Këshilli i klasës

Living Democracy » Principals » PJESËMARRJA » Veprimi » Këshilli i klasës

Këshillat e klasave zakonisht zhvillohen një herë në javë në çdo klasë të një shkolle.
Këshilli i klasës është një strukturë e institucionalizuar që ua mundëson nxënësve t’i artikulojnë shqetësimet e tyre dhe t’i diskutojnë ato me mësuesit dhe shokët e shoqet e klasës. Zakonisht, ekziston një kushtetutë e shkruar e këshillit të klasës për t’i përcaktuar tiparet kryesore dhe kushtet themelore. Ju mund ta krijoni një kushtetutë të tillë së bashku me stafin dhe ta përdorni planin e veprimit në këtë seksion për ta lehtësuar zbatimin e këshillit të klasës hap pas hapi. Si një drejtor me mendësi demokratike, ju jeni të interesuar t’i keni këto këshilla në çdo klasë. Sigurohuni që mësuesit të jenë të përgatitur mirë për to. Përgatitni një sesion trainimi në shkollën tuaj me një grup mësuesish të përkushtuar për ta mbështetur përpjekjen tuaj. Informacioni i mëposhtëm duhet të ndahet nga të gjithë:

Komponentët kryesorë të këshillave të klasave:

  • Gjetja dhe mbledhja e çështjeve për t’i diskutuar (konfliktet, infrastruktura, udhëtimet shkollore, rregullat, mësimdhënia, etj.); nxënësit mund t’i rendisin shqetësimet e tyre në një dosje të këshillit të klasës ose t’i postojnë ato në një kuti letrash që janë përherë të arritshme.
  • Miratimi i roleve dhe funksioneve, p.sh. kryetari, nënkryetari, kryesuesi, procesmbajtësi, kohëmbajtësi. Të gjitha rolet praktikohen në fillim me ndihmën e mësuesit / mentorit.
  • Qëllimi: Mentori / mësuesi gradualisht tërhiqet, dhe nxënësit menaxhojnë vetë.

Një sesion i këshillit të klasës – udhëzues hap pas hapi:

Përgatitja e sesioneve të këshillit të klasës:

  • Para sesioneve: regjistrohen temat/çështjet që do të diskutohen (mbledhja e temave).
  • Përgatitet procesverbali i sesionit të fundit dhe shablloni i procesverbalit për sesionin tjetër.
  • Rregullohen karriget në formë rrethi dhe sigurohet materiali.
  • Zgjidhet kryetari për këtë ditë (mbase tashmë për të gjithë semestrin).

Hyrja:

Këshilli i klasës mund të fillojë me fjalën mirëseardhëse nga kryetari, një shprehje e mirënjohjes reciproke ose e dëshirave.

Kontrolloni vendimet nga sesioni i fundit:

Këshilli i kontrollon vendimet, mbledh vendimet dhe mbase i integron disa çështje në listën e temave.

Sqaroni procesverbalin për sesionin:

Këshilli kontrollon listën aktuale të temave.

  • A janë temat ende urgjente? A ka ende nevojë të diskutohen?
  • A ka çështje të reja / çështje urgjente?
  • A ka ndonjë gjë tjetër për t’u informuar, diskutuar apo për të vendosur?

Diskutoni shqetësimet/zgjidhni konfliktet:

Nxënësit shprehin shqetësimet e tyre, kërkojnë zgjidhje dhe konsiderojnë sugjerime. Nxënësi që paraqet një temë fillon me shpjegimin e shqetësimit. Nxënësit e tjerë marrin informacion dhe bëjnë pyetje përcjellëse për ta kuptuar plotësisht çështjen, shprehin argumente dhe mbledhin sugjerime (në grupe të vogla ose në sesion plenar).

Marrja e vendimeve:

Pas debatit dhe diskutimit të një çështjeje, duhet të ketë një vendim të përbashkët (përmes votimit ose gjetjes së kosensusit) dhe një procedurë për udhëheqjen e procesit.

Regjistrimi i vendimeve:

Vendimet regjistrohen dhe ruhen si dokumente në dosjen e këshillit të klasës. Pas një kohe, këshilli i klasës duhet të kontrollojë nëse vendimet janë realizuar (pse, pse jo).

Reflektim dhe informata kthyese lidhur me sesionin:

Nxënësit reflektojnë për përvojat e tyre në këshillin e klasës dhe pyesin veten se çfarë funksionoi mirë/jo mirë, dhe çfarë mund të ndryshojnë individualisht dhe së bashku.

Mbyllja e seancës:

Kryetari paraqet edhe një herë vendimet, sqaron çështjet organizative, etj.

Reflektim për sesionet e këshillit të klasës:

Mentori reflekton mbi këshillin e klasës me nxënësit dhe performimin e detyrave nga ana e tyre (kryesues, regjistrues, etj) dhe zbulon nëse nxënësit ende kanë nevojë për mbështetje në aspekt të kryesimit ose udhëheqjes së këshillit, dhe shqetësimeve dhe sugjerimeve të tjera.