KAPITULLI 6: Pushteti dhe autoriteti – Unë jam shefi! A jam unë?

Living Democracy » Textbooks » Rritemi në demokraci » KAPITULLI 6: Pushteti dhe autoriteti – Unë jam shefi! A jam unë?

Kapitulli 6: Koncept kyç – “Pushteti dhe autoriteti”

Informacion për mësuesit: pushtet legjitim – parimi i delegimit në arsimin fillor

Nxënësit e moshës 10 vjeç dhe ata më të mëdhenj në moshë, janë në gjendje të mendojnë në mënyrë   abstrakte. Ata mund të njohin dhe të zhvillojnë struktura në mjedisin e tyre dhe janë të aftë të dallojnë  interesat e veta dhe ato të të tjerëve. Me rritjen e moshës, ata do të jenë më të aftë për ta bërë këtë gjithmonë e më mirë.

Nga mosha 10 vjeçare, nxënësit fillojnë të kuptojnë lidhjet ndërmjet hapësirës dhe kohës, si dhe fillojnë të zhvillojnë aftësinë për të shprehur dhe perceptuar ndjenjat dhe të njohin normat. Në këtë moshë, nxënësit fillojnë të njohin mjaft mirë mjedisin ku jetojnë dhe  të tregojnë interes më të madh për të panjohurat. Perceptimi i tyre për sistemet shoqërore (shoqatat, klubet, grupet e të rinjve etj.) bëhet më i hollësishëm, për rrjedhojë, ata motivohen dhe përfshihen në mbrojtjen e njerëzve të tjerë, madje edhe organizohen për interesat e tyre.

Jeta në komunitetin e klasës dhe të shkollës bëhet më e rëndësishme. Si është organizuar jeta e komunitetit? Cilët rregulla janë të rëndësishme? Kush i zhvillon dhe i vendos këto rregulla? Kush mund t’i ndryshojë këto rregulla?

Për t’u përgjigjur këtyre pyetjeve, janë të nevojshme jo vetëm njohuritë politike për sistemet e komunitetit ose, në një kuptim më të gjerë, për shtetin, por edhe aftësitë për të ndikuar në strukturat dhe proceset brenda këtij komuniteti – me fjalë të tjera, për të “jetuar” demokracinë.

Veçanërisht në arsimin e mesëm, kushtet për fillimin e pjesëmarrjes në projektet jashtë shkollës
janë shumë pozitive për psikologjinë zhvillimore të fëmijës. Nxënësit mund të njohin ciklin e proceseve politike dhe të kuptojnë procesin e vendimmarrjes. Për më tepër, shumica e vendimeve për nxënësit e kësaj moshe merren në nivel komuniteti (të tilla si trafiku, objektet e kohës së lirë etj.). Nxënësit mund të fitojnë ide të rëndësishme, nëse nxiten  për të marrë për vete përgjegjësi sociale dhe nëse ndjehen përgjegjës për një pjesë të jetës së tyre shkollore. Duke trajtuar tema të tilla  si delegimi, ata mund të grumbullojnë përvoja konkrete të pjesëmarrjes dhe të  përgjegjësisë gjatë jetës së tyre të përditshme. Sa më shumë përvojë nga bota reale që të kenë nxënësit e kësaj moshe, dhe sa më shumë përvojë t’u japin këto situata kur ata mund të kenë ndikim në proceset politike, aq më e lartë do të jetë mundësia që ata më vonë të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse dhe të zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë për shoqërinë.

Pushteti dhe autoriteti – parimi i delegimit – është një hap drejt ngritjes së vetëdijes. Seria e ardhshme e mësimeve përvijon proceset politike në shkollë, në mënyrë të ngjashme edhe me veprimtaritë që zhvillohen jashtë shkollës. Në këtë drejtim, zgjedhja e kreut të klasës nuk duhet të jetë një aktivitet i izoluar, por një që duhet të përdoret si model. Në ndryshim me aktivitetet shkollore: të tilla si zgjedhjet formale, ku nxënësit kopjojnë ose rikopjojnë zgjedhjet politike, zgjedhja e një kreu të klasës (ai që shpesh quhet kujdestari i klasës), duhet të ketë një ndikim në jetën e përditshme në shkollë.

Qëllimi i edukimit për qytetari demokratike është që të mbështesë zhvillimin e kompetencave në tri fusha. Ky kapitull ka profilin e mëposhtëm të kompetencës.

Kompetenca në …
… analizë dhe gjykimin politik … përdorimin e metodave … vendimmarrjen dhe veprimin politik
** *** **
Mbështetja me mjete
Në këtë kapitull do të përdoren mjetet e mëposhtme nga kutia e mjeteve të nxënësit. Mësuesi duhet të vendosë nëse disa ose të gjithë nxënësit kanë nevojë për përgatitje shtesë që të jenë në gjendje të punojnë me këto mjete.
0 Hulumtim në biblioteka
0 Hulumtim në internet
0 Kryerja e intervistave dhe sondazheve
0 Interpretimi i imazheve
0 Harta mendore
0 Krijimi i posterave
0 Organizimi i ekspozitave
X Planifikimi dhe paraqitja e prezantimeve
0 Përgatitja e sliderave për projektor ose një prezantim në PowerPoint
0 Shkrim artikujsh gazetash
0 Vënia e një shfaqjeje
X Debate të përbashkëta

 

Kapitulli 6: Pushteti dhe kompetencat

Unë jam shefi! A jam unë?
Pushteti legjitim – parimi i delegimit në arsimin fillor

Titulli i mësimit Objektivat e mësimit Detyrat e nxënësve Burimet Metodat

Mësimi 1:

Superheroi?

Nxënësit:

– reflektojnë rreth konceptit të përgjegjësisë dhe autorizimit, duke  diskutuar për pozitën e kreut të klasës.

Nxënësit diskutojnë për përgjegjësitë, kompetencat dhe pozitën që duhet të ketë kreu i klasës. Tabelë, lapsa, materiale të shtypura, foto e madhe e një superheroi. Punë individuale, punë në grup, diskutim plenar.

Mësimi 2:

Djem të mirë, të këqij…?

Nxënësit:

–          kuptojnë idenë se një person mund të përfaqësojë një grup njerëzish.

– zhvillojnë kuptimin e konceptit të delegimit të pushtetit dhe përgjegjësisë.

Nxënësit krahasojnë mendimet e tyre me një skemë të përfaqësimit politik në një demokraci. Ata diskutojnë pikëpamjet e tyre për politikanët, duke bërë krahasimin me mendimet e njerëzve të tjerë. Ata kryejnë intervista të shkurtra për të realizuar këtë gjë. Skema e përfaqësimit politik, lapsa, letër. Punë individuale, punë në çifte, diskutim plenar.

Mësimi 3:

Një person bën çdo gjë, pjesa tjetër nuk bën asgjë

Nxënësit:

–          reflektojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e pozicioneve të ndryshme në procesin e zgjedhjeve dhe pasojat e tij.

Nxënësit paraqesin rezultatet e intervistave të tyre në klasë. Ata përcaktojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e pozicioneve të ndryshme dhe zgjedhin një nxënës si kreun (kujdestarin) e klasës. Tabelë, lapsa, skedat e zgjedhjeve, lista e nxënësve të interesuar për pozitën e kreut të klasës, kopje të materialit të shtypur. Diskutim plenar.

Mësimi 4:

Ndarja e pushtetit

Nxënësit:

–          njohin konceptet e rizgjedhjes dhe mos-përzgjedhjes.

– reflektojnë kriteret për përcaktimin e sistemit të përfaqësimit

Nxënësit diskutojnë dhe përcaktojnë kriteret që i lejojnë ata të kontrollojnë veprimtarinë e kreut (kujdestarit) të klasës. Tabelë, lapsa. Diskutim plenar.