Potenciali i pjesëmarrjes së nxënësve të bazuar në projekt

Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Udhëheqja demokratike e shkollës – qasja tërëshkollore » Potenciali i pjesëmarrjes së nxënësve të bazuar në projekt

Tregimi i rastit

Në një gjimnaz në një qytet evropian, nxënësit e klasës së 9-të filluan një projekt gjeografie. Ata ishin të pakënaqur me gjendjen e ambienteve shkollore dhe dëshiruan të japin sugjerime për përmirësime. Mësuesi u pajtua t’u jepte nxënësve kohën që kërkuan. Nxënësit punuan vetëm ose në grupe të vogla. Ata vlerësuan gjendjen e ndërtesave të shkollës dhe mjedisin e jashtëm, pastaj regjistruan gjetjet e tyre në posterë me analizat, fotot dhe vizatimet arkitekturore. Ata përgatitën sugjerime për përmirësim dhe prodhuan posterë dhe modele tridimensionale për të dhënë mendimin e tyre.

Në atë kohë, administrata komunale po planifikonte një meremetim të madh të shkollës dhe zonës përreth saj. Gjatë një vizite në shkollë, përfaqësuesit e zyrës së planifikimit urban u njohën me posterët dhe modelet e nxënësve që ishin ekspozuar. Ata ftuan një grup nxënësish për t’ia paraqitur idetë e tyre zyrës së planifikimit. Planifikuesit vlerësuan përpjekjet e nxënësve për të krijuar një mjedis shkollor që i plotësonte nevojat e fëmijëve dhe të rinjve dhe komuna miratoi disa nga sugjerimet e nxënësve. Drejtori i shkollës e mbështeti këtë qasje dhe anëtarët e stafit u informuan gjatë një takimi. Nxënësit tashmë i kishin kaluar provimet e tyre përfundimtare në kohën kur idetë e tyre morën formë.

Godinat e shkollës ndodhen pranë një lumi të vogël, por bregu i lumit ishte një pamje e shëmtuar për shkak të shkurreve që ishin rritur egërsisht për shumë vite. Një grup nxënësish sugjeruan të pastrojnë bregun e lumit dhe të krijojnë një zonë argëtimi me ulëse për nxënësit me një pamje të lirë drejt lumit (shiko modelin më lart). Zyra e planifikimit urban e miratoi këtë ide. Fotografia në të djathtë tregon rezultatin disa vjet më vonë – zona është pastruar, dhe ulëset me gurë të papërpunuar mund të mbajnë grupe të vogla nxënësish.

Analizë

Nxënësit iniciuan projektin duke përzgjedhur temën sepse ishte e lidhur ngushtë me interesat e tyre, dhe ata mezi prisnin të shihnin përmirësimet e bëra në shkollën e tyre. Ata i vunë vetes detyra që ishin më komplekse dhe që kërkonin më shumë kohë sesa ato që zakonisht kërkon një mësues, por në projekte të kontrolluara nga nxënësit ne shpesh shohim një nivel shumë më të lartë të angazhimit. Projekti i tyre u përqendrua në çështje reale në jetën shkollore, dhe puna e tyre rezultoi në projekte vepruese që mund të shfaqeshin në publik.

Nxënësit e realizuan projektin e tyre në lëndën e gjeografisë, e cila kërkoi një ndryshim në planifikimin e mësimit. Mësuesi e pranoi rolin e tij. Ai tregoi reagim pozitiv ndaj interesave të nxënësve , u dha kohën e nevojshme dhe tregoi fleksibilitet në planifikimin e tij të mësimit. Kështu, ai u siguroi nxënësve burimet e kohës që u duheshin. Mësuesi si dhe drejtori i shkollës lejuan nxënësit të ecin përpara me projektin e tyre, duke u ofruar atyre mbështetje, udhëzim, inkurajim dhe informata kthyese.

Projekti i nxënësve varej nga gatishmëria e mësuesit të tyre dhe drejtorit të shkollës për ta lënë atë të ndodhte. Kjo sjell në fokus elementin e të papriturës. Imagjinoni një mësues ose një drejtor me një mentalitet tjetër, dhe nisma e projektit do të ishte hedhur poshtë. Përgjigjja pozitive nga zyra e planifikimit urban është një shkallë tjetër e të papriturës. Ta themi thjesht, ishte fat i pastër që nxënësit tërhoqën vëmendjen e urbanistëve që pranuan ekspertizën e të rinjve. Koha ishte e duhur. Një vit më herët ose më vonë, projekti i nxënësve nuk do të mund të kishte ndikimin e njëjtë. Sidoqoftë, nën rrethanat aktuale, nxënësit mundën të ndikojnë në zhvillimin e mjedisit të tyre shkollor shumë më fuqishëm sesa përmes kuadrit zyrtar të pjesëmarrjes së nxënësve (shih Materialin e përgatitjes 3.1, Diagramin në Materialin e veprimit 3.1.b).

Mund të supozojmë se projekti dhe përvoja pozitive e pjesëmarrjes u dha nxënësve mundësinë për të zotëruar një grumbull kompetencash për kulturën demokratike (KKD):

  • Qëndrimi: mendje qytetare, veçanërisht vëmendje ndaj nevojave të komunitetit (KKD f.
  • Efikasiteti vetjak: ndjenjë e besimit për adresimin e sfidave të reja (KKD f. 42)
  • Aftësi të të nxënit të pavarur (KKD f.43)
  • Aftësi të të menduarit analitik dhe kritik (KKD f.44)
  • Aftësi për të komunikuar dhe negociuar (KKD f.48)

Përfundime

Iniciativat e nxënësve janë të papritura – spontane dhe të paparashikueshme. Mësuesit dhe drejtorët duhet të jenë të gatshëm të përgjigjen në mënyrë adekuate për të lënë dinamikën e tyre të shpaloset.

Mësuesit duhet të ofrojnë mundësinë për reflektim dhe vlerësim, pasi ato janë thelbësore për të nxënit e qëndrueshëm të bazuar në projekte dhe në pjesëmarrje aktive. Përndryshe, emocionet dhe kujtimet pozitive mund të veniten, duke lënë pak ndikim në kompetencat për kulturë demokratike.

Drejtorët dhe mësuesit e shkollës duhet të jenë të vetëdijshëm deri në çfarë mase pjesëmarrja e nxënësve varet nga mbështetja e tyre. Në zgjedhjet dhe vendimet tona të përditshme, ne jemi të gjithë agjentë të të papriturës.