Mësimdhënia e demokracisë dhe të drejtave të njeriut si një qasje tërëshkollore
Living Democracy » Principals » TË NXËNIT » Ndërgjegjësimi » Mësimdhënia e demokracisë dhe të drejtave të njeriut si një qasje tërëshkollorePozicioni i drejtorit mund të ndryshojë shumë nga një vend në tjetrin, por mënyra se si njerëzit mësojnë më së miri mbetet e njëjtë. Bashkëpunimi dhe të mësuarit e ndërsjellë, p.sh. mësuesit që mësojnë nga mësuesit, jo vetëm që përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënit në shkollën tuaj, por edhe burimet e zhvillimit të shkollës. Ky proces varet nga vendimi juaj për ta filluar atë së bashku me mësuesit tuaj dhe për ta organizuar dhe mbështetur atë.
Komunitetet demokratike mbështeten në qytetarët e edukuar
Shoqëritë tona gjithnjë e më komplekse dhe dinamike e kërkojnë Edukimin për Qytetari Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (EQD / EDNJ) si sfond të përbashkët të çdo aktiviteti mësimor në shkollë, si në klasë ashtu edhe përtej saj. Niveli i arsimimit që nxënësve u duhet sot tejkalon në masë aftësinë e thjeshtë për të lexuar, llogaritur dhe shkruar. Më tepër, arsimimi për të cilin nxënësit kanë nevojë sot përfshin:
- të kuptuarit më të mirë të botës;
- të menduarit logjik, kritik dhe kreativ;
- aftësinë për ta lidhur abstrakten me konkreten;
- aftësinë për t’i kuptuar konceptet dhe simbolet abstrakte;
- aftësinë për t’i interpretuar faktet dhe të gjeturat e hulumtimit;
- aftësinë për të mësuar në mënyrë të pavarur dhe në bashkëpunim;
- shkurt, të arsimohen në mënyrë funksionale.
Komunitetet demokratike mbështeten në qytetarët e edukuar dhe kompetentë. EQD / EDNj i trajton të gjitha kompetencat e përmendura më lart dhe i pasuron ato me vlerat dhe qëndrimet që e përbëjnë kulturën e demokracisë. Shih Kompetencat pë Kulturë Demokratike.
EQD/EDNj si qasje tërëshkollore
Shkrim-leximi zgjerohet dhe ndërton ura në mes kufijve të fushave të specializuara të shkencës dhe dijes. Për më tepër, krijon një bazë të përbashkët që plotëson fushëveprimet dhe qëllimet e çdo lënde akademike, e cila i përgatit nxënësit më mirë për sfidat sot dhe në të ardhmen. EQD / EDNJ u përgjigjet disa prej çështjeve urgjente të diskutueshme të shoqërive tona dhe ofron një koncept të tillë të shkrim-leximit për një qasje ndërkurrikulare dhe tërëshkollore. Në nivel të lëndëve shkollore, mësimdhënia dhe të nxënit nuk duhet të riformulohen ose ristrukturohen. Më tepër, ato duhet të integrohen në një perspektivë më të gjerë, duke i bërë ato bashkë si pjesë të një tërësie. Çdo lëndë fokusohet në përmbajtje specifike në kurrikulë, dhe në metodat dhe mënyrat specifike të arsyetimit që ato përmbajtje dhe tema kërkojnë. Nga perspektiva e tërë shkollës, lëndët shkollore mund të konceptohen si kor. Çdo zë është qartë i dëgjueshëm, por kori në tërësi këndon të njëjtën pjesë, që do të thotë se shkolla në tërësi i ka të njëjtat qëllime arsimore.
Prapavija e përbashkët
Qasja tërëshkollore në mësimdhënie i inkurajon mësuesit që të punojnë drejt një grupi të vetëm në komunitetin e shkollës, pasi që mësimdhënia e tyre, pa marrë parasysh sa të ndryshme janë lëndët e tyre mësimore, ndan qëllime, nevoja dhe sfida të caktuara. Të gjithë mësuesit u shërbejnë nxënësve të të njëjtës grupmoshë dhe përballen me të njëjtin diversitet mes tyre, për shembull në kapacitetin e tyre të të mësuarit. Për më tepër, përvetësimi i kulturës së demokracisë po ashtu është detyrë për të gjithë shkollën.
Rrjedhimisht, në edukimin për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, shkollat kanë nevojë për një qasje të mësimdhënies ndërkurrikulare për t’u dhënë nxënësve njohuri dhe të kuptuar të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe praktikimin e aftësive, dhe për t’ua mësuar qëndrimet dhe vlerat që qytetarëve u duhen për të marrë pjesë dhe mbështetur demokracinë. Kjo mënyrë kohezive, kolektive dhe bashkëpunuese e mësimdhënies gjithashtu përfshin punonjësit e shkollës, prindërit dhe komunitetin lokal. Për më tepër, kjo qasje e pasuron dhe e forcon mësimdhënien si parimin bazë të jetës shkollore në klasë, në oborrin e shkollës e në menzë, dhe madje edhe përtej mjediseve të shkollës. Nuk ka asnjë shkencë akademike apo lëndë që mund të shkarkohet nga barra e të shërbyerit asaj nevoje arsimore.