Katër sferat e demokracisë pjesëmarrëse në shkollë

Living Democracy » Principals » PJESËMARRJA » Ndërgjegjësimi » Katër sferat e demokracisë pjesëmarrëse në shkollë

Mënyra se si veproni si drejtor është thelbësore për shndërrimin e shkollës suaj në një komunitet (më) demokratik. Nëse keni ndërmend ta inkurajoni pjesëmarrjen në shkollën tuaj, përfshini sferat kryesore të mëposhtme në planifikimin dhe veprimet tuaja.

Komunikimi

Dëgjoni në mënyrë aktive (Çfarë dëshiron vërtet të thotë dikush? Si mendon ai/ajo? Cilat janë nevojat e tij/saj? Si është perceptimi i tij/saj?) Bindni të tjerët përmes argumenteve logjike dhe të kuptueshme. Bëni pyetje dhe përgjigjuni pyetjeve hapur. Shpalosni dhe shpjegoni me ndershmëri dhe vërtetësi qëndrimet, supozimet, ndjenjat tuaja për çështjen për të cilën do të vendoset. Mblidhni informata kthyese. Ofroni një sintezë të të gjitha pikëpamjeve të ndryshme (cili interes i përbashkët mund të gjendet duke marrë parasysh të gjitha pikëpamjet e ngritura në lidhje me një çështje?) Bëni përpjekje për konsensus.

Bashkëpunimi

Identifikoni dhe diskutoni mbi vlerat dhe vizionet që duhet të udhëheqin shkollën tuaj. Nëse është e mundur, përpiquni të merrni një vendim unanim në lidhje me to. Kontribuoni në ndërtimin e një atmosfere besimi dhe krijoni mundësi dhe një kornizë për shkëmbimin e ideve dhe praktikave, si dhe të të menduarit, planifikimit dhe zbatimit në bashkëpunim.

Transparenca

Jini transparentë në lidhje me parakushtet, kufijtë dhe shtrirjen kur merrni vendime. Për shembull, merrni parasysh kushtet ligjore, buxhetore apo lokale. Artikuloni çështjet e tilla në mënyrë të qartë dhe shprehimisht. Sigurohuni që t’i informoni në mënyrë të vazhdueshme të gjithë të përfshirët, në lidhje me të gjitha çështjet e rëndësishme, dhe/ose ofrojuni qasje në informacionin përkatës.

Toleranca

Ne mund të ndihemi të kundërt me një person ose një grup njerëzish për arsye të ndryshme. Ata që kanë nivel të ulët tolerance, thjesht sjellen me shpërfillje ndaj të tjerëve. Një nivel më i lartë i tolerancës na lejon të zgjerojmë kufijtë e përvojës sonë përmes dialogut të plotë dhe përpjekjeve të ndershme për t’i kuptuar të tjerët. Mundohuni ta rritni nivelin tuaj të tolerancës kur përballeni me njerëz ose grupe njerëzish me të cilët ndiheni të kundërt.

Atmosfera shkollore

Siguroni një atmosferë pozitive, paqësore, ku të gjithë ndihen të sigurt, të respektuar dhe që i përkasin një komuniteti të mirëfilltë. Krijoni një atmosferë respekti dhe mirëkuptimi për njëri-tjetrin. Vendosni mënyra të institucionalizuara të zgjidhjes së konflikteve.

Ndarja e pushtetit

Qëndroni të gatshëm të ndani disa nga kompetencat tuaja dhe t’u delegoni përgjegjësinë të tjerëve. Sigurohuni që palët e interesuara të kenë fjalën e tyre për atë që bëjnë dhe si e bëjnë atë. Pranoni kritikën dhe përgatituni të kaloni nga kontrolli te besimi. Sigurohuni që rreziqet e mundshme të vendimeve të ndahen dhe që të gjithë ata që janë të përfshirë të jenë të vetëdijshëm për to.

Vendimmarrja

Analizoni parakushtet ligjore (mundësitë dhe kufizimet) për praktikën demokratike në shkollën tuaj. Paraqitni një kornizë për rregullat për vendimmarrje gjithëpërfshirëse (krijimi i strukturave dhe proceseve demokratike). Përfshini forma të shqyrtimit/diskutimit, votimit, përfaqësimit.

Respektoni vendimet demokratike si të detyrueshme dhe sigurohuni t’i vini në praktikë rezultatet e vendimmarrjes së përbashkët. Sigurohuni që vendimet të jenë legjitime në aspektin ligjor dhe moral.

Të gjithë duhet të kenë të njëjtën mundësi për të marrë pjesë në proces. Mbështetni dhe fuqizoni grupet e cenueshme, të pafavorizuara dhe të margjinalizuara.

Kur duhet caktuar detyrat dhe rolet, merrni parasysh preferencat dhe kompetencat e njerëzve.

Iniciativa

Nxitni dhe mbështetni iniciativat dhe siguroni fleksibilitet për të ndërmarrë veprime. Për aq sa është e justifikueshme, lejoni mundësi që të devijohet nga rregullat e përcaktuara dhe të siguroni hapësirë kreative për të provuar dhe gabuar.

Burimet

Siguroni dhe mbani burime për praktikën demokratike (kohë, informacion, mbështetje institucionale).