Vlerësimi i politikave të lidhura me shëndetin, sigurinë dhe mbrojtjen në shkollën time të bazuar në të drejtat e njeriut

Living Democracy » Principals » SHKOLLA E BAZUAR NЁ TЁ DREJTAT E NJERIUT » Vlerësimi i politikave të lidhura me shëndetin, sigurinë dhe mbrojtjen në shkollën time të bazuar në të drejtat e njeriut

Ndëgjegjësimi

Mirëqenia fizike, mendore dhe shoqërore janë faktorë kryesorë të ndërlidhur për rezultate të mira të të nxënit. Shëndeti i mirë fizik i nxënësit nxit regjistrimin (veçanërisht te popullata më e pafavorshme në aspektin arsimor), zvogëlon mungesat dhe përsëritjen e klasës dhe i përmirëson arritjet arsimore. Sa i përket shëndetit mendor, ky është më shumë sesa mungesa e sëmundjes mendore. Shëndeti mendor është gjendje e mirëqenies që i lejon njerëzit të ndjekin potencialin e tyre të të nxënit, të përballen me stresin normal dhe të qëndrojnë të lidhur me komunitetin dhe miqtë, gjë që kontribuon në mirëqenien sociale.

Përveç rritjes së mundësive dhe zgjedhjeve të një personi në jetë, promovimi i mirëqenies fizike dhe shëndetit mendor si funksion thelbësor arsimor ndihmon në përgatitjen e nxënësve që:

  • ta drejtojnë me sukses udhëtimin e tyre arsimor,
  • të ndërtojnë qëndrueshmëri ndaj fatkeqësive,
  • të zhvillojnë aftësi proaktive për përballimin e shëndetit të lig fizik dhe mendor.

Për më tepër, u siguron atyre aftësi dhe besim për të kërkuar vetë ndihmë për ndërhyrje të hershme nëse është e nevojshme. (https://www.education.vic.gov.au/school/teachers/health/mentalhealth/Pages/promoting-mental-health.aspx 21 gusht, 2020, anglisht)

Megjithëse përgjegjësia juaj për mirëqenien e përgjithshme të nxënësve ndahet domosdoshmërisht edhe me palët e tjeratëinteresit, shkollat duhet të ofrojnë udhëzime të rëndësishme dhe ndikim pozitiv në shumë fusha përmes praktikës së përditshme:

  1. Politikat e lidhura me shëndetin në shkolla ndihmojnë për të ofruar mjedis të sigurt fizik dhe mjedis pozitiv psikosocial për nxënësit, duke i mbrojtur kështu në mënyrë aktive nga lëndimet dhe dhuna, të tilla si ngucakeqja, abuzimi ose ngacmimi seksual.
  2. Ofrimi i ujit të pijshëm të sigurt dhe pajisjeve higjieno-sanitare si hapa të parë në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm shkollor përforcojnë zakonet dhe sjelljet pozitive të higjienës. Në dritën e krizës pandemike COVID-19, të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është kjo. Shkolla juaj gjithashtu do të përpiqet të sigurojë pajisje/objekte të veçanta higjienike dhe privatësi për vajzat si një faktor i rëndësishëm kontribues në uljen e mungesave gjatë dhe para periudhës së menstruacioneve.
  3. Edukimi shëndetësor i bazuar në aftësi që përqendrohet në zhvillimin e njohurive, qëndrimeve, vlerave dhe aftësive përkatëse për jetën, që janë të nevojshme për të marrë vendime të duhura e pozitive, për të vendosur praktika të shëndetshme gjatë gjithë jetës dhe për të zvogëluar cenueshmërinë nga abuzimi me substanca.
  4. Në shkollën tuaj ofrohen orë të përshtatshme të edukimit fizik, të cilat mund të kenë ndikim pozitiv në shëndetin fizik, vetëvlerësimin, funksionin njohës dhe nivelet e stresit dhe ankthit te nxënësit tuaj.
  5. Shërbime shëndetësore dhe ushqimore me bazë në shkollë që janë të arritshme dhe të sigurta dhe që mund të adresojnë probleme që mund të jenë të përhapura dhe të rëndësishme në periudhë afatshkurtër ose afatgjatë.
  6. Shkolla juaj synon ta përmirësojë zhvillimin sociopsikologjik të nxënësve duke ofruar mjedis të sigurt dhe mbështetës të të nxënit, përfshirë situatat që lidhen me kohën e lojës, aktivitetet pas shkollës dhe udhëtimit mes shkollës dhe shtëpisë. Këto mjedise të ndryshme të lidhura me shkollën kanë ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si nxënësit ndihen në lidhje me shkollën dhe në krijimin e atmosferës optimale socio-emocionale në të cilën promovojnë të nxënit efikas dhe efektiv.
  7. Ndëshkimi trupor i nxënësve është i ndaluar në shkollën tuaj. Ndëshkimi trupor në shkolla është i ndaluar në shumë vende evropiane si i papranueshëm dhe i dëmshëm për shëndetin mendor dhe arsimin efektiv. Ndëshkimi trupor shuan sjelljen e padëshirueshme vetëm për një periudhë të shkurtër kohe, ndërsa krijon atmosferë frike ose turpi. Ajo gjendje shoqërohet gjithashtu me nivele të larta të problemeve të shëndetit mendor, përfshirë abuzimin me substanca më vonë si i rritur. Ka prova në rritje që disiplina mësohet nga inkurajimi, si dhe nga pasojat që janë të drejta, të vendosura dhe të komunikuara qartë.

Përgatitja

 

Cilët hapa t’i merrni?

  1. Formoni një ekip me të cilin do të punoni gjatë gjithë procesit. Së bashku me ekipin tuaj, filloni duke diskutuar qasjen dhe merrni parasysh listën e treguesve.
    a. Zgjedhni ata tregues që janë të rëndësishëm për shkollën tuaj.
    b. Shtoni ndonjë tregues që mendoni se mungon.
    c. Plotësoni formularin me rreth dhjetë tregues që ju duken të rëndësishëm. Sigurohuni që të zgjedhni disa tregues ku qëndroni mirë dhe disa ku keni nevojë për zhvillim shtesë.
  2. Me ekipin tuaj, përgatitni një plan veprimi dhe një kornizë kohore për vlerësimin e parë, i cili do të jetë pika fillestare për zhvillimin e mëtejshëm. Përfshini në vlerësim:
    a. Nxënësit
    b. Mësuesit
    c. Stafin tjetër të shkollës
    d. Prindërit
    e. Këshillin drejtues të shkollës
    f. Anëtarët e komunitetit me të cilët mund të bashkëpunoni
    g. …
  3. Hartoni një plan veprimi dhe një kornizë kohore. Sigurohuni që ato të përfshijnë
    a. Profilin e shkollës pas vlerësimit të parë
    b. Hapat që duhet ndërmarrë (në 6 muajt e ardhshëm).
    c. Vlerësimin e dytë, për të mësuar për zhvillimet.

.

20 tregues të mundshëm për shkollën tuaj për ta vlerësuar shëndetin, sigurinë dhe mbrojtjen në shkollën tuaj:
  1. Ndërtesat dhe objektet shkollore janë të pastra, të sigurta dhe mirëmbahen rregullisht.
  2. Uji i pijshëm, i pastër dhe i sigurt është i disponueshëm për të gjithë nxënësit dhe stafin e shkollës.
  3. Shërbimet e ushqimit shkollor (nëse ekzistojnë) sigurojnë ushqim të sigurt dhe veti të mira ushqyese dhe janë në përputhje me të gjitha rregullat e higjienës.
  4. Shkolla ka dhe zbaton politika për të siguruar mjedis të sigurt fizik me mbrojtje nga rreziqet fizike dhe kimike që mund të kërcënojnë sigurinë dhe shëndetin e nxënësve dhe stafit të shkollës.
  5. Shkolla ka dhe zbaton politika për të trajnuar dhe ka mësues të kualifikuar për të administruar ndërhyrje të thjeshta shëndetësore në bashkëpunim me punonjësit shëndetësorë dhe përfshirjen e komunitetit lokal.
  6. Shkolla ka dhe zbaton politika, programe dhe procedura të dizajnuara për të identifikuar, parandaluar dhe reaguar ndaj ngacmimit mes bashkëmoshatarëve, ngacmimit, dhunës, abuzimit të fëmijëve dhe lënies pas dore që kuptohen dhe dihen nga të gjithë anëtarët e komunitetit shkollor.
  7. Shkolla ka dhe zbaton edukim shëndetësor të bazuar në aftësi, duke përfshirë parandalimin e sjelljes së rrezikshme në drejtim të abuzimit me substanca dhe HIV/AIDS-it.
  8. Shkolla ka politika që lejojnë vajzat shtatzëna të mbeten të regjistruara, si dhe inkurajon ato të kthehen në shkollë pas lindjes.
  9. Shkolla ka dhe zbaton politika që ndalojnë ndëshkimin trupor dhe promovojnë dënimin jo të dhunshëm si procedurë e pranueshme disiplinore.
  10. Shkolla ka politika dhe procedura për të ndihmuar mësuesit të merren në mënyrë të duhur dhe të vazhdueshme me agresionin dhe dhunën.
  11. Mësuesit nuk mbështeten në ndëshkime fizike ose emocionale, ose sjellje të tjera agresive për të disiplinuar nxënësit.
  12. Rregullat e disiplinës shkollore janë praktike dhe të qarta për të gjithë.
  13. Shkolla ka kod të sjelljes që përcakton se si pritet të sillen nxënësit.
  14. Shkolla ka dhe zbaton politika të pranueshme për përdorimin e sigurt të internetit, medieve sociale dhe teknologjisë së informacionit e komunikimit.
  15. Nxënësit dhe mësuesit ndihen të sigurt në shkollë.
  16. Personeli i shkollës inkurajon nxënësit të kujdesen për njëri-tjetrin.
  17. Nxënësit janë të bindur se do të marrin ndihmë dhe mbështetje kur u nevojitet.
  18. Shkolla integron edukimin shëndetësor të bazuar në aftësi [për jetën] në kurrikulën e saj. Nxënësit mësojnë lëndë dhe aftësi që mund të jenë të dobishme në jetën reale në lokalitetin e tyre.
  19. Programet e aftësive mbi jetën janë përshtatur për të përmbushur normat socio-kulturore, vlerat dhe besimet fetare lokale.
  20. Prindërit kanë mundësi për të diskutuar mbi politikat dhe kodet e sjelljes së shkollës, dhe ata janë të ftuar të kontribuojnë në procesin e vendimmarrjes në shkollë.

Veprimi

Si ekip, zgjedhni 10 tregues prej listës.

Treguesit e përzgjedhur për
shëndet, siguri dhe mbrojtje
Gjendja e këtyre treguesve në shkollën time, prej 1 deri në 10 Hapat që duhen marrë (mbledhur nga ekipet diskutuese)
1.
2.
3.
4.
5.
6.
7.
8.
9.
10.

 

  1. Bazuar në listën e mësipërme, përgatitni një fletë ose afishe për t’ua dhënë të gjitha palëve të përfshira në procesin e vlerësimit.
  2. Formoni tryeza të rrumbullakëta me palët e ndryshme të interesit (nxënës, mësues, anëtarë të stafit, prindër, anëtarë të këshillit drejtues, etj.). Ata më vonë mund të takohen me rastin e një ngjarjeje të madhe në shkollë, ose takimeve të planifikuara, në varësi të disponueshmërisë së tyre.
  3. Kërkojuni atyre të diskutojnë për vlerësimin dhe komentet e tyre.
  4. Jepuni atyre për detyrë të dalin me propozime për përmirësim.
  5. Mblidhni të gjitha komentet e propozimet në ekipin tuaj.
  6. Përgatitni një plan kryesor të qartë dhe të realizueshëm për 6 -12 muajt e ardhshëm.
  7. Tregojuni planin të gjitha palëve kryesore të përfshira.
  8. Planifikoni periudhën e ardhshme vlerësuese (transparenca vjen e para!).