Njohja dhe të kuptuarit e llojeve të ndryshme të diversitetit në shkollë
Living Democracy » Principals » TË NXËNIT » Përgatitja » Njohja dhe të kuptuarit e llojeve të ndryshme të diversitetit në shkollëDiversiteti midis nxënësve tuaj është një sfidë e madhe për shkollën tuaj. Nëse kjo çështje nuk trajtohet në mënyrë adekuate, mund të ndikojë në arritjet e nxënësve dhe statusin e tyre shoqëror në jetën si të rritur. T’i sigurosh secilit nxënës një rast të barabartë për sukses në shkollë do të thotë t’i kuptosh nevojat e të nxënit të çdo nxënësi dhe t’u përgjigjesh atyre nevojave individualisht. Drejtësia në arsim nuk nënkupton që secilit t’i ofrojmë të njëjtën gjë, por t’i ofrojmë secilit atë që ka nevojë.
Por si mundeni ju, si drejtor, të merreni me diversitetin në shkollën tuaj pa staf të specializuar dhe pa kohë për të bërë kërkim për këtë? Një mënyrë është që të merreni me çdo rast që vjen në zyrën tuaj. Një mënyrë tjetër është përgatitja e personelit arsimor për të qenë të ndjeshëm ndaj diversitetit.
Kur flasim për diversitetin në shkollë, zakonisht mendojmë për dallimet kulturore mes nxënësve. Supozohet gjerësisht se diversiteti prek kryesisht shkollat me një sfond multikulturor mes nxënësve.
Ky supozim është provuar të jetë i gabuar. Hulumtimet kanë treguar se zakonisht ka më shumë dallime në mes të nxënësve që janë të etiketuar me identitete “të njëjta” kulturore, se sa me “të ndryshme”. Diversiteti në shkollë nuk është kryesisht një çështje e përkatësisë kulturore apo etnike. Brenda çdo grupi kulturor ose etnik të nxënësve, do të gjejmë performues të mirë dhe të dobët dhe nxënës me nevoja të ndryshme të të nxënit.
Për t’u marrë me këtë lloj diversiteti në shkollë, personeli duhet të jetë i vetëdijshëm dhe i hapur ndaj llojshmërisë së karaktereve të nxënësve, stileve të të nxënit, gjinive, grupmoshave, nevojave zhvillimore, etj.
Megjithëse duket shumë e dëshirueshme të dihet profili specifik i të nxënit i çdo nxënësi, kjo nuk është e mundshme. Shkollat nuk kanë personel të specializuar, dhe mësuesit e drejtorët nuk kanë mjaft kohë për këtë. Por kultura e shkollës duhet ta inkurajojë qasjen e hapur ndaj diversitetit, në mënyrë që mësuesit ta marrin në konsideratë diversitetin në klasat e tyre, kur planifikojnë dhe zbatojnë mësimdhënien e tyre dhe kur vlerësojnë nxënësit e tyre.