KAPITULLI 5: RREGULLAT DHE LIGJI – Baza e të jetuarit së bashku

Living Democracy » Textbooks » Rritemi në demokraci » KAPITULLI 5: RREGULLAT DHE LIGJI – Baza e të jetuarit së bashku

Kapitulli 5: Koncepti kyç – “Rregullat dhe ligji” (për arsimin fillor)

Informacion për mësuesit: marrëveshje mbi bazën e parimeve demokratike – Rregullat tona të reja shkollore

Në vitet e fundit, ka pasur diskutime në lidhje me çështjen e parimeve demokratike. Çfarë është një demokraci sipas të kuptuarit të sotëm? A ka demokraci të mira dhe të këqija? A është e mjaftueshme një kushtetutë demokratike që një shtet të quhet demokratik? Shumë grupe dhe parti politike e quajnë veten demokratike ose e përfshijnë fjalën “demokraci” në emrat e tyre. Çfarë tregon kjo? Çfarë do të thotë kjo për anëtarët e këtyre grupeve?

Në thelb, është e qartë se demokracia nuk mund të imponohet. Një demokraci ka nevojë për një kuadër ligjor, një kushtetutë dhe marrëveshje të ndryshme, në mënyrë që ajo  të funksionojë. Ajo do të jetë efikase vetëm nëse njerëzit ndiejnë nevojën për të marrë pjesë në shoqërinë e tyre. Pjesëmarrja mund të shfaqet në forma të ndryshme dhe të zhvillohet në fusha të ndryshme; ajo realizohet në mënyra të ndryshme në shtete të ndryshme. Në thelb, demokracia do të thotë që njerëzit bëjnë ligjet me të cilat ata vetë duan të jetojnë. Në mënyrë ideale, kërkohet që, në të tilla procese, të marrin pjesë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Çfarë duam të rregullohet? Kush duhet t’i bindet këtyre rregullave? Pse kemi nevojë për këtë ose atë rregull? Si merremi ne me problemin e madh të shkeljes së rregullave dhe ligjeve?

Në këtë kapitull, nxënësit jo vetëm që mësojnë në lidhje me një parim të rëndësishëm të demokracisë, por atyre u ofrohet edhe përvoja praktike për të. Përvoja tregon se nxënësit bëhen më të vetëdijshëm dhe më të përgjegjshëm, nëse janë të integruar në procesin e vendimmarrjes. Një grup njerëzish që jetojnë duke kaluar kohën së bashku duhet të hartojnë rregulla të cilat mundësojnë jetën e tyre së bashku. Fëmijët dhe adoleshentët kalojnë më shumë kohë në shkollë se kudo tjetër. Në këtë kapitull bëhet e qartë se shkolla është vendi ku mësohet. Në të, “jetojnë” dhe mësojnë së bashku shumë njerëz me nevoja shumë të ndryshme. Kjo jetesë e përbashkët duhet të rregullohet në një farë mënyre. Konfliktet, të cilat janë krejtësisht të natyrshme, duhet të gjejnë zgjidhje dhe interesat e pakicave të ndryshme duhet të mbrohen.

Demokracia shpesh ngatërrohet me idenë se të gjithë mund të bëjnë atë që dëshirojnë. Një koncept i tillë nuk përputhet me parimin e demokracisë. Demokracia është e bazuar në idenë se rregullat dhe ligjet janë bërë nëpërmjet proceseve të pjesëmarrjes, të cilat janë transparente për të gjithë. Këto rregulla dhe ligje edhe mund të ndryshohen. Këto parime janë objekt i kapitullit në vijim.

Qëllimi i edukimit për qytetari demokratike është që të mbështesë zhvillimin e kompetencave në tri fusha. Ky kapitull ka profilin e mëposhtëm të kompetencës.

Kompetenca në …
… analizë dhe gjykimin politik … përdorimin e metodave … vendimmarrjen dhe veprimin politik
** * ***
Mbështetja me mjete
Në këtë kapitull do të përdoren mjetet e mëposhtme nga kutia e mjeteve të nxënësit. Mësuesi duhet të vendosë nëse disa ose të gjithë nxënësit kanë nevojë për përgatitje shtesë që të jenë në gjendje të punojnë me këto mjete.
0 Hulumtim në biblioteka
0 Hulumtim në internet
0 Kryerja e intervistave dhe sondazheve
0 Interpretimi i imazheve
X Harta mendore
0 Krijimi i posterave
0 Ekspozita të përbashkëta
X Planifikimi dhe paraqitja e prezantimeve
0 Përgatitja e sliderave për projektor ose një prezantim në PowerPoint
0 Shkrim artikuj gazetash
X Organizimi i një shfaqjeje
X Debate të përbashkëta

 

KAPITULLI 5: Rregullat dhe ligji

Baza e të jetuarit së bashku
Marrëveshja për bazën e parimeve demokratike – Rregullat tona të reja shkollore

Titulli i mësimit Objektivat e mësimit Detyrat e nxënësve Burimet Metodat

Mësimi 1:

Pse kemi nevojë për rregulla dhe ligje?

Nxënësit:

– reflektojnë për qëndrimet dhe besimet e tyre vetjake në lidhje me rregullat ekzistuese;

– diskutojnë rëndësinë e ekzistencës së rregullave për të jetuar dhe punuar së bashku;

– zhvillojnë të kuptuarit e domosdoshmërisë së rregullave.

Nxënësit marrin pjesë në një lojë simulimi dhe përjetojnë funksionimin e rregullave. Ata listojnë dhe ndajnë midis tyre idetë në lidhje me nevojën për rregulla.

Nxënësit  shohin përputhjen e rregullave të shkollës me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shkollë.

Topa të butë, tabelë, lapsa, lista e rregullave të shkollës. Puna në grupe, diskutim plenar, punë në çifte.

Mësimi 2:

Çfarë ndodh nëse …?

Nxënësit:

–          diskutojnë pasojat e thyerjes së ligjit;

– reflektojnë për rregullat e shkollës në lidhje me parimet e drejtësisë, barazisë, pjesëmarrjes dhe respektit.

Nxënësit praktikohen duke luajtur role në të cilat thyhen rregullat e shkollës. Ata analizojnë rregullat ekzistuese shkollore dhe diskutojnë e mbajnë shënime për pasojat reale dhe ato të mundshme të thyerjes së rregullave. Ata tregojnë çfarë do të donin që të ndryshonin në rregullat e shkollës, pse do t’i ndryshonin ato dhe si. Ngjitës, lapsa, tabelë, lista e rregullave të shkollës për secilin grup, një version i rregullave të shkollës, e shkruar me shkronja të mëdha në tabelë ose në dërrasën e zezë. Loja me role në grupe, diskutim plenar, punë në grup.

Mësimi 3:

Rregullat tona të reja shkollore

Nxënësit:

–          mësojnë se si të punojnë me një numër rregullash të përbashkëta të cilat janë të detyrueshme për të gjithë në shkollë;

– diskutojnë mënyrat realiste të integrimit në jetën e përditshme të shkollës.

Nxënësit arrijnë një marrëveshje për rregullat të cilat janë pranuar nga shumica dhe për të diskutuar mundësitë e integrimit të mendimit të pakicës. Tabelë, lapsa, skedat e votimit, lista e rregullave të shkollës për tabelë ose në dërrasën e zezë, copat e prera bukur të letrës. Punë në çifte dhe në grup.

Mësimi 4:

Një fushatë për rregullat tona të reja shkollore

Nxënësit:

– kuptojnë kriteret e rëndësishme për ligje të mira;

– mësojnë se si bëhet fushatë për rregulla të reja shkollore.

Nxënësit vendosin kritere të ndryshme për rregulla të mira. Ata provojnë rregullat e reja të shkollës, në bazë të këtyre kritereve të ndryshme. Ata shkruajnë marrëveshjen përfundimtare dhe e nënshkruajnë atë. Ndërkohë e paraqesin marrëveshjen e tyre në klasat e tjera në shkollë. Tabelë, materialet e shkruara, letër, lapsa, kopje e marrëveshjes për klasat e tjera, rezultatet e seancës së ideve nga mësimi 1. Puna në çifte, diskutim plenar, prezantime në klasat e tjera.