Udhëheqja demokratike e shkollës në praktikë: vendimmarrja për rregullat e shkollës
Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Disiplina përmes përgjegjësisë » Udhëheqja demokratike e shkollës në praktikë: vendimmarrja për rregullat e shkollësKush vendos për çfarë?
Para se të zhvillohet një diskutim mbi rregullat e shkollës dhe të merren vendime, është thelbësore që të gjitha palët të njohin të drejtat e tyre të pjesëmarrjes. Qoftë me ligj ose përmes një marrëveshjeje nga komuniteti juaj shkollor, ju duhet të keni rregullat shkollore për pjesëmarrje – mundësisht në formën e një kuadri të përhershëm. Për më shumë detaje, shihni Materialin e përgatitjes 3.1.
Një model i procedurës në udhëheqjen demokratike të shkollës: vendimmarrja për rregullat e shkollës (përshtatur nga modeli në Materialin e veprimit 3.1).
1. Analiza e situatës: Pse na duhen rregulla të reja të shkollës?
- Me cilat lloje të problemeve po merremi (p.sh. sjellja e nxënësve, zbatimi i rregullave të shkollës, efekti i sanksioneve)?
- Pse është ky problem kaq urgjent sa të merremi me të tani?
- Cilat rregulla funksionuan mirë? Çfarë mund të mbahet?
- Cilat rregulla duhet të ndryshohen ose të prezantohen rishtas?
- …
2. Diskutim: Cilat zgjidhje janë të mundshme?
- Si presim apo dëshirojmë që anëtarët e komunitetit tonë shkollor të sillen?
- Çfarë e bën një rregull shkollore të mirë?
- Çfarë zgjedhjesh kemi për t’i përmirësuar ose ndryshuar rregullat e shkollës? (Rregullat e shkruara, të zyrtarizuara të shkollës – ose rregullat e pashkruara, marrëveshjet joformale, thirrjet për interesa dhe vlera të përbashkëta)
- Cilave lloje vlerash u përmbahemi në rregullat tona?
- Çfarë lloj sanksionesh duhet të vendosen?
- A u përmbahen rregullat tona të reja të shkollës legjislacionit shkollor? (p.sh. a i kemi marrë parasysh përgjegjësitë e mësuesve dhe drejtorit të shkollës?)
- …
3. Vendimi dhe zbatimi i përbashkët
- Cilën alternativë zgjedhim? Diskutim midis nxënësve, stafit dhe prindërve.
- Vota e shumicës nga nxënësit dhe mësuesit.
- Miratimi përfundimtar nga këshilli i shkollës (shiko Materialin e përgatitjes 3.1).
- Dokumenti final i nënshkruar nga drejtori i shkollës, zëdhënësi kryesor i nxënësve dhe prindërve.
- Versioni i ri i miratuar i rregullave të shkollës është publikuar në ueb faqen e shkollës.
- Kopjet ose posterët e rregullave të shkollës janë vendosur në çdo klasë.
- …
4. Vlerësimi i rezultateve
- Rishikimi i parë i rezultateve bëhet pas një periudhe kohe të rënë dakord reciprokisht.
- A është zgjidhur problemi?
- A ka efekte të papritura? A mund t’i pranojmë ato?
- A mund t’i lëmë rregullat e vendosura ashtu siç janë? Apo duhet të fillojmë një cikël të ri të vendimmarrjes për të përshtatur ose përmirësuar rregullat?
- …
5. Vlerësimi i procesit të vendimmarrjes; reflektimi dhe mësimet e marra
- A ndihen nxënësit, mësuesit dhe prindërit që ishin të përfshirë në mënyrë të duhur?
- A kishin ata mundësi për t’i shprehur pikëpamjet dhe idetë e tyre?
- A ndikoi kontributi i tyre në rezultatin?
- A e konsiderojmë mënyrën se si u mor ky vendim një shembull të udhëheqjes demokratike të shkollës?
- Përfundimet për vendimmarrjen e ardhshme: çfarë funksionoi mirë, dhe çfarë duhet të përmirësohet? A mund, apo a duhet të gjejmë mënyra për t’i përfshirë nxënësit më shumë?
- Çfarë mësuan nxënësit? (p.sh. komunitetet demokratike janë komunitete të të nxënit; detyrimi i zbatimit të rregullave duhet të jetë përjashtim e jo normë; të gjithë anëtarët e komunitetit duhet të ndajnë një qëndrim të respektit të ndërsjellë, përgjegjësisë dhe mendësisë qytetare, në mënyrë që të mos na duhet kontrolli i përhershëm dhe vëzhgimi i njëri-tjetrit).
- …
Drejtpeshimi midis pjesëmarrjes dhe efikasitetit
Është e qartë se një proces tërëshkollor i vendimmarrjes, që përfshin të gjitha palët e interesuara, veçanërisht nxënësit, është një projekt madhor që kërkon kohë (shihni Materialin e veprimit 2.1). Modeli i përshkruar këtu përqendrohet në pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesit dhe në mundësitë e të nxënit për nxënësit.
Është joreale të besohet që të gjitha vendimet në jetën shkollore mund të merren në këtë mënyrë, pasi as drejtuesit e shkollës dhe mësuesit, e as prindërit nuk mund të përmbushnin detyrimet e tyre profesionale. Për më tepër, shumica e nxënësve me gjasë do ta humbnin interesin. Prandaj, duhet të gjendet një ekuilibër midis pjesëmarrjes së palëve të interesit në shkollë dhe efikasitetit të saj si një institucion arsimor.
Ky ekuilibër mund të arrihet me mënyrat e mëposhtme:
- Jo të gjitha palët e interesit në shkollë do të përfshihen në mënyrë aktive në shumë, nëse jo edhe në të shumtën e proceseve të vendimmarrjes. Një pjesë e madhe e administratës së shkollës dhe aktiviteteve mësimore do të mbetet përgjegjësi e drejtorit të shkollës dhe mësuesve. Cilësia e udhëheqjes demokratike të shkollës është e dukshme në shkëmbimin e informacionit dhe pranimin e informatave kthyese.
- Një kuadër i institucionalizuar e demokracisë përfaqësuese (shihni Materialin e përgatitjes 3.1) zvogëlon kohën e kërkuar për shumicën dërrmuese të komunitetit shkollor, derisa vendimet nga drejtori i shkollës dhe stafi janë të hapura për vrojtim dhe diskutim kritik.
- Projektet e pjesëmarrjes në shkallë të gjerë që përfshijnë të gjitha palët e interesit janë të përshtatshme sa herë që një çështje prek drejtpërdrejt interesat dhe nevojat e nxënësve, dhe kur nxënësit marrin rolin e ekspertëve.
- Prandaj, një ose më shumë projekte madhore të pjesëmarrjes duhet të zhvillohen çdo vit shkollor. Kjo mund të përfshijë një version “nga lart poshtë”, siç është diskutimi midis drejtorit të shkollës, stafit dhe zëdhënësve kryesorë të nxënësve dhe prindërve. Mund të jetë gjithashtu një version “nga poshtë lart”, siç është një iniciativë për përcaktimin e rendit të ditës së nxënësve (shihni Materialin e ndërgjegjësimit 3.2). Në këtë rast, drejtorët e shkollës dhe mësuesit duhet ta mirëpresin dhe mbështetin nismën e nxënësve për kontributin e saj në një kulturë demokratike të shkollës, pavarësisht nëse pajtohen me idetë e nxënësve.