Shkollat bëjnë më shumë se vetëm t’u mësojnë nxënësve njohuritë dhe aftësitë. Shkolla është gjithashtu institucioni i parë në të cilin nxënësit hyjnë që në moshë të hershme dhe është një komunitet që jep mundësinë për shoqërim ndërmjet nxënësve, duke ndikuar shumë në qëndrimet dhe vlerat e tyre, sikurse edhe në ato të anëtarëve të stafit. Në shkollë, nxënësit e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në klasë me mësuesit dhe shokët e shoqet e tyre. Prandaj, nëse ju, si drejtorë, dëshironi që shkolla juaj të bëhet më demokratike, është thelbësore që ta konsideroni atë që ndodh në klasë, duke përfshirë nxënësit dhe mësuesit.
Si drejtorë, ju duhet të qëndroni larg asaj çfarë mësuesit bëjnë në klasë. Madje, ka shtete ku drejtorëve nuk u lejohet të ndërhyjnë. Të shpresojmë se mësuesit tuaj janë mësuar të inkurajojnë nxënësit që të marrin pjesë në vendimmarrje dhe se ata marrin përgjegjësinë për të zhvilluar komunitetin e klasës dhe potencialin e nxënësve sa më mirë që është e mundur. Nga këndvështrimi i mësimdhënësve, përbën një dallim të madh nëse ata lihen vetëm në përpjekje të tilla, ose nëse e dinë se udhëheqësi i tyre i shkollës jo vetëm që e aprovon me vendosmëri qasjen e tyre demokratike, por është gjithashtu i gatshëm t’i mbështesë ata me të gjitha forcat e tij. Të nxënit lidhur me demokracinë në shkollë kërkon një qasje të gjithanshme shkollore, e cila përbën më shumë se shtimin e nismave në disa apo në të gjitha klasat. Mësimdhënësve u duhen mundësi për të shkëmbyer dhe reflektuar mbi përvojat e tyre, si dhe për të marrë informata dhe ide të reja. Me fjalë të tjera, një komunitet shkollor demokratik është një komunitet i të nxënit. Ky material ju ofron juve, drejtorëve, idetë dhe mjetet për të inicuar, bashkërenduar, kontribuar dhe mbështetur shkollën tuaj në rrugën e saj drejt demokracisë.