2. Edukimi për të drejtat e njeriut dhe lidhja e tij me Edukimin për qytetari demokratike
Living Democracy » Textbooks » Edukimi për demokraci » Pjesa 1 – Të kuptojmë demokracinë dhe të drejtat e njeriut » Njësia 3 – Edukimi për demokraci dhe për të drejtat e njeriut » 2. Edukimi për të drejtat e njeriut dhe lidhja e tij me Edukimin për qytetari demokratikeEdukimi për qytetari demokratike dhe edukimi për të drejtat e njeriut janë në ndërlidhje të ngushtë dhe në mbështetje të ndërsjellë. Ndryshimi ndërmjet tyre nuk qëndron aq në synimet dhe praktikat se sa në fokusin dhe në fushën e veprimit. Edukimi për qytetari demokratike fokusohet kryesisht në të drejtat dhe përgjegjësitë demokratike dhe në pjesëmarrjen aktive në sferat qytetare, politike, shoqërore, ekonomike, ligjore dhe kulturore të shoqërisë, kurse edukimi për të drejtat e njeriut lidhet me fushën e gjerë të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, në çdo aspekt të jetës së njerëzve.
(Karta e Këshillit të Europës për Edukimin për Qytetari Demokratike dhe Edukimin për të Drejtat e Njeriut, e miratuar në kuadrin e Rekomandimit CM/Rec(2010)7 të Komitetit të Ministrave n 11 Maj 2010).
.
Më poshtë përshkruhet më me hollësi lidhja ndërmjet EDNJ dhe EQD.
Dekada më parë, Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e specializuara të saj, njohën zyrtarisht edukimin e të drejtave të njeriut, d.m.th., të drejtën e qytetarëve për t’u informuar për të drejtat dhe liritë që përbëjnë përmbajtjen e traktateve të të drejtave të njeriut, të ratifikuara nga vendet e tyre. Qeveritë kanë përgjegjësi dhe japin llogari për zbatimin e standardeve të të drejtave të njeriut përmes ligjeve, politikave dhe praktikave. Ata raportojnë në mënyrë periodike për progresin e bërë në këtë drejtim. Organizatat mbikëqyrëse të tilla si grupet e të drejtave të njeriut ndihmojnë në regjistrimin e këtij progresi.
Është e qartë që qytetarët duhet të dinë dhe të vlerësojnë të drejtat e tyre dhe të respektojnë të drejtat e të tjerëve. Ne duhet të kuptojmë përgjegjësitë ligjore të qeverive tona në përmbushjen e të drejtave tona. Ne duhet të vlerësojmë përgjegjësitë etike të qytetarëve për të mbështetur dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut në jetën e përditshme. Njohuritë dhe prirja për të njohur dhe për të mbrojtur në mënyrë të përgjegjëshme të drejtat tona dhe të të tjerëve fillon që në fëmijëri: në familjet tona, në shkollën tonë dhe në komunitetin tonë.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, si Zyra e Komisionerit të Lartë të të Drejtave të Njeriut, UNESCO dhe UNICEF, së bashku me organizata të tjera ndërqeveritare, si Këshilli i Europës dhe agjenci kombëtare të të drejtave të njeriut, kanë propozuar, në mënyrë të veçantë, që shqyrtimi i temave të të drejtave të njeriut duhet të jetë i pranishëm në shkollë.
Edukimi i të drejtave të njeriut ka përmasën normative dhe ligjore. Përmasa ligjore përfshin njohjen e përmbajtjes së standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ashtu si ato mishërohen në traktatet dhe paktet ndaj të cilave shtetet tona janë angazhuar. Këto standarde përfshijnë të drejtat civile dhe politike si dhe ato shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Në vitet e fundit, në këtë kuadër, janë shtuar edhe të drejtat mjedisore dhe kolektive. Qasja që trajton aspektin ligjor të të drejtave pranon rëndësinë e mbikëqyrjes dhe të llogaridhënies për të siguruar që qeveritë mbështetin idenë dhe frymën e detyrimeve për të drejtat e njeriut.
Në të njëjtën kohë, EDNJ është një sipërmarrje normative dhe kulturore. Ai është një sistem vlerash që ndihmon për të reflektuar për shkallën në të cilën përvojat tona të përditshme përputhen me normat dhe vlerat e të drejtave të njeriut. Shkrirja e qasjes me bazë të drejtat e njeriut në shkollë do të trajtohet më poshtë në këtë vëllim.
Nga pikëpamja e të mësuarit në klasë, metodat ndërvepruese me në qendër nxënësit, zbatohen gjerësisht si në EDNJ, ashtu dhe në EQD. Pedagogjitë që vijojnë përfaqësojnë ato që mbështeten nga EDNJ:
- Qasja që vë në qendër përvojën dhe veprimin: përfshirja dhe nxitja e njohurive paraprake të nxënësit dhe zhvillimi i veprimtarive që bëjnë të mundur shfrytëzimin e përvojës dhe njohurive të tyre.
- Qasja problemore: sfida e njohurive paraprake të nxënësit.
- Qasja pjesëmarrëse: nxitja e përpjekjeve kolektive në qartësimin e koncepteve, analiza e temave dhe zhvillimi i veprimtarive.
- Qasja dialektike: kërkon nga nxënësit të krahasojnë njohuritë e tyre me ato nga burime të tjera.
- Qasja analitike: kërkon nga nxënësit të mendojnë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve “pse” dhe “si”.
- Qasja shëruese: nxitja e të drejtave të njeriut në raport me veten dhe në marrëdhënie me të tjerët.
- Qasja e orientuar nga mendimi strategjik: nxënësit udhëzohen të vendosin synimet e tyre dhe të mendojnë për rrugët strategjike për arritjen e tyre.
- Qasja e orientuar nga objektivi dhe veprimi: u mundëson nxënësve të planifikojnë dhe të organizojnë veprimet në lidhje me këto objektiva.11
Edukimi i të drejtave të njeriut në kurrikulën e shumë vendeve ndërthuret me edukimin për qytetari demokratike dhe edukimin global, duke u mbështetur në konceptet e edukimit qytetar dhe duke i zbatuar ato në mënyrë më të përgjithshme dhe kritike. Njohuritë për konceptet dhe faktet kryesore, çështjet e prirjeve dhe të aftësive qytetare zbatohen në fusha tëpërgjegjësisë shoqërore globale, të drejtësisë dhe të veprimit shoqëror.
Më tej, edukimi për të drejtat e njeriut kultivon përgjegjësinë sociale dhe nxit veprimin në radhët e nxënësve. EDNJ shkon përtej nxitjes së pjesëmarrjes si element i demokracisë përfaqësuese, duke i drejtuar këto veprime në të gjithë spektrin e të drejtave. Këto veprime mund të jenë të dobishme si mjet për të luftuar shtypjen dhe padrejtësinë.
Kuadri i gjerë normativ i EDNJ dhe spektri i gjerë i nxënësve të mundshëm kanë çuar në një larmi të madhe të rrugëve të zbatimit të EDNJ. Ndonëse EDNJ përcaktohet nga kuadri i pëgjithshëm i standardeve ndërkombëtare (ndonjëherë rajonale), çështjet e veçanta dhe zbatimet e tyre varen nga konteksti lokal dhe kombëtar. Edukimi i të drejtave të njeriut në mjedise shkollore përshtatet me moshën e nxënësve dhe veçoritë e politikave arsimore kombëtare/lokale dhe të shkollave.
Temat dhe përmbajtja e të drejtave të njeriut në kurrikulën shkollore mund të marrë formën e temave kroskurrikulare të udhëzuara nga politika arsimore ose ato mund të integrohen në lëndët ekiztuese, si edukimi qytetar, historia, shkencat shoqërore dhe humane. EDNJ mund të jetë pjesë e programeve të arteve dhe të klubeve jashtëshkollore, si dhe e veprimtarive të veçanta që organizohen në mjediset e shkollës.
Karta e Edukimit për Qytetari Demokratike dhe për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Europës rekomandon që këto fusha arsimore të jenë të ndërlidhura dhe të mbështetin reciprokisht njëra-tjetrën. Ato ndryshojnë më shumë në fokus dhe në fushën e veprimit, sesa nga qëllimet dhe praktikat e tyre. Edukimi për qytetari demokratike fokusohet kryesisht në të drejtat dhe përgjegjësitë demokratike si dhe në pjesëmarrjen qytetare, në lidhje me sferat qytetare, politike, shoqërore, ekonomike, ligjore dhe kulturore të shoqërisë, ndërsa edukimi për të drejtat e njeriut përqendrohet më shumë në spektrin e gjerë të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore në çdo aspekt të jetës së njerëzve.
Kur EQD dhe EDNJ ndodhen të pranishëm në mjediset shkollore, ata përforcojnë njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë.
Studimi për Edukimin Qytetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Arsimit (IEA) i botuar në vitin 1999, ka përdorur të dhëna të mbledhura nga 88000 nxënës të moshës 14 vjeç nga 27 vende.12 Analiza u krye për të shqyrtuar ndryshimet që ekzistonin ndërmjet vendeve në fushën e njohuriveqë lidhen me të drejtat e njeriut, të krahasuara me ato të formave të tjera të njohurive qytetare, si dhe qëndrimet e nxënësve në lidhje me nxitjen dhe ushtrimin e të drejtave të njeriut.
Kjo analizë tregoi që përvojat e nxënësve në lidhje me demokracinë në shkollë dhe çështjet ndërkombëtare lidhen me njohuritë e tyre për të drejtat e njeriut. Faktorë të tillë, që mund të përmblidhen në konceptin “demokraci në shkollë”,kanë rëndësi për qëndrimet e nxënësve të veçantë ndaj të drejtave të njeriut. Analiza e të dhënave të IEA vërteton që nxënësit, të cilët kanë marrë pjesë në ushtrimin e idealeve demokratike në klasë dhe shkollë, kanë më shumë të ngjarë të kenë qëndrime pozitive në zbatimin e të drejtave të njeriut. Po kështu, nxënësit që zotërojnë më shumë njohuri për të drejtat e njeriut interesohen më shumë për temat ndërkombëtare, mbështetin më shumë qytetarinë pjesëmarrëse dhe janë më të efektshëm politikisht.
Shkollat që mundësojnë EQD dhe EDNJ në kuadrin e njëra-tjetrës, po i aftësojnë nxënësit të jenë qytetarë të përgjegjshëm, që njohin dhe vlerësojnë të drejtat dhe liritë e tyre.
11. ARRC [Asia-Pacific Regional Resource Center for Human Rights Education] (2003), “What is Human Rights Education”, Paketa e Edukimit të të Drejtave të Njeriut, ARRC, Bangkok.
12. Torney-Purta J., Barber C. H. and Wilkenfeld B. (2008), “Si i kuptojnë, i mbështetin dhe i ushtrojnë të drejtat e njeriut adoleshentët e shekullit të njëzet e një”, Journal of Social Issues, 64: 1.