Kompetencat për kulturë demokratike (KKD) – një perspektivë zhvillimore për shkollën dhe shoqërinë
Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Kompetencat për kulturë demokratike » Kompetencat për kulturë demokratike (KKD) – një perspektivë zhvillimore për shkollën dhe shoqërinëInstitucionet demokratike varen nga pëlqimi i qytetarëve dhe mbështetja e tyre. Kuadrot institucionale nuk mund të mbijetojnë nëse njerëzit të cilëve synohet t’u shërbejnë i refuzojnë ose i kundërshtojnë ato ose nuk janë në gjendje të marrin pjesë brenda tyre. Prandaj, një kulturë demokratike është thelbësore për vendet demokratike, dhe shkollat janë vendi ku qytetarët e rinj mund të mësojnë, praktikojnë dhe kuptojnë se për çfarë shërben kultura demokratike.
“Kultura demokratike” është një term i paqartë dhe për këtë arsye është vështirë i manovrueshëm për praktikuesit. Një projekt i iniciuar nga Këshilli i Evropës (2014 – 2017) është përpjekur ta trajtojë këtë problem duke zhvilluar një model të kompetencave për të përshkruar dimensionet e ndryshme të kulturës demokratike dhe për të lokalizuar kompetencat që kontribuojnë në identitetin kulturor demokratik të një personi.
Modeli i kompetencave i Këshillit të Evropës, Kompetencat për kulturën demokratike, përfshin katër dimensione – vlerat, qëndrimet, aftësitë dhe njohuritë dhe të kuptuarit. Shprehja “kompetencë” përcaktohet si “aftësia e një personi për të mobilizuar dhe për të vendosur vlerat, qëndrimet, aftësitë, njohuritë dhe/ose të kuptuarit përkatës për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme dhe efektive kërkesave, sfidave dhe mundësive… në një kontekst të caktuar” (Kompetencat për kulturë demokratike, f. 23).
Modeli i kompetencave për kulturën demokratike u miratua nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, duke autorizuar kështu që ai të përdoret në të gjitha institucionet arsimore në Evropë.
Komuniteti demokratik i shkollës mund ta sigurojë një model të kulturës demokratike. Në këtë kontekst, nxënësit tuaj kanë mundësi t’i përvetësojnë kompetencat e kulturës demokratike përmes përvojës. Ju si drejtues i shkollës dhe mësuesit tuaj jeni modele që u demonstroni nxënësve tuaj strukturat e sjelljes dhe kompetencat që promovojnë, ose i kundërveprojnë kulturës demokratike në shkollën tuaj. Prandaj, është e rëndësishme për ju dhe stafin juaj që të reflektoni rreth mesazheve që i komunikoni përmes sjelljes suaj. Modeli i mësipërm i kompetencave për kulturën demokratike mund të shërbejë si një udhëzues.
Modeli i Këshillit të Evropës i kulturës demokratike përfshin kompetencat në vijim:
Vlerat
- Vlerësimi i dinjitetit njerëzor dhe i të drejtave të njeriut
- Vlerësimi i diversitetit kulturor
- Vlerësimi i demokracisë, drejtësisë, paanësisë, barazisë dhe sundimit të ligjit
Qëndrimet
- Të qenit i hapur ndaj tjetërsisë kulturore dhe besimeve, botëkuptimeve dhe praktikave të tjera
- Respekti
- Mendësia qytetare
- Përgjegjësia
- Efikasiteti vetjak
- Toleranca ndaj paqartësisë
Aftësitë
- Aftësitë e të nxënit në mënyrë të pavarur
- Aftësitë e të menduarit analitik dhe kritik
- Aftësitë e të dëgjuarit dhe të vëzhguarit
- Empatia
- Fleksibiliteti dhe përshtatja
- Aftësitë gjuhësore, komunikuese dhe shumëgjuhësore
- Aftësitë për bashkëpunim
- Aftësitë për zgjidhjen e konfikteve
Njohuritë dhe të kuptuarit kritik
- Njohja dhe të kuptuarit kritik të vetes
- Njohja dhe të kuptuarit kritik të gjuhës dhe komunikimit
- Njohja dhe të kuptuarit kritik të botës
Kjo strukturë e kompetencave për kulturën demokratike shërben si një kuadër i referencës që ne e adresojmë në të gjitha materialet për drejtuesit e shkollave në këtë ueb faqe.