Një proverb romak thotë se nuk mund të debatosh për shijen personale. Vërtet, është pjesë e identitetit tonë personal se cilat lloje të ushqimit dhe pijeve na pëlqejnë ose nuk na pëlqejnë, dhe si i përgatisim dhe i hamë ushqimet tona. Duke vepruar kështu, ne ushtrojmë të drejtën tonë njerëzore për lirinë personale (Neni 3 i DUDNJ). Kjo tregon që mënyra se si ne plotësojmë nevojat tona themelore për të ngrënë dhe pirë përmban dimensionet sociale dhe të të drejtave të njeriut që çojnë në thelbin e EQD/EDNJ. Liritë mbartin përgjegjësi. Zakonet tona të të ushqyerit ndikojnë në një masë të konsiderueshme në shëndetin dhe jetëgjatësinë tonë. Kështu, ne jemi kryesisht përgjegjës për mirëqenien tonë. Përgjegjësia jonë shtrihet përtej kësaj, sidoqoftë. Nëse zgjedhim të blejmë kunguj të njomë ose pjepër në verë, për shembull, mund të mbështesim prodhuesit vendës. Anasjelltas, nëse insistojmë në blerjen e produkteve të tilla në dimër, ne aktivizojmë zinxhirin global të furnizimit, i cili ka ndikim mjedisor dukshëm më të madh. Sidoqoftë, është pothuajse e pamundur të anashkalosh plotësisht prodhimin e globalizuar.
Ne sugjerojmë që shkollat t’i inkurajojnë të rinjtë të mendojnë për zakonet e tyre ushqimore, dëshirat dhe nevojat e tyre. Vajzat dhe djemtë e çfarëdo moshe janë mjaft të vetëdijshëm për zakonet e tyre ushqimore. Kështu, vlerësimi i llojeve të ushqimeve dhe pijeve që zgjedhim, dhe si i përgatisim ato, është një proces i të nxënit gjatë gjithë jetës.
Shkolla ka mundësinë dhe potencialin për të rritur ndërgjegjësimin e nxënësve për pasojat e zgjedhjeve dhe zakoneve të tyre ushqimore. Ajo duhet t’i inkurajojë nxënësit të marrin përgjegjësi për mirëqenien e tyre personale, shqetësimin për shëndetin e shoqërisë, si dhe për planetin (më shumë, në anglisht: Kompetencat për kulturë demokratike, f. 41). Kështu, nxënësit mund të zhvillojnë një qëndrim të vetefikasitetit dhe ndërgjegjësimin për zhvillimin e kompetencës së tyre për të ushqyerit dhe mënyrën e përdorimit të tij (më shumë: Kompetencat për kulturë demokratike, f. 42).
Për më tepër, shkollat në shoqëritë pluraliste shpesh përfaqësojnë mikrokomunitete, që përfshijnë nxënës nga komunitete të ndryshme emigruese, religjione dhe kultura të ndryshme. Edhe nxënësit e ashtuquajtur vendës nuk mund të përbëjnë një grup homogjen. Kështu, ofrimi i mundësive për nxënësit dhe prindërit e tyre që t’i tregojnë traditat e tyre, mënyrat e përgatitjes së vakteve, dhe ndarja e tyre me të tjerët, mund t’i bëjë njerëzit më mendjehapur ndaj atyre që ata i konsiderojnë si të ndryshëm. “Të qenit i hapur ndaj tjetërsisë kulturore dhe besimeve të tjera, botëkuptimeve dhe praktikave” (më shumë: Kompetencat për kulturë demokratike, f. 39). është një qëndrim që ndihmon në mbrojtjen e shoqërisë demokratike nga të qenit pre e urrejtjes dhe paragjykimeve raciale.