Vlerësimi i përfshirjes së familjes, komunitetit dhe nxënësve në zhvillimin e shkollës së bazuar në të drejtat e njeriut

Living Democracy » Principals » SHKOLLA E BAZUAR NЁ TЁ DREJTAT E NJERIUT » Vlerësimi i përfshirjes së familjes, komunitetit dhe nxënësve në zhvillimin e shkollës së bazuar në të drejtat e njeriut

Ndërgjegjësimi

Zbatimi i parimeve të të drejtave të njeriut është detyrë që angazhon domosdoshmërisht qeveritë, siç përcaktohet në të gjitha konventat themelore të të drejtave të njeriut, përfshirë ato në lidhje me arsimin. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë, shoqëritë demokratike e pranojnë aftësinë e kufizuar të qeverive për të zbatuar standardet dhe parimet e të drejtave të njeriut nëse të gjithë njerëzit nuk janë të përfshirë në mënyrë aktive dhe nuk i përkrahin ato. Që të drejtat e njeriut të bëhen realitet, ato duhet të përkrahen dhe të respektohen nga të gjithë, përfshirë familjet, shkollat dhe institucionet e tjera që ofrojnë shërbime për nxënësit, ashtu si edhe komunitetet dhe të gjitha nivelet e administratës.

Veçanërisht këtu do të duhet ta kuptoni se sa ngushtë janë të lidhura Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa për të Drejtat e Fëmijëve (KDF) (shih një histori të shkurtër më poshtë). KDF gjithashtu thekson rëndësinë kryesore të prindërve dhe familjeve në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Sidoqoftë, ekziston një perceptim i gabuar që KDF ua merr përgjegjësinë për fëmijët prindërve dhe kujdestarëve të tjerë ligjorë për të kaluar më shumë autoritet në këtë fushë tek qeveritë.

Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë. Në disa nene, Konventa i referohet qartë rëndësisë së prindërve dhe familjeve, duke ngarkuar kështu qeveritë për të mbrojtur dhe ndihmuar familjet në përmbushjen e rolit të tyre thelbësor si kujdestarë të fëmijëve të tyre. Ajo u bën thirrje qeverive të respektojnë përgjegjësitë e prindërve, kujdestarëve ligjorë dhe kujdestarëve të tjerë për ofrimin e udhëzimeve të përshtatshme.

 1945

Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë kombe në botë ranë dakord të formonin një bashkësi – duke themeluar kështu Kombet e Bashkuara (KB).

Së bashku ato donin të mbështesnin paqen dhe lirinë në botë.

10 dhjetor 1948

Në këtë ditë, Kombet e Bashkuara a miratuan Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Këto të drejta themelore të të gjitha qenieve njerëzore në botë u kuptuan si të aplikueshme edhe për fëmijët.

Duke parë gjendjen e vështirë të shumë fëmijëve, ky kuptim u ripërcaktua për t’u dhënë fëmijëve status dhe mbrojtje të veçantë.

1950

Një draft i parë i propozuar i deklaratës së të drejtave të fëmijëve u diskutua më pas nga vendet anëtare të KB për disa vjet.

20 nëntor 1959

Në këtë ditë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve e cila përcakton të drejtat e fëmijëve si e drejta për mbrojtje, arsimim, kujdes shëndetësor, strehim dhe ushqim të mirë.

Edhe pse një deklaratë e tillë ishte jo e detyrueshme për të gjitha vendet anëtare, ajo shënoi marrëveshjen e parë të madhe ndërkombëtare dhe pajtimin mbi parimet themelore të të drejtave të fëmijëve.

1979

Në të gjithë botën, ky vit u festua si Viti i Fëmijës. Të drejtat e fëmijëve u kujtuan dhe u diskutuan kudo. Për të mirën e fëmijëve, gjithnjë e më shumë njerëz dëshironin që këto të drejta të përpunohen në mënyrë më të detajuar dhe, më e rëndësishmja, të bëhen më të detyrueshme ligjërisht.

20 nëntor 1989

Në këtë ditë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi unanimisht Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës.

Që atëherë, qeveritë e pothuajse të gjitha kombeve në botë e kanë nënshkruar Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës.

Konventa gjithashtu mbështet fuqimisht pjesëmarrjen e nxënësve dhe mbështetjen e të drejtavetë tyre për pjesëmarrje, përkatësisht: të drejtën për marrje të informacionit, të drejtën e shprehjes, të drejtën e përfshirjes në vendimmarrje dhe të drejtën e asociimit. Për të promovuar të drejtën e pjesëmarrjes në kontekstin shkollor, është e nevojshme të sigurohet një mjedis i përshtatshëm brenda institucionit arsimor, familjes, komunitetit dhe shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kontekst, çështje të tilla si përfshirja, gjuha, ndëshkimi jotrupor, mjedisi i sigurt dhe barazia gjinore luajnë rol thelbësor.

Kështu, vlerësimi i plotësisë së qasjes së një shkolle për përfshirjen e pjesëmarrjes së nxënësve, familjes dhe komunitetit kërkon që të shqyrtohen tri fusha kryesore të performancës, përkatësisht:

  1. Mekanizmat që nxënësit të shprehin pikëpamjet e tyre në lidhje me punën në shkollë, jetën shkollore dhe pjesëmarrjen në organizimin e shkollës,
  2. Mekanizmat për ndërtimin e partneritetit shkollë-familje për menaxhimin dhe udhëheqjen e shkollës, zhvillimin dhe mbrojtjen e nxënësve, dhe
  3. Mekanizmat për ndërtimin e partneriteteve shkollë-komunitet për menaxhimin dhe mbështetjen e shkollës, mbrojtjen e nxënësve dhe përmirësimin e komunitetit.

Përgatitja

Cilët hapa t’i merrni?

  1. Formoni një ekip me të cilin do të punoni gjatë gjithë procesit. Me ekipin tuaj, filloni duke diskutuar së bashku për qasjen e përgjithshme dhe rishikoni listën e treguesve.
    a. Zgjedhni ata tregues që i konsideroni të rëndësishëm për shkollën tuaj.
    b. Shtoni ndonjë tregues që ndieni se po mungon.
    c. Plotësoni formularin me rreth dhjetë tregues që ju duken të rëndësishëm. Sigurohuni që të zgjedhni disa tregues ku ju qëndroni mirë dhe disa ku keni nevojë për zhvillim shtesë.
  2. Me ekipin tuaj, përgatitni një plan ekipor të veprimit dhe një kornizë kohore për vlerësimin e parë, i cili do të jetë pika fillestare për zhvillimin e mëtejshëm. Përfshini në vlerësim:
    a. Nxënësit
    b. Mësuesit
    c. Stafin tjetër të shkollës
    d. Prindërit
    e. Këshillin drejtues të shkollës
    f. Anëtarët e komunitetit me të cilët mund të bashkëpunoni
    g. …
  3. Hartoni një plan veprimi dhe një kornizë kohore. Sigurohuni që ato të përfshijnë:
    a. Profilin e shkollës pas vlerësimit të parë
    b. Hapat që duhet ndërmarrë (në 6 muajt e ardhshëm)
    c. Vlerësimin e dytë, për të mësuar për zhvillimet.

18 tregues të mundshëm për shkollën tuaj për ta vlerësuar nivelin e përfshirjes së palëve të ndryshme në shkollën tuaj:
  1. Shkolla promovon ndërveprimin midis nxënësve në një mënyrë që përputhet me metodat demokratike (me fjalë të tjera, respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin, të menduarit dhe të kuptuarit kritik në zgjidhjen e problemeve).
  2. Shkolla siguron dhe mirëpret mundësitë që nxënësit të shprehin pikëpamjet e tyre në lidhje me aktivitetet dhe jetën në shkollë.
  3. Shkolla ka mekanizma të tilla si buletini i shkollës, tabelë lajmërimi për nxënës, kuti opinionesh, ose mjete sondazhi, për t’u dhënë nxënësve mundësinë të shprehin pikëpamjet dhe shqetësimet e tyre në lidhje me çështje të rëndësishme të shkollës dhe komunitetit.
  4. Shkolla i përfshin nxënësit në takime dhe sesione planifikimi që kanë të bëjnë me mirëqenien e tyre.
  5. Shkolla e ka këshillin e nxënësve që punon aktivisht.
  6. Të gjithë nxënësve u jepet mundësi e barabartë për të marrë pjesë në menaxhimin dhe udhëheqjen e klubeve, ekipeve dhe shoqatave shkollore.
  7. Shkolla ka shoqatën prindër-mësues që mblidhet rregullisht dhe ka një plan veprimi të shkruar.
  8. Shkolla ofron procese të kuptueshme, të arritshme dhe të reklamuara mirë për të ndikuar në vendimet, për të ngritur çështje ose shqetësime, për të tërhequr vendimet dhe për të zgjidhur problemet.
  9. Shkolla shpërndan informacion në lidhje me reformat, politikat, procedurat disiplinore, mjetet e vlerësimit dhe qëllimet e shkollës.
  10. Shkolla rregullisht u dërgon prindërve dhe anëtarëve të këshillit të shkollës lajme mbi aktivitetet e shkollës.
  11. Prindërit ndihen të mirëpritur të bëjnë pyetje ose të diskutojnë çështje në lidhje me fëmijën/fëmijët e tyre në shkollë.
  12. Prindërit inkurajohen dhe ndihmohen nga shkolla për të ndihmuar fëmijët e tyre t’i përforcojnë të nxënit e tyre në shtëpi kur kjo shihet si e nevojshme.
  13. Shkollat komunikojnë me prindërit për sjelljen pozitive të nxënësve dhe arritjet e tyre, e jo vetëm në lidhje me incidentet e sjelljes së keqe ose dështimet.
  14. Prindërit informojnë shkollën për çdo ndryshim të madh në jetën familjare të fëmijës së tyre në mënyrë që të sigurohet ndihma e duhur, nëse është e nevojshme.
  15. Shkolla ka lidhje me drejtuesit e komunitetit dhe palët e tjera të interesuara, reagon ndaj nevojave të komunitetit dhe ofron mundësi për shkëmbimin e ideve me anëtarët e komunitetit në përpjekje për të rritur qasjen dhe mirëqenien e të gjithë nxënësve në shkollë, pavarësisht nga prejardhja ose aftësia e tyre.
  16. Komuniteti e ndihmon shkollën për t’i kontaktuar të gjithë nxënësit që nuk e vijojnë shkollën.
  17. Anëtarët e komunitetit (femra e meshkuj) me njohuri ose aftësi të specializuara ftohen dhe mirëpriten në klasa si persona burimorë.
  18. Shkolla zhvillon partneritete me bizneset lokale, grupet e shoqërisë civile dhe OJQ-të për të avancuar arritjet e nxënëve dhe për të ndihmuar familjet.

Veprimi

Zgjedhni në ekipin tuaj 10 tregues prej listës.

Treguesit e përzgjedhur për
përfshirje
Gjendja e këtyre treguesve në shkollën time, prej 1 deri në 10 Hapat që duhen marrë (mbledhur nga ekipet diskutuese)
1.
2.
3.
4.
5.
6.
7.
8.
9.
10.
  1. Bazuar në listën e mësipërme, përgatitni një fletë ose afishe për t’ua dhënë të gjitha palëve të përfshira në procesin e vlerësimit.
  2. Formoni tryeza të rrumbullakëta me palët e ndryshme të interesit (nxënës, mësues, anëtarë të stafit, prindër, anëtarë të këshillit drejtues, etj.). Ata më vonë mund të takohen me rastin e një ngjarjeje të madhe në shkollë, ose takimeve të planifikuara, në varësi të disponueshmërisë së tyre.
  3. Kërkojuni atyre të diskutojnë për vlerësimin dhe komentet e tyre.
  4. Jepuni atyre për detyrë të dalin me propozime për përmirësim.
  5. Mblidhni të gjitha komentet e propozimet në ekipin tuaj.
  6. Përgatitni një plan kryesor të qartë dhe të realizueshëm për 6 -12 muajt e ardhshëm.
  7. Tregojuni planin të gjitha palëve kryesore të përfshira.
  8. Planifikoni periudhën e ardhshme vlerësuese (transparenca vjen e para!)