Mësimi 1: Pse kemi nevojë për rregulla dhe ligje?

Living Democracy » Textbooks » Rritemi në demokraci » KAPITULLI 5: RREGULLAT DHE LIGJI – Baza e të jetuarit së bashku » Mësimi 1: Pse kemi nevojë për rregulla dhe ligje?

Çfarë lloje rregullash janë të nevojshme për të mësuar, jetuar dhe luajtur së bashku në shkollë?

 

Objektivat e mësimit Nxënësit reflektojnë për qëndrimet dhe besimin e tyre vetjake në lidhje me rregullat ekzistuese, diskutojnë rëndësinë e ekzistencës së rregullave për të jetuar dhe punuar së bashku dhe zhvillojnë kuptimin e domosdoshmërisë së rregullave.
Detyrat e nxënësve Nxënësit marrin pjesë në një lojë simulimi dhe përjetojnë funksionimin e rregullave. Ata listojnë dhe ndajnë midis tyre idetë në lidhje me nevojën e rregullave. Nxënësit përputhin rregullat e shkollës me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shkollë.
Burimet Topa të butë, tabelë, lapsa, lista e rregullave të shkollës.
Metodat Punë në grupe, diskutim plenar, punë në çifte.

 

Përshkrimi i mësimit

Klasa  luan lojën “Hamendëso rregullat e mia”. Mësuesi e ndan klasën në dy grupe dhe u shpjegon nxënësve se ata do të luajnë një lojë dhe të hamendësojnë rregullat.

Shpjegim:

  • Çdo ekip mund të bëjë një gol duke shënuar me top në hapësirën e shënuar;
  • Vetëm mësuesi i di rregullat;
  • Mësuesi nuk i shpjegon rregullat dhe nxënësit nuk mund të pyesin cilat janë ato;
  • Kur thyejnë një rregull, nxënësit duhet të ulen;
  • Qëllimi i lojës është që nxënësit të shënojnë gol pa thyer rregullat; nxënësit kanë për detyrë që të zbulojnë e të kuptojnë se cilat janë rregullat që të mos i thyejnë.

Rregullat janë:

  • Të gjithë mund të luajnë në lojë.
  • Vetëm djemtë mund të gjuajnë topin me këmbë.
  • Nxënësit, të cilit i fillon emri me shkronjën “A” nuk mund të vrapojë.
  • Askujt nuk i lejohet të lëvizë me top.
  • Dhuna është e lejuar.

Dy minutat e para të lojës luhen duke u përdorur vetëm dy rregullat e parë. Pastaj, mësuesi përfshin edhe rregullat e tjera dhe e gjithë loja zgjat  rreth pesë minuta.
Pasi loja përfundon, mësuesi i mbledh nxënësit dhe diskuton pikat e mëposhtme me ta:

  • Çfarë mendoni për lojën? A ishte e mirë? E keqe? E drejtë?
  • Si mësuat për ekzistencën e disa rregullave?
  • Çfarë ndjesish u krijoi mosnjohja e rregullave?

Mësuesi   regjistron përgjigjet e nxënësve në tabelë ose në dërrasën e zezë. Pyetja kryesore është “Pse kemi nevojë për rregulla në shkollë?”  Mësuesi mund të shkruajë diçka në tabelë ose në dërrasën e zezë, në varësi të përgjigjeve. Kriteri kryesor në lidhje me “barazinë”, “pjesëmarrjen”, “drejtësinë” dhe “respektin” duhet të jetë i pranishëm në dërrasën e zezë, në fund të seancës mësimore. Mësuesi shënon  rezultatet për t’i përdorur në mësimin 4.

Në shkollë mund të ketë rregulla vetëm nëse nxënësit kanë të drejta dhe përgjegjësi. Nxënësve u jepet detyra që të rendisin të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shkollë dhe, më pas, t’i krahasojnë ato me rregullat e shkollës. Nxënësit punojnë në çifte dhe shkruajnë të drejtat, përgjegjësitë dhe rregullat në letrat në dispozicion. Ata i shfaqin letrat e tyre në tabelë ose në dërrasën e zezë.
Pasi të gjitha letrat janë vendosur në të, nxënësit i hedhin një vështrim tabelës dhe mund të bëjnë pyetje për shokët e klasës.