Mësimi 2: A është e drejtë? (hulumtim)

Living Democracy » Textbooks » Rritemi në demokraci » KAPITULLI 3: BARAZIA – Pakicat dhe shumicat » Mësimi 2: A është e drejtë? (hulumtim)

Pakicat dhe shumicat në oborrin e shkollës

Objektivat e mësimit Nxënësit bëhen të vetëdijshëm për situatën në shkollën e tyre duke vëzhguar nxënësit e tjerë në kohën e pushimit.
Detyrat e nxënësve Nxënësit kryejnë hulumtime në oborrin e shkollë duke numëruar nxënësit pjesëmarrës në veprimtari të ndryshme. Ata shënojnë rezultatet dhe zhvillojnë biseda me nxënësit, të cilët nuk janë të përfshirë në ndonjë veprimtari.
Burimet Një kopje të tabelës për të marrë shënime në oborrin e shkollës, lapsa.
Metodat Grupe me nga katër vetë.

Informacion

Hulumtimi sasior dhe cilësor në arsimin fillor

Metodat sasiore të mbledhjes së të dhënave – statistikat – mësohen për disa arsye:
janë të dobishme për jetën e përditshme, luajnë një rol të rëndësishëm në lëndë të tjera dhe nxisin arsyetimin kritik kur përdorin të dhëna reale.

Mësimi i statistikës në shkollën fillore,  zakonisht, bëhet përmes   shkencave natyrore ose si pjesë e programit të lëndës së matematikës. Në shumë raste, në shkollën fillore,  mësimi   metodat sasiore të grumbullimit të dhënave mbetet në nivelin e nj mjeti ndihmës dhe shumë rrallë përfshin analizimin dhe interpretimin e të dhënave të grumbulluara. Për të nxitur proceset e të menduarit kritik dhe të arsyetimit, mësimi i metodave sasiore nuk duhet të ndalet deri në prezantimin e rezultateve me anë të grafikëve ose diagrameve. Është e rëndësishme të  përqendrohemi  në lidhjen e metodave të marrjes së të dhënave me ato çfarë kanë qenë zbuluar më parë, dhe  në interpretimin e rezultateve.

Shtimi i hulumtimeve cilësore i ndihmon nxënësit të fitojnë më shumë njohuri për atë që i shkakton të dhënat e regjistruara dhe  për çfarë qëndron në themel të tyre.  Në këtë kontekst, sugjerohet që nxënësit të lejohen të dalin me ide të tyret për pyetjet e intervistës. Duke bërë këtë, në një farë mënyre, nxënësit zhvillojnë kuptimin e vërtetë të çështjeve që janë duke u hetuar. Në dy mësimet e më pasme, elementet kryesore janë përdorimi i të dhënave reale nga jeta e përditshme e nxënësve dhe interpretimi i rezultateve prej tyre.

 

 

Përshkrimi i mësimit

Mësuesi e ndan klasën në grupe me nga katër vetë. Për hulumtimet e tyre, secili grup do të fokusohet në një aspekt të asaj që po ndodh në oborrin e shkollës në kohë e pushimit.
Shembuj të aspekteve për hulumtime:

  • numri i djemve dhe vajzave të angazhuara në veprimtari;
  • veprimtaritë sportive që po ndodhin;
  • lojërat e tjera që po luhen;
  • temat që diskutohen;
  • veprimtaritë e ndryshme të nxënësve të rinj dhe të vjetër.

Secilit grup do t’i caktohet një aspekt i hulumtimit për të gjetur të dhëna rreth pakicave dhe shumicave në shkollën e tyre. Grupi duhet të formulojë  temën kërkimore ku dëshiron të përqendrohet. Nxënësit  shkruajnë pyetjen e tyre kryesore në kopjen e shtypur të tabelës së hulumtimit.

Shembuj të pyetjeve:

  • “Sa djem dhe vajza janë të përfshirë në veprimtaritë gjatë pushimit?”
  • “Çfarë lloje veprimtarish sportive luhen në kohën e pushimit dhe nga kush?”

Përveç kësaj, nxënësit duhet të formulojnë një grup prej jo më shumë se pesë pyetjesh, në lidhje me temën e kërkimit që dëshirojnë të zhvillojnë ndaj nxënësve të tjerë në oborrin e shkollës.

Shembuj:

  • “Pse mendoni se ka më shumë djem / vajza që zhvillojnë këtë veprimtari?”
  • “Pse mendoni se ka më pak djem / vajza që e luajnë këtë lojë?”
  • “Çfarë do të dëshironit të ndryshonit?”

Gjatë pushimit të gjatë, nxënësit shkojnë në oborrin e shkollës dhe vijojnë kërkimin në grupe. Në varësi të nivelit organizativ të klasës, puna mund të ndahet edhe brenda grupit (dy prej anëtarëve  marrin të dhëna për rezultatet sasiore, ndërsa dy të tjerë parashtrojnë pyetjet cilësore dhe mbajnë shënime).

Pasi të ketë përfunduar kërkimi, nxënësit kthehen në klasat e tyre dhe diskutojnë për rezultatet e tyre brenda grupeve. Cila është përshtypja e tyre e përgjithshme? A kanë rezultate të ngjashme?