkollore inkurajon bashkëpunimin dhe punën ekipore midis mësuesve, personelit tjetër të shkollës, nxënësve, prindërve dhe anëtarëve të komunitetit kur është i nevojshëm.
  25. Nxënësit dhe prindërit marrin pjesë në vendimmarrje.

Veprimi

Me ekipin tuaj, zgjedhni 10 tregues prej listës.

Treguesit e përzgjedhur për gjithëpërfshirje Gjendja e këtyre treguesve në shkollën time, prej 1 deri në 10 Hapat që duhen marrë (mbledhur nga ekipet diskutuese)
1.
2.
3.
4.
5.
6.
7.
8.
9.
10.

  1. Bazuar në listën e mësipërme, përgatitni një fletë ose afishe për t’ua dhënë të gjitha palëve të përfshira në procesin e vlerësimit.
  2. Formoni tryeza të rrumbullakëta me palët e ndryshme të interesit (nxënës, mësues, anëtarë të stafit, prindër, anëtarë të këshillit drejtues, etj.). Ata më vonë mund të takohen me rastin e një ngjarjeje të madhe në shkollë, ose takimeve të planifikuara, në varësi të disponueshmërisë së tyre.
  3. Kërkojuni atyre të diskutojnë për vlerësimin dhe komentet e tyre.
  4. Jepuni atyre për detyrë të dalin me propozime për përmirësim.
  5. Mblidhni të gjitha komentet e propozimet në ekipin tuaj.
  6. Përgatitni një plan kryesor të qartë dhe të realizueshëm për 6 -12 muajt e ardhshëm.
  7. Tregojuni planin të gjitha palëve kryesore të përfshira.
  8. Planifikoni periudhën e ardhshme vlerësuese (transparenca vjen e para!).