Edukimi për vlerat inkurajon vetëdisiplinën e nxënësve

Living Democracy » Principals » TË NXËNIT » Përgatitja » Edukimi për vlerat inkurajon vetëdisiplinën e nxënësve

Ju jeni duke ecur përgjatë korridorit në shkollë. Zhurma që vjen nga një klasë ju tregon se ora mësimore ka dalë jashtë kontrollit dhe mësuesi nuk është në gjendje ta përballojë situatën. Gjatë ose menjëherë pas orës, mësuesi troket në derën tuaj dhe ju kërkon që të ndërhyni. Nxënësit të cilët mësuesi i ka identifikuar si telashexhinj do të deklarohen të pafajshëm, duke ju vënë në një pozitë të pakëndshme të një “gjyqtari të lartë”. Në incidente të tilla, mësuesi do të humbë respektin e nxënësve.

Ky skenar tregon për dobësinë e stilit autoritar të udhëheqjes së shkollës: nxënësit duhet t’u binden rregullave të vendosura dhe, nëse nuk u binden, mësuesi duhet t’i zbatojë ato me detyrim. Kjo i bën mësuesit të ndihen në siklet, duke u përballur me një shumicë të madhe të telashexhinjëve dhe armiqve të mundshëm në klasë. Kontrolli i përhershëm, lavdërimi dhe ndëshkimi janë mjetet në duart e mësuesve për të zbatuar rendin dhe disiplinën.

Disiplina e nxënësve është me të vërtetë thelbësore që një shkollë të funksionojë mirë. Për më tepër, shkolla është institucioni i parë në jetën e tyre ku fëmijët dhe të rinjtë hyjnë, dhe këtu nxënësit duhet të mësojnë t’i binden ligjit, jo sepse janë të detyruar, por sepse duhet ta kuptojnë dhe ta vlerësojnë domosdoshmërinë e sundimit të ligjit. Mirëpo, një sistem i mbikëqyrjes dhe sanksioneve të përhershme nuk është as i realizueshëm e as i dëshirueshëm, pasi një shkollë e tillë ua mëson nxënësve një qëndrim bindjeje, duke i lënë ata të paaftë për ta marrë përgjegjësinë për komunitetin e shkollës.

Vlerat janë të padukshme, por ato shfaqen në sjelljen e një personi. Në një masë të madhe, disiplina nuk mund të imponohet, por duhet të rritet nga brenda. Vlerat nuk mund të predikohen, por duhet të mësohen nga shembujt e mirë. Si model që jeni, qëndrimi juaj dhe i stafit tuaj është vendimtar për zhvillimin e një komuniteti shkollor demokratik, të bazuar në vlera.

Nëse i pyetni nxënësit se çfarë presin nga shkolla, përgjigjet e tyre tregojnë se ata shpesh presin më shumë se sa ç’mund t’u japë shkolla. Ata duan ta shpenzojnë kohën e tyre mirë dhe duan që shkolla e tyre të funksionojë si duhet, edhe pse sjellja e tyre nganjëherë mund të jetë problematike. Prandaj, është e mundshme t’i bindim nxënësit se asnjë komunitet nuk mund të funksionojë pa rregulla, dhe se kjo vlen edhe për komunitetet demokratike. Shih “Të rishikojmë disiplinën dhe rregullin nga një pikëpamje demokratike” http://living-democracy.com/sq/textbooks/volume-1/part-2/unit-1/chapter-2/lesson-5/ .

Nëse nxënësit i ndajnë vlerat që nxiten nga rregullat e shkollës, ata do të jenë të gatshëm t’i pranojnë dhe t’i çmojnë ato. Në Kompetencat për kulturë demokratike, të publikuara nga Këshilli i Evropës, këto vlera përfshijnë “mbështetjen për sundimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë dhe të paanshëm të të gjithë qytetarëve para ligjit, si mjet për të siguruar drejtësinë” (Kompetencat për Kulturë Demokratike, fq. 38, nr. 7).

Rregullat e bazuara në vlerë duhet të diskutohen dhe komunikohen në klasë, e këtu, EQD/EDNJ luan një rol të rëndësishëm. “Rritemi në demokraci”, vëllimi II në serinë e manualëve të EQD/EDNJ për mësuesit, përshkruan një projekt të vogël në të cilin nxënësit vlerësojnë rregullat ekzistuese të shkollës, identifikojnë vlerat dhe parimet themelore dhe diskutojnë sugjerimet për t’i rishikuar dhe përmirësuar rregullat. Pamja e kopertinës së këtij vëllimi, që tregon nxënësit duke nënshkruar rregullat e shkollës që i kanë miratuar me shumicë votash, nxjerr në pah potencialin e të nxënit të këtij projekti, pasi u lejon nxënësve të marrin pjesë në vendimmarrjen në shkollë. Çështja është kuptimplote dhe një pjesë e vërtetë e jetës reale në shkollë. Edukimi për qytetarinë demokratike dhe për vlerat e kulturës demokratike është i mundur me të gjitha grupmoshat. “Rritemi në demokraci” u dedikohet mësuesve në nivelin fillor, ashtu që projekti për pjesëmarrje në vendimmarrje në shkollë të mund të përshtatet për nxënësit më të vjetër. http://living-democracy.com/sq/textbooks/volume-2/unit-5/

Nxënësit janë plotësisht të vetëdijshëm se sjellja e tyre duhet të monitorohet dhe se rregullat do të zbatohen nëse ato thyhen. Kjo mbetet përgjegjësi e drejtorit dhe e stafit, në përputhje me legjislacionin e shkollës. Ata nxënës që e kanë zhvilluar një qëndrim të mendësisë qytetare, “një ndjenjë të llogaridhënies ndaj njerëzve të tjerë brenda komunitetit dhe pranim se njëri i përgjigjet të tjerëve për vendimet dhe veprimet e veta” (Kompetencat për Kulturë Demokratike, fq. 41), do të krijojnë më pak çështje disiplinore, pasi ata e kanë zhvilluar vetëdisiplinën dhe mund të marrin përgjegjësi për sjelljen e tyre.