UDHËHEQJA

Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA

Zhvillimet në arsim pasqyrojnë sfidat në shoqëri sot, siç janë përfshirja, integrimi i imigrantëve, edukimi për demokraci dhe të drejtat e njeriut, përballimi i konkurrencës globale dhe implementimi i reformës arsimore.

Modeli tradicional i rolit paternalist të një drejtori të shkollës është bërë i vjetruar. Si një luftëtar dhe vendimmarrës i vetëm, një drejtor i shkollës nuk mund t’ia dalë me këto sfida dhe ndryshime. Kompleksiteti dhe dinamika e zhvillimeve shoqërore, ekonomike dhe politike kërkojnë bashkëpunim dhe pjesëmarrje të të gjitha palëve dhe anëtarëve të komunitetit, si në nivel shkolle ashtu edhe në nivel vendi.

Prandaj, suksesi juaj si drejtor shkolle varet nga komuniteti juaj shkollor – gatishmëria e stafit tuaj, nxënësve dhe prindërve për të bashkëpunuar dhe pranuar përgjegjësi. Si drejtor, ju operoni brenda një rrjeti që përfshin komunitetin lokal, mediet, donatorët, autoritetet e shkollës dhe shkollat e tjera, dhe angazhimi juaj, qoftë brenda apo jashtë shkollës, kërkon komunikim dhe bashkëpunim të shkathtë. Askush nuk vë në dyshim pozicionin dhe përgjegjësinë tuaj si drejtues shkolle. Përkundrazi, roli juaj është më i rëndësishëm se kurrë. Tani ju gjithashtu keni për detyrë të delegoni përgjegjësinë, të koordinoni projektet zhvillimore të shkollës, të kërkoni kufijtë dhe mundësitë brenda kuadrit ligjor dhe të veproni si një model i mirë për mësuesit dhe nxënësit tuaj.

Udhëheqja demokratike e shkollës
si një qasje tërëshkollore ju mbështet në rolin dhe përgjegjësinë tuaj të zgjeruar. Udhëheqja demokratike e shkollës u jep mundësi të gjitha palëve të interesit që të ndajnë ekspertizën e tyre dhe të marrin përgjegjësi. Kështu, ndarja e barrës me tjerët është në mbështetjen tuaj si udhëheqës i shkollës. Megjithatë, përgjegjësia e zgjeruar përfshin më shumë pjesëmarrje dhe, në një masë të konsiderueshme, udhëheqja demokratike e shkollës është qeverisje dhe vendimmarrje e përbashkët e shkollës.

Udhëheqja demokratike e shkollës shkon përtej të drejtave dhe përgjegjësive të përcaktuara në kuadrin zyrtar të rregulloreve të shkollës. Elementet e saja “të buta” joformale inkurajojnë një mënyrë të të menduarit, të jetuarit dhe të punuarit së bashku – një kulturë demokratike të shkollës. Shkolla është institucioni i parë ku nxënësit hyjnë në jetën e tyre, dhe një kulturë demokratike brenda këtij institucioni do t’i edukojë ata për qytetarinë demokratike dhe të drejtat e njeriut. Një kulturë demokratike shkollore është kontributi më i vlefshëm që një shkollë mund ta japë për qëndrueshmërinë e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në shoqëri dhe në nivel shteti. Prandaj, udhëheqja demokratike e shkollës u ofron nxënësve tuaj një mundësi unike të të nxënit – të praktikojnë elemente të qytetarisë demokratike që në moshë të re dhe të përjetojnë një përvojë praktike të të nxënit që është e përshtatshme me fazën e tyre të zhvillimit dhe nivelin e të kuptuarit.

Ky material shqyrton udhëheqjen demokratike të shkollës, të ngulitur në një kulturë demokratike shkollore dhe e konceptuar si qasje tërëshkollore, të shtjelluar në katër tema. Tema 1, Stili demokratik i drejtimit të shkollës, përqendrohet në rolin tuaj si drejtues demokratik i shkollës dhe lojtar ekipor. Tema 2 prezanton modelin e Këshillit të Evropës të Kompetencave për kulturën demokratike. Këto kompetenca përfshijnë qëndrime, vlera, aftësi, njohuri dhe të kuptuar që kontribuojnë në një kulturë të tillë të demokracisë. Kjo shtron pyetjen se si këto kompetenca mund të fitohen përmes përvojës praktike. Tema 3 e konsideron udhëheqjen demokratike të shkollës si një qasje tërëshkollore dhe tregon se si funksionon kjo në praktikë. Tema 4, Disiplina përmes përgjegjësisë përqendrohet në çështjen e ndjeshme të disiplinës së nxënësve në shkollë. Argumentohet se inkurajimi i nxënësve për të marrë përgjegjësinë për shkollën e tyre është më premtues sesa përpjekja për të zbatuar disiplinën përmes forcës dhe frikës.

lexo më shumë
lexo më pak