Pse duhet të përpiqemi për demokraci?

Living Democracy » Principals » PJESËMARRJA » Ndërgjegjësimi » Pse duhet të përpiqemi për demokraci?

Demokracia

“Demokracia është qeverisje nga njerëzit në të cilët pushteti suprem i është dhënë popullit dhe ushtrohet drejtpërdrejt prej tyre (demokracia e drejtpërdrejtë) ose nga agjentët e tyre të zgjedhur në një sistem zgjedhor të lirë (demokracia përfaqësuese).

Shtyllat e demokracisë:

  • Sovraniteti i njerëzve
  • Qeveria e bazuar në pëlqimin e të qeverisurve
  • Rregulli i shumicës
  • Të drejtat e pakicave
  • Garantimi i të drejtave themelore të njeriut
  • Zgjedhjet e lira dhe të ndershme
  • Procesi i rregullt ligjor
  • Kufijtë kushtetues për qeverinë
  • Pluralizmi social, ekonomik dhe politik, përfshirë njohjen e organizatave të pavarura të shoqërisë civile
  • Vlerat e bashkëpunimit, konkurrencës së ndershme dhe kompromisit.

Këshilli i Evropës (2016): Kompetencat për kulturë demokratike, Fjalori i termave

Pjesëmarrja

“Standardet aktuale demokratike shkojnë përtej demokracisë përfaqësuese klasike, ku roli kryesor i qytetarëve është t’u delegojnë me votim përfaqësuesve të tyre përgjegjësinë për hartimin dhe zbatimin e politikave publike, duke marrë trajtën e demokracisë pjesëmarrëse, ku institucionet publike janë në pajtueshmëri me parimet e qeverisjes së mirë dhe qytetarët kanë legjitimitetin që të përfshihen në të gjitha fazat e ciklit të politikës publike.”
Këshilli i Evropës (po aty)

Ky model ideal tregon se si intensiteti i pjesëmarrjes mund të ndryshojë nga 0 (joekzistuese) deri në nivelin 5 (autonomi e plotë).

  1. Njerëzit nuk janë të informuar për një vendim që lidhet me ta. Nga ata pritet t’u nënshtrohen rregullave dhe t’i kryejnë urdhrat.
  2. Njerëzit informohen për një vendim që lidhet me ta. Por ata nuk kanë asnjë shans të ndikojnë në të.
  3. Njerëzit konsultohen. Por pozicioni i tyre nuk merret doemos në konsideratë në vendimet që lidhen me ta.
  4. Njerëzit janë të fuqizuar. Pozicioni i tyre merret plotësisht në konsideratë në vendimet përfundimtare që lidhen me ta.
  5. Njerëzit janë të pavarur. Ata marrin vetë vendime që lidhen me ta.

Në këtë model të pjesëmarrjes, informacioni është variabla kryesore në nivelin 1 dhe 2, dhe liria dhe barazia në nivelet 3 deri 5. Me fjalë të tjera, udhëheqja autoritare e shkollës do të rezultojë në pjesëmarrje të nivelit 1 ose 2. Në një komunitet demokratik të shkollës, nxënësit do të kishin mundësinë për të marrë pjesë në nivelet 3, 4 dhe, nëse është e mundur, në nivelin 5. Ajo që nuk tregon ky model, megjithatë, është që pjesëmarrja duhet të mësohet, dhe nxënësit duhet të zhvillojnë kompetenca për të kuptuar informacionin rreth çështjeve dhe vendimeve që merren rreth tyre.

Në shkollë, si edhe në shoqëri në tërësi, demokracia përballet me sfida të përfshirjes. Qytetarët kanë të drejta të barabarta, por ato janë të pabarabartë sa i përket nivelit të kompetencave dhe fuqizimit të tyre. Drejtorët dhe mësuesit e shkollës duhet të bëjnë përpjekje për t’i inkurajuar nxënësit më të rinj ose më të druajtur të marrin pjesë në vendimmarrje, si dhe t’i bëjnë nxënësit më të rritur dhe më dominues dhe të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e tyre.

Shqyrtimi i kujdesshëm dhe diskutimi

Në mënyrë ideale, ne duam që vendimet jo vetëm të jenë të drejta, por edhe të bazuara mirë dhe të shëndosha. Kjo kërkon shqyrtim të kujdesshëm nga njerëzit e përfshirë në një proces vendimmarrjeje. Ai zhvillon një arsyetim të plotë dhe shkëmbim të pikëpamjeve dhe argumenteve të ndryshme ose të diskutueshme. Pjesëmarrësit duhet të informohen mirë dhe të respektojnë rregullat procedurale në shqyrtime, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje reciprokisht të pranueshme në vendimet e tyre.

Shqyrtimi i kujdesshëm ka të bëjë me argumentimin e kuptueshëm dhe logjik, shpalosjen dhe reflektimin mbi preferencat (personale), balancimin bashkëbisedues të interesave individuale me interesat e të tjerëve, orientimin drejt së mirës së përbashkët (solidaritetit), si dhe ndershmërinë dhe vërtetësinë.

Kjo përshkruan idealin për të cilin duhet të përpiqet një bashkësi demokratike, si në shkollë ashtu edhe në komunitet në tërësi. Në të dy nivelet, shqyrtimi i kujdesshëm duhet të mësohet përmes praktikës, megjithëse nivelet e kompetencave midis pjesëmarrësve do të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme. Për më tepër, meqenëse koha është një burim i kufizuar në praktikën e përditshme, duhet të gjendet një ekuilibër midis shqyrtimit të thellë (kurdo që është e mundur) dhe diskutimeve të rregulluara në mënyrë më të rreptë (aq sa është e nevojshme).

Pse të përpiqemi për demokraci?

Pse duhet të përpiqemi për demokraci në shkollë dhe në shoqëri si tërësi? Shoqëritë e qeverisura në mënyrë demokratike janë më mirë në shumë aspekte të rëndësishme; megjithatë, ato gjithashtu duhet të përballen me dobësi të caktuara që paraqesin sfida për një komunitet demokratik shkollor.

Fuqitë

  • Drejtësia: Meqenëse të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta të pjesëmarrjes, vendimet e marra nga shuimica ka më shumë të ngjarë të pranohen nga pakica (“pëlqimi i humbësit”).
  • Cilësia e vendimmarrjes: Meqenëse të gjithë qytetarët, ekspertët dhe grupet e interesit mund të marrin pjesë në diskutim publik dhe vendimmarrje, dhe mediet e lira e mbajnë të informuar publikun, pikëpamjet e ndryshme dhe interesat e kundërta merren në konsideratë. Vendimet kanë më shumë të ngjarë të japin zgjidhje efektive dhe të pranuara gjerësisht për problemet dhe çështjet.
  • Paqja përbrenda dhe jashtë: Komunitetet e qeverisura në mënyrë demokratike rrallë fillojnë një luftë, pasi qytetarët nuk do ta mbështesin një politikë të tillë. Ata janë gjithashtu më paqësorë dhe më pak të prirur ndaj dhunës si një mjet për të arritur një qëllim politik.
  • Angazhimi dhe përgjegjësia: Qeveritë demokratike inkurajojnë qytetarët të identifikohen me komunitetin dhe të marrin përgjegjësi.

Dobësitë (sfidat)

  • Kompleksiteti:Në shoqëritë moderne, shumë çështje janë bërë aq komplekse sa kërkohet një nivel i lartë ekspertize për t’i kuptuar ato dhe për të diskutuar masat për t’u marrë me to. Pjesëmarrja ka tendencë të bëhet sferë e qytetarëve më të informuar dhe ekspertëve.
  • Mundësitë e pabarabarta: Rrjedh se qytetarët mund të gëzojnë të drejtat e barabarta të pjesëmarrjes, por në realitet mundësitë për të marrë pjesë janë shpërndarë në mënyrë jo të barabartë. Nëse lihet pa përcjellje, kjo çështje mund të çojë në irritim dhe zhgënjim me demokracinë nga ana e atyre qytetarëve që e gjejnë veten të përjashtuar.

Këto dobësi paraqesin sfida për shkollat dhe sistemin arsimor, pasi ato mbajnë çelësin për t’i adresuar këto probleme. Fuqizimi i qytetarëve të rinj për t’u përballur me çështjet dhe problemet e komuniteteve të tyre është strategjia më e mirë për ta përgatitur brezin e ri për të ardhmen, si dhe për ta forcuar demokracinë.

Kompetencat

Fuqizimi për demokracinë mbështetet në kompetencat e fituara. Ne i zhvillojmë kompetencat tona përmes praktikës, duke u marrë me situata ose probleme të reja. Kjo shpjegon pse mundësitë e të nxënit që pjesëmarrja në një komunitet demokratik shkollor u ofron nxënësve janë kaq të rëndësishme. Modeli i kompetencave i Këshillit të Evropës bën dallimin midis katër dimensioneve të kompetencës – vlerave, qëndrimeve, aftësive dhe njohurive dhe të kuptuarit kritik.

  • Vlerat përfshijnë “njohjen e qytetarisë aktive” dhe “mbështetjen për proceset dhe procedurat demokratike”, të cilat nxënësit mund t’i përvetësojnë përmes pjesëmarrjes aktive në jetën shkollore.
  • Qëndrimet e respektit – ndaj një personi, një besimi ose një parimi – ose mendësia qytetare – “ndjenja e përkatësisë dhe e identifikimit me komunitetin” – mësohen jo përmes predikimit, por përmes përvojës personale dhe reflektimit. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që ju dhe stafi juaj (shpresojmë edhe prindërit) të shërbeni si modele të mira të sjelljes.
  • Aftësitë (shkathtësitë) përfshijnë aftësinë për të “ndërtuar konsensus dhe kompromis brenda një grupi”. Siç e dinë mësuesit, aftësitë duhet të fitohen përmes praktikës së përsëritur.
  • Njohuria dhe të kuptuarit kritik “për mënyrat e ndryshme në të cilat bashkëpunojnë qytetarët në shqyrtime publike dhe vendimmarrje” kërkon të nxënit përmes përvojës praktike dhe reflektimit në një klasë të EQD/EDNJ (Edukimi për Qytetari Demokratike/Edukimi për të Drejtat e Njeriut), por nuk mund të fitohet vetëm duke mësuar prej librit.

Këshilli i Evropës (2016): Kompetencat për kulturë demokratike, f. 35 e tutje