Efektshmëria e shkollës sime të bazuar në të drejtat e njeriut

Living Democracy » Principals » SHKOLLA E BAZUAR NЁ TЁ DREJTAT E NJERIUT » Efektshmëria e shkollës sime të bazuar në të drejtat e njeriut

Ndërgjegjësimi

Çdo fëmijë ka të drejtën në arsimim. Ky parim themelor u zhvillua më tej në Qëllimin 4 të Agjendës së KB 2030. Ajo që çdo mësues duhet ta dijë dhe të kuptojë është se arsimimi në vetvete nuk është i mjaftueshëm: Nxënësit e të gjitha moshave kanë të drejtën për arsimim cilësor dhe për qasje efektive të të mësuarit.

Kështu, qëllimi kryesor për shkollën tuaj është të garantojë pikërisht këtë: të gjithë nxënësit duhet ta kenë mundësinë të bëhen nxënës të suksesshëm – në nivelin e tyre të arritjeve të mundshme, pavarësisht nga gjinia. Arsimi për të gjithë si e drejtë e njeriut nuk mund të arrihet nëse ju si drejtues shkolle, nuk e pyesni veten se sa efektive është shkolla juaj në mbështetjen e saj sistematike, dhe sa të suksesshëm janë mësuesit tuaj në mbështetjen e nxënësve individualë në praktikën e tyre të përditshme në klasë.

Krijimi i një mjedisi të të nxënit që demonstron dhe promovon një përkufizim të gjerë të cilësisë duhet të jetë në qendër të temës 2 – Efektshmëria e shkollës suaj të bazuar në të drejtat e njeriut. Ka shumë kritere të mundshme për të nxënit efektiv. Në katër rubrikat e mëposhtme, ne propozojmë të merrni në konsideratë katër aspekte të rëndësishme të cilësisë: Cilësia në mjedisin e të nxënit, prirja dhe gatishmëria e nxënësve për të mësuar, proceset dhe përmbajtja e mësimdhënies e të nxënit, dhe rezultatet.

 

Mjediset cilësore të të nxënit përfshijnë:

  • politikat dhe praktikat që ndalojnë diskriminimin e qartë ose të nënkuptuar, ngacmimin, poshtërimin, dhunën, ndëshkimin trupor dhe abuzimin me substanca,
  • objektet me klasa adekuate, furnizimet me ujë të pastër dhe pajisjet sanitare,
  • shërbime që promovojnë sigurinë dhe shëndetin fizik dhe psikosocial.

Nxënësit cilësor janë:

  • të shëndetshëm
  • të ushqyer mirë
  • të gatshëm të mësojnë
  • të përkrahur nga familja e tyre
  • të përkrahur nga komuniteti i tyre

Proceset dhe përmbajtja e mësimdhënies e të nxënit cilësor:

  • me kompetencat e përqendruara në nxënës dhe aftësi për jetë,
  • me qasje në arsim dhe aplikime teknologjike të dizajnuara për të zvogëluar pabarazitë dhe për të promovuar të nxënit cilësor,
  • me kurrikula dhe materiale të duhura për shkrim-lexim dhe matematikë, dhe
  • me njohuritë thelbësore, si dhe aftësitë dhe kompetencat për jetën.

Rezultatet cilësore:

  • rezultatet e përcaktuara të të nxënit (njohuritë, qëndrimet dhe aftësitë),
  • mënyrat e përshtatshme për vlerësimin e tyre në klasë, shkollë dhe nivel kombëtar.

Përgatitja

Cilët hapa t’i merrni?

  1. Formoni një ekip me të cilin do të punoni gjatë gjithë procesit. Së bashku me ekipin tuaj, filloni duke diskutuar qasjen dhe merrni parasysh listën e treguesve.
    a. Zgjedhni ata tregues që janë të rëndësishëm për shkollën tuaj.
    b. Shtoni ndonjë tregues që mendoni se mungon.
    c. Plotësoni formularin me rreth dhjetë tregues që ju duken të rëndësishëm. Sigurohuni që të zgjedhni disa tregues ku qëndroni mirë dhe disa ku keni nevojë për zhvillim shtesë.
  2. Me ekipin tuaj, përgatitni një plan veprimi dhe një kornizë kohore për vlerësimin e parë, i cili do të jetë pika fillestare për zhvillimin e mëtejshëm. Përfshini në vlerësim:
    a. Nxënësit
    b. Mësuesit
    c. Stafin tjetër të shkollës
    d. Prindërit
    e. Këshillin drejtues të shkollës
    f. Anëtarët e komunitetit me të cilët mund të bashkëpunoni
    g. …
  3. Hartoni një plan veprimi dhe një kornizë kohore. Sigurohuni që ato të përfshijnë
    a. Profilin e shkollës pas vlerësimit të parë
    b. Hapat që duhet ndërmarrë (në 6 muajt e ardhshëm).
    c. Vlerësimin e dytë, për të mësuar për zhvillimet.

28 tregues të mundshëm për shkollën tuaj për ta vlerësuar efektshmërinë tuaj:
  1. Shkolla ka një deklaratë të misionit dhe/ose vizionit që është e dukshme dhe u është shpjeguar në mënyrë adekuate të gjithë stafit të shkollës, nxënësve, prindërve dhe anëtarëve të komunitetit.
  2. Shkolla ka hartuar, i monitoron dhe i vë në zbatim politikat kundër çdo forme diskriminimi që ka të bëjë me regjistrimin dhe mësimdhënien.
  3. Shkolla ka hartuar, i monitoron dhe i vë në zbatim politikat kundër dënimit trupor dhe çfarëdo forme tjetër të dhunës.
  4. Shkolla ka hartuar, i monitoron dhe i vë në zbatim politikat për higjienën e duhur për mësuesit, stafin dhe nxënësit.
  5. Drejtori i shkollës siguron drejtim strategjik dhe udhëheqje efektive sipas një plani të shkruar të mbikëqyrjes.
  6. Shkolla koordinon me qendrat lokale parashkollore për të siguruar vazhdimin pa ndërprerje të zhvillimit në fëmijërinë e hershme.
  7. Ekzistojnë banka, karrige dhe pajisje klase të përshtatshme për të përmbushur nevojat dhe aftësitë e të gjithë nxënësve.
  8. Terreni i shkollës siguron hapësirë të mjaftueshme për nxënësit që të luajnë në mënyrë të sigurt dhe, nëse është e mundur, në mënyrë kreative.
  9. Ndërtesat dhe hapësirat shkollore janë të pastra, të sigurta dhe mirëmbahen rregullisht.
  10. Klasat janë të rregullta dhe kanë ndriçim, ventilim, ngrohje dhe ftohje të përshtatshme.
  11. Një numër i mjaftueshëm i tualeteve të pastra dhe të ndara për femra dhe meshkuj janë në dispozicion për t’u përdorur nga vajzat dhe djemtë, si dhe nga femra dhe meshkuj që janë personel i shkollës.
  12. Të gjithë nxënësit kanë qasje të gatshme në ujë të pijshëm të pastër.
  13. Është siguruar dhe mirëmbahet një sistem adekuat i hedhjes së mbeturinave.
  14. Programi mësimor dhe puna në klasë mbështesin në mënyrë kuptimplote dhe praktike nevojat mësimore të secilit nxënës. Nëse jo, këshillohen përshtatjet përkatëse të kurrikulës sa më shumë që të jetë e mundur.
  15. Mësuesit janë të gatshëm dhe të aftë që të merren me çështje të diskutueshme (të cilat mund të dalin nga përmbajtja e materialeve arsimore, teksteve shkollore dhe burimeve të të nxënit), dhe janë të përgatitur për të inkurajuar të menduarit dhe të kuptuarit kritik.
  16. Mësuesit rregullisht i përgatisin planet mësimore dhe i rishikojnë ato sipas nevojës.
  17. Kur është e nevojshme, mësuesit i mbështesin nxënësit në përvetësimin e gjuhës zyrtare të mësimit, derisa respektojnë dhe mbështesin mësimin e gjuhës amtare të fëmijëve, sa më shumë që është e mundur.
  18. Mësuesit marrin trajnimin e duhur në qasjet mësimdhënies së përqendruar në nxënësin për të siguruar që nxënësit marrin pjesë aktive në të nxënit e tyre, respektohen dallimet individuale dhe promovohet mirëqenia e nxënësve. Mësuesit përdorin metoda të mësimdhënies që i përshtaten moshës, aftësive dhe stileve të të nxënit të secilit nxënës.
  19. Mësuesit vlerësojnë rregullisht performancën e nxënëve të tyre, duke përdorur lloje të ndryshme të vlerësimit, me qëllim që të ofrojnë informacion kthyes dhe udhëzime për t’i ndihmuar nxënësit të përmirësohen.
  20. Të gjithë nxënësit inkurajohen të punojnë së bashku në grupe fleksibile dhe heterogjene për të zgjidhur problemet, për të bërë projekte dhe për të arritur qëllimet e tyre të të nxënit.
  21. Të gjithë nxënësit inkurajohen të shprehin pikëpamjet dhe ndjenjat e tyre përmes artit (muzikës, vizatimit, dramës, fotografisë, etj.).
  22. Të nxënit në klasë është i ndryshueshëm, dinamik dhe aktiv, dhe ndodh në mjedis ku ka rregull dhe stabilitet.
  23. Çdo klasë ka “kënd të nxënësve” me materiale mësimore plotësuese dhe rekreative, si dhe shfaqje të punës së nxënësve.
  24. Shkolla ndërmerr hapa pozitivë për të shprehur mirënjohjen për mësuesit, duke ngritur ata në detyrë, kur kjo është e mundur, apo duke e bërë publik lajmin.
  25. Mësuesit mbështesin grupet e tyre duke shkëmbyer njohuri rreth teknikave efektive të mësimdhënies dhe përvoja profesionale.
  26. Mësuesve u ofrohen mundësi për zhvillim profesional, si dhe për inovacion (p.sh. përmes të nxënit të bazuar në projekte ose teknikave të reflektimit individual e ndërmjet kolegëve).
  27. Mësuesit kanë sallën e tyre dhe/ose hapësirën e punës.
  28. Komuniteti është i mobilizuar për të mbështetur mësuesit dhe mësimdhënien e tyre.

Veprimi

Me ekipin tuaj, zgjedhni 10 tregues prej listës.

Treguesit e përzgjedhur për efektshmëri Gjendja e këtyre treguesve në shkollën time, prej 1 deri në 10 Hapat që duhen marrë (mbledhur nga ekipet diskutuese)
1.
2.
3.
4.
5.
6.
7.
8.
9.
10.

 

 

  1. Bazuar në listën e mësipërme, përgatitni një fletë ose afishe për t’ua dhënë të gjitha palëve të përfshira në procesin e vlerësimit.
  2. Formoni tryeza të rrumbullakëta me palët e ndryshme të interesit (nxënës, mësues, anëtarë të stafit, prindër, anëtarë të këshillit drejtues, etj.). Ata më vonë mund të takohen me rastin e një ngjarjeje të madhe në shkollë, ose takimeve të planifikuara, në varësi të disponueshmërisë së tyre.
  3. Kërkojuni atyre të diskutojnë për vlerësimin dhe komentet e tyre.
  4. Jepuni atyre për detyrë të dalin me propozime për përmirësim.
  5. Mblidhni të gjitha komentet e propozimet në ekipin tuaj.
  6. Përgatitni një plan kryesor të qartë dhe të realizueshëm për 6 -12 muajt e ardhshëm.
  7. Tregojuni planin të gjitha palëve kryesore të përfshira.
  8. Planifikoni periudhën e ardhshme vlerësuese (transparenca vjen e para!).