Kuadri për pjesëmarrje dhe vendimmarrje në shkollë
Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Udhëheqja demokratike e shkollës – qasja tërëshkollore » Kuadri për pjesëmarrje dhe vendimmarrje në shkollëNumrat 1-5 u referohen shënimeve më poshtë
Shënime
Para se të fillojë një diskutim mbi çështjet dhe vendimet, duhet të ekzistojnë rregulla për të zgjidhur pyetjen “Kush vendos çfarë?”. Ashtu si një komunitet në nivel kombëtar, një komunitet shkollor ka nevojë për një kuadër formal institucional që u ofron nxënësve, prindërve dhe mësuesve të kenë zërin e tyre, dhe i kushton respektin e duhur përgjegjësisë ligjore të drejtorit të shkollës. (Shih në anglisht Kuadrin e Referencës së të KKD, Vëll. 1, f. 27 e tutje). Në gjithë Evropën, të drejtat e nxënësve, prindërve dhe mësuesve në bashkëvendimmarrje ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Në disa vende, shkollat kanë një liri të caktuar në krijimin e kuadrit të tyre për pjesëmarrje dhe vendimmarrje, ndërsa në vendet e tjera ky kuadër institucional përcaktohet me ligj. (Shih doracakun për mësuesit EQD/EDNJ Vëll. III, Të jetuarit në demokraci, që përfshin një njësi mësimore se si duhet të qeverisen shkollat: http://www.living-democracy.com/sq/textbooks/volume-3/part-4/unit-9/lesson-4/)
Çfarëdo qasje që të pranohet, se si duhet të qeveriset një shkollë duhet të vendoset në mënyrë demokratike:
- Si mund t’u jepet mundësia të gjithë mësuesve, nxënësve dhe prindërve që të marrin pjesë?
- Si mund të organizohet vendimmarrja edhe në mënyrë demokratike edhe efikase?
- Cilat janë përgjegjësitë e stafit?
- Cili është roli dhe përgjegjësia e drejtorit të shkollës?
Diagrami i treguar në faqen e mëparshme bazohet në një kuadër ligjor të miratuar. Është një shembull se si mund të adresohen pyetjet e bëra më lart. Ekzistojnë gjithashtu modele institucionale alternative, por pyetjet të cilave duhet përgjigjur janë të njëjta.
Shënimet e mëposhtme i referohen figurave në diagram.
Niveli i klasës
(Nr. 1) Pjesëmarrja demokratike fillon në nivelin e klasës ku të gjithë nxënësit mund të marrin pjesë. Koha për këshillin e klasës ose asamblenë e klasës mund të përfshihet në orar. Në nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë, nxënësit zgjedhin dy zëdhënës për klasën ose paralelen e tyre. Këta zëdhënës u drejtohen mësuesve për të përfaqësuar interesat e nxënësve, kështu që ata nuk janë asistentë të mësuesve. Në nivelin fillor, fëmijët nuk zgjedhin zëdhënës, por ndjekin këshillin javor të klasës. Të udhëhequr nga mësuesi i tyre, ata mësojnë të shprehin interesat dhe pikëpamjet e tyre dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin.
Niveli i shkollës
(Nr. 2) Në shumicën e vendeve, do të gjeni dispozita në kurrikulë apo legjislacion mbi të drejtën e nxënësve në pjesëmarrje. Në shembullin e treguar këtu, si nxënësit ashtu edhe prindërit zgjedhin përfaqësuesit për të vepruar në emër të tyre në nivel të shkollës. Ky aranzhim është demokratik dhe efikas, pasi pjesëmarrja në qeverisjen e shkollës kërkon kohë dhe ekspertizë. Si drejtor shkolle, ju luani një rol të rëndësishëm në inkurajimin dhe mbështetjen e pjesëmarrjes së nxënësve dhe prindërve në shkollën tuaj. (Shih Qeverisja demokratike e shkollave, botim i KE 2007, f. 40)
Të gjitha klasat përfaqësohen nga zëdhënësit e tyre në parlamentin e nxënësve. Ky organ takohet rregullisht të paktën një herë në muaj. Rendi i ditës përfshin çdo çështje në jetën shkollore nga këndvështrimi i nxënësve, të tilla si cilësia e mësimdhënies dhe të nxënit, vaktet në shkollë, ambientet shkollore, pushimi dhe koha e lirë, ose siguria. Parlamenti i shkollës mund të caktojë një kabinet shkollor me përfaqësues të veçantë ose ministra për të zhvilluar aktivitete me mbështetje minimale nga mësuesit, të tilla si organizimi i diskutimeve me përfaqësuesit e partive ose OJQ-ve, organizimin e një kafeneje të nxënësve, ngjarje vallëzimi në shkollë ose shfaqje filmi. Për një shembull mbresëlënës se çfarë mund të arrijë një parlament i nxënësve, shihni ueb faqen e një shkolle gjithëpërfshirëse në Mbretërinë e Bashkuar, https://pentrehafod.school.
E njëjta strukturë ekziston për prindërit. Ata zgjedhin zëdhënës në nivelin e klasës për të komunikuar me mësuesit në klasën e tyre (nr. 1). Zëdhënësit e prindërve marrin pjesë në këshillin e prindërve në nivel të shkollës (nr 2). Këtu, përfaqësuesit e prindërve ndajnë përvojat dhe pikëpamjet e tyre mbi cilësinë e mësimdhënies, vlerësimin, mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve të tyre dhe çështje të tjera.
(Nr. 3) Parlamenti i nxënësve i zgjedh dy përfaqësues, një udhëheqës dhe një zëvendës (djem apo vajza), si udhëheqës të kabinetit të nxënësve dhe si zëdhënës të nxënësve në nivel të shkollës. Po kështu, këshilli i prindërve zgjedh dy zëdhënës. Këta përfaqësues të lartë për nxënës dhe prindër takohen rregullisht me drejtorin e shkollës.
Është e rëndësishme që drejtori i shkollës të mbetet i informuar në lidhje me disponimin dhe zhvillimet në komunitetin e shkollës që mund të kenë nevojë për vëmendjen e tij. Zëdhënësit e prindërve dhe nxënësve do të përpiqen të fitojnë mbështetjen e drejtorit dhe mësuesve për agjendën e tyre.
(Nr. 4) Është e qartë se mësuesit duhet të takohen rregullisht për t’u marrë me një gamë të gjerë çështjesh në drejtimin e shkollës, zhvillimin dhe përmirësimin e mësimdhënies dhe të nxënit, zbatimin e kurrikulës dhe legjislacionit të ri, dhe shumë të tjera. Mund të pritet që legjislacioni i shkollës të specifikojë detyrat e stafit dhe drejtorit të shkollës dhe të drejtat e tyre për vendimmarrje. Drejtori i shkollës kryeson mbledhjet e stafit, e gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në caktimin e rendit të ditës, sigurimin e informacionit ose sugjerimin e zgjidhjeve. Në një masë të konsiderueshme, udhëheqja demokratike e shkollës varet nga mënyra se si drejtori i shkollës dhe stafi ndajnë përgjegjësinë dhe kompetencat e vendimmarrjes (shih Qeverisja demokratike e shkollave, f. 39).
(Nr. 5) Në shumë vende, këshilli i shkollës ose bordi i shkollës kërkohet me ligj. Në shembullin e treguar këtu, nxënësit, prindërit dhe mësuesit zgjedhin përfaqësues për t’u ulur në këshillin e shkollës. Zëdhënësit kryesorë të nxënësve dhe prindërve i përkasin këshillit sipas funksionit të tyre. Ky organ drejtues i shkollës ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Mund të përfshijë përfaqësues nga komuniteti lokal si shtesë ose në vend të nxënësve. Anëtarët pjesërisht mund të jenë të ftuar në vend se të zgjidhen. Këshilli shkollor mblidhet të paktën dy herë gjatë një viti shkollor. Në shembullin tonë, këshilli i shkollës, i kryesuar nga drejtori i shkollës, vendos për çështje të rëndësishme, si miratimi i rregullave të shkollës, ose kurrikulës së shkollës. Ai gjithashtu mund t’i vlerësojë kandidatët për pozicionin e drejtorit të shkollës ose zëvendësit, dhe ta aprovojë buxhetin e shkollës. Vendimet nga këshilli i shkollës janë të detyrueshme për stafin e shkollës dhe drejtorin. Nëse drejtori i shkollës nuk pajtohet me një vendim, çështja duhet t’i dorëzohet autoritetit të shkollave. Takimet nuk janë të hapura për publikun, dhe rendi i ditës dhe procesverbali janë pjesërisht të fshehtë. Përvoja ka treguar që përfaqësuesit e të tri grupeve nuk kanë prirje të krijojnë blloqe ose ta mbivotojnë njëri-tjetrin dhe se ata udhëhiqen nga përgjegjësia dhe argumenti i shëndoshë.