Instrumenti 4: Intervistë me një ekspert – Si të mbledhim informacion

Living Democracy » Textbooks » Edukimi për demokraci » Pjesa 3 – Instrumente për mësimdhënien dhe të mësuarit e demokracisë dhe të drejtave të njeriut » Njësia 1 – Instrumente për mësuesit » Instrumenti 4: Intervistë me një ekspert – Si të mbledhim informacion

Në EQD/EDNJ ka shumë situata kur nxënësve u nevojitet të grumbullojnë informacione, duke intervistuar njerëzit jashtë klasës.
Këto intervista mund të bëhen brenda klasës ose një grup i nxënësve të klasës mund t’i vizitojë ata jashtë ambienteve të saj.
Të intervistuarit mund të jenë ekspertë, në kuptimin e ngushtë të fjalës, të tillë si: anëtar i një parlamenti kombëtar ose vendor, përfaqësues i një bordi administrativ ose një shkencëtar. Por ata mund të jenë edhe persona që kanë përvojë sociale ose profesionale, të tillë si: punonjës me turne, nënë e vetme, migrant, i papunë etj.
Këtu ne do të lëmë mënjanë çështjen se cili i fton  ekspertët. Në shumicën e rasteve, ky do të jetë mësuesi, por kjo detyrë mund t’u delegohet edhe nxënësve, veçanërisht atyre të arsimit të mesëm. Përkundrazi, ne do të përqendrohemi në çështjen e përgatitjes dhe kryerjes së intervistës.
Sigurisht duhet të shmanget skenari në të cilin mësuesi ose një numër i vogël nxënësish të intervistojnë një ekspert, ndërkohë që pjesa tjetër e klasës i vëzhgon, pa kuptuar arsyen pse drejtohen disa pyetje të caktuara. Një intervistë përfshin kompetenca që janë të dobishme në çdo lloj pune me projekte, studime të fushës ose punë më të avancuara në shkencë ose media.
Një procedurë standarde model për përgatitjen e një intervistë me një ekspert përfshin hapat e mëposhtëm:

  1. Nxënësit identifikojnë një çështje të rëndësishme që meriton një studim më të hollësishëm.
  2. Mësuesi sugjeron që nxënësit të intervistojnë një ekspert. Ai  kontakton ekspertin dhe përcakton një datë për intervistë, qoftë në klasë ose në një vend jashtë shkolle.
  3. Mësuesi u shpjegon nxënësve se cila është detyra e tyre: në kohën në dispozicion për intervistë (45-90 minuta), nxënësit mund të drejtojnë një numër pyetjesh të rëndësishme. Meqenëse për secilën nga këto pyetje kyç do të duhet pak kohë për t’u përgjigjur dhe përgjigjet do të shkaktojnë disa pyetje shoqëruese, nxënësit do të duhet të vendosin se në cilat pyetje dhe çështje duhet të përqendrohen. Nxënësit do të formojnë grupe, në të cilat secili do të jetë përgjegjës për një pyetje kyçe. Secilit grup do t’i caktohet një periudhë e caktuar kohore (10-15 minuta) për të intervistuar ekspertët. Është e rëndësishme që nxënësit të kuptojnë këtë strukturë dhe qëllimin e saj, pra mësuesi duhet t’i përgjigjet çdo pyetjeje me durim dhe me kujdes.
  4. Në seancën plenare, nxënësit angazhohen për të përgatitur pyetjet ose idetë e tyre. Ata shkruajnë të gjitha pyetjet që dëshirojnë, në karta ose rip letre, duke përdorur një kartë të re për çdo pyetje. Për të kursyer kohë, mësuesi mund të kufizojë numrin e kartave për çdo nxënës në dy ose tre. Pas 5-8 minutash, këto pyetje grumbullohen në dërrasën e zezë ose në tabelë, kurse nxënësit  dalin përpara dhe paraqitin idetë e tyre.
  5. Pyetjet ndahen sipas temave ose sipas çështjeve  kryesore me të cilat lidhen.  Nxënësit më pas vendosin për pyetjen kyç që do të përdoret në intervistë dhe për radhën e paraqitjes. Në një seancë 60 minuta, nuk duhet të drejtohen më shumë se katër pyetje të rëndësishme. Si rregull, e para duhet të jetë rreth vetë personit, në mënyrë që nxënësit të kenë një ide se me cilin janë duke folur. Dhjetë minutat e fundit duhet të lihen për një diskutim të hapur ose për pyetje shtesë nga ana e nxënësve të veçantë.
  6. Nxënësit hyjnë në grupe. Ata marrin kartat me sugjerimet e nxënësve nga bordi ose tabela dhe vendosin nëse duhet të përfshihen në intervistë ose jo.
  7. Nëse nxënësit nuk kanë përvojë në intervistime, mësuesi duhet të ofrojë një udhëzim të shkurtër për  teknikën themelore të intervistimit. Pyetja e hapjes duhet të jetë e gjerë në shtrirje, duke lejuar të intervistuarin të ofrojë një gamë të gjerë informacioni dhe fjalësh kyç.  Nxënësit mund të bëjnë pyetje të tjera më të orientuara drejt qëllimit. Në përgjithësi, duhet të shmangen pyetjet, përgjigja e të cilave është po ose jo, sepse një pyetje e re është e nevojshme më pas. Nxënësit duhet gjithashtu të sigurohen që të mos përziejnë diskutimin me intervistën (“A nuk jeni ju dakord me mua se …?”).
  8. Në fund, nxënësit duhet të kenë një listë prej katër deri në gjashtë pyetje të cilat ata i kanë renditur dhe përgatitur. Për të ndërtuar besimin, klasa mund të parapërgatisë intervistën në një aktrim dramatik, me mësuesin që vepron si ekspert.
  9. Është e rëndësishme që, gjatë intervistës, të qartësohen rolet e anëtarëve të ekipit. Kush do të pyesë dhe cilat pyetje do të bëjë? Kush do t’i regjistrojë përgjigjet? Kush zëvendëson një anëtar të grupit që mungon në ditën e intervistës? Intervistuesit duhet të jenë në gjendje të mbajnë kontakte me sy me të intervistuarin, kështu që ata do të mbështeten nga një ose dy mbajtës shënimesh (shih modelin e pyetësorit më poshtë). Nuk është e këshillueshme të përdoret një regjistrues me kasetë, sepse shkrimi i tekstit të regjistruar kërkon shumë kohë.  Përkundrazi, ata duhet të përqendrohen në pikat e domosdoshme dhe të zbardhin shënimet e tyre në një tekst të plotë nga kujtesa menjëherë pas intervistës.
  10. Pas intervistës, ekipet raportojnë në klasë, me gojë dhe/ose me shkrim. Në varësi nga mediet në dispozicion, kjo mund të jetë me fletë projektimi, gazetë muri ose dokument elektronik. Tani është koha për t’ju referuar kontekstit që e bëri të mundur intervistën. A e morëm ne informacionin që na nevojitej? Çfarë kemi mësuar? Çfarë pyetje të reja na kanë lindur?
  11. Nxënësit duhet   të analizojnë procesin dhe aftësitë që kanë fituar si dhe problemet që kanë hasur. Kjo do t’i japë mësuesit informacion të rëndësishëm për planifikimin e detyrave të ardhshme.

Fletë planifikimi për një ekip interviste

Intervistë me    ___________________________________________

Data:____________             Vendi:   _________________________

Koha në dispozicion për ekipin:_____     minuta.

Ekipi Nr. ________             Çështja:________________________               

Anëtarët e ekipit:

 

Nr. Çështjet kryesore Intervistuesi Mbajtësi i shënimeve
1.
2.
3.
4.
5.
6.