Parimet kryesore për udhëheqjen demokratike të shkollës si një qasje tërëshkollore
Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Udhëheqja demokratike e shkollës – qasja tërëshkollore » Parimet kryesore për udhëheqjen demokratike të shkollës si një qasje tërëshkolloreBazuar në Kuadri i Referencës së Kompetencave për Kulturë Demokratike, Vëll. 3, f. 97.
1. Respekti për kontekstin lokal dhe mënyrat lokale të punës
Qoftë në shoqëri apo në shkollë, një kulturë e imponuar nga udhëheqësi do të ishte autokratike e jo demokratike. Një kulturë demokratike zhvillohet përmes pjesëmarrjes nga qytetarët, dhe në një mjedis shkollor nga të gjitha palët e interesit që kanë nevojë për inkurajim për të kontribuar me ekspertizën e tyre.
2. Fuqizimi i të gjitha palëve për të zhvilluar zgjidhjet e tyre për sfidat bazuar në një vlerësim të situatës
Nuk ka asnjë zgjidhje të vetme mjeshtërore për sfidat me të cilat përballen individët nëpër institucione dhe vende të ndryshme. Përmes një vlerësimi të situatës aktuale në shkollë, duke përfshirë nevojat dhe kapacitetin e saj, palët kryesore të interesit kuptojnë më mirë sfidat specifike të saj dhe fuqizohen të zhvillojnë veprimet e tyre të posaçme. Si rrjedhojë, te pjesëmarrësit rritet ndjenja e pronësisë dhe motivimi për ndryshim.
3. Inkurajimi i të nxënit duke bërë, përmes pjesëmarrjes së të gjitha palëve të interesit
Kompetencat demokratike zhvillohen më së miri përmes praktikës së përditshme, duke përfshirë vendimmarrjen pjesëmarrëse, ndërveprimet e respektueshme dhe të barabarta, dhe metodat demokratike të mësimdhënies dhe të nxënit. Kjo kërkon një partneritet të përkushtuar të të gjitha palëve – duke filluar nga nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe prindërit, deri tek autoritetet lokale dhe palët tjera të komunitetit. Për më tepër, kjo ilustron rëndësinë jetike të institucioneve arsimore si tërësi, në procesin e të nxënit dhe promovimit të kulturës së demokracisë.
Përmes pjesëmarrjes në shkollë, nxënësit fitojnë aftësitë e nevojshme për qytetarinë demokratike në jetën prej të rriturve. Ky është edhe të nxënit “për” edhe “përmes” demokracisë dhe të drejtave të njeriut në EQD/EDNJ si një qasje tërëshkollore. Shihni: http://living-democracy.com/sq/textbooks/volume-1/part-1/unit-3/chapter-1/
4. Integrimi i ngritjes së kapaciteteve në procesin e planifikimit të shkollës
Ndryshimet në kulturën e shkollës janë më të qëndrueshme kur ato ndërtohen brenda procesit zyrtar të planifikimit të shkollës, siç është krijimi i deklaratës së misionit të shkollës (shihni Materialin e Veprimit 2.1).
5. Mbështetja e projekteve dhe nismave lokale për një kohë të gjatë
Duhet kohë dhe përpjekje për të kapërcyer rezistencën ndaj ndryshimit dhe për të transformuar mënyrat e ndërveprimit dhe praktikat në shkolla. Ndryshimi sistematik nuk mund të arrihet me një përpjekje të njëhershme. Mbështetja afatgjate është thelbësore për rezultate të prekshme dhe ndikim të qëndrueshëm. Ky është parimi për të ndërmarrë hapa të vegjël në vend se të provoni ta bëni një hap të madh. Nevojitet gjithashtu durim, duke u dhënë njerëzve kohë që të përshtaten me ndryshimet demokratike, duke filluar me palët e interesit që janë të përkushtuara dhe të interesuara në udhëheqjen demokratike të shkollës.