Vendimmarrja e përbashkët inkurajon përgjegjësinë dhe pronësinë

Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Disiplina përmes përgjegjësisë » Vendimmarrja e përbashkët inkurajon përgjegjësinë dhe pronësinë

Asnjë grup ose institucion nuk mund të funksionojë pa rend dhe respekt të përbashkët për rregullat e tij, dhe as nuk mund të jetë demokratik (shiko Të rishikojmë disiplinën dhe rregullin nga një pikëpamje demokratike, http://www.living-democracy.com/sq/textbooks/volume-1/part-2/unit-1/chapter-2/lesson-5/). Ruajtja e disiplinës apo respektimi i rregullave dhe rendit është pra një çështje thelbësore në çdo shkollë. Nëse disiplina mbahet përmes udhëheqjes demokratike të shkollës, nxënësit mund të mësojnë shumë rreth qytetarisë demokratike.

Udhëheqja demokratike e shkollës zhvendos përqendrimin e saj nga kontrolli te besimi (shih Materialin e ndërgjegjësimit 4.1). Duke i përfshirë nxënësit në miratimin e rregullave për shkollën, udhëheqja demokratike e shkollës mund t’i inkurajojë nxënësit të identifikohen me të, në vend se t’i binden pa dëshirë rregullave të shkollës. (Shih Qeverisja demokratike e shkollave, botim i KE 2007, f. 62 e tutje; https://www.coe.int/en/web/edc/edc/hre-pack).

Përfshirja e nxënësve në krijimin e rregullave të shkollës
Shumë shpesh, nxënësit i diskutojnë dhe i miratojnë rregullat në komunitetet e klasës së tyre. Nxënësit mësojnë përmes përvojës se rregullat janë të domosdoshme për të adresuar problemet që janë shkaktuar nga sjellja e tyre në klasë. Ata gjithashtu mësojnë t’i binden ligjeve dhe rregullave të shkruara, pavarësisht nëse pajtohen me to apo jo, sepse ato janë miratuar me shumicë të votave. Duke marrë pjesë në krijimin e rregullave për klasën e tyre ose shkollën, nxënësit e kuptojnë qëllimin e tyre dhe kështu identifikohen me rezultatet. “Nxënësit janë ekspertët e vërtetë se si duhet të duken rregullat shkollore për të qenë realiste dhe lehtë për t’u ndjekur.” (Qeverisja demokratike e shkollave, f. 66).


Vëll. 2 në edicionin e doracakëve të mësuesve në EQD/EDNJ ofron një njësi mbi krijimin e rregullave në klasë (shiko https://living-democracy.com/sq/textbooks/volume-2/unit-5/, mësimi 3 dhe 4),), dhe fotografia e ballinës së doracakut nxjerr në pah idenë e shkollës si një mikrokomunitet demokratik që i bën rregullat e veta. Është interesante të theksohet se kur nxënësit e marrin pronësinë e krijimit të rregullave në shkollë, ata kanë tendencë të sugjerojnë sanksione më të rrepta sesa të rriturit, për shembull kur merren me të vonuarit e shpeshtë ose përçarjet në klasë. Ata mund të mësojnë shumë për paanësinë, si një parim themelor i drejtësisë, që do të thotë se dënimi nuk duhet të jetë tepër i butë ose tepër i rreptë, në varësi të shkeljes dhe mësimit që duam t’i japim si nxënësit në fjalë, ashtu edhe komunitetit si tërësi.

Si drejtor shkolle, ju duhet të mbeteni të informuar për nisma të tilla pa ndërhyrë për sa kohë që rregullat e miratuara në nivel klase përputhen me legjislacionin shkollor dhe rregullat e shkollës.