Mësimi 3: Një person bën çdo gjë, pjesa tjetër nuk bën asgjë?

Living Democracy » Textbooks » Rritemi në demokraci » KAPITULLI 6: Pushteti dhe autoriteti – Unë jam shefi! A jam unë? » Mësimi 3: Një person bën çdo gjë, pjesa tjetër nuk bën asgjë?

Kush do ta luajë një rol të dhënë në sistemin e përfaqësimit?

 

Objektivat e mësimit Nxënësit reflektojnë për përgjegjësitë dhe kompetencat e pozicioneve të ndryshme dhe kuptojnë  procesin e zgjedhjeve dhe pasojat e tij.
Detyrat e nxënësve Nxënësit paraqesin rezultatet e intervistave të tyre në klasë. Ata përcaktojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e pozicioneve të ndryshme dhe zgjedhin kreun (kujdestarin) e klasës.
Burimet Tabelë, lapsa, skedat e zgjedhjeve, lista e nxënësve të interesuar për pozitën e kreut të klasës, kopje të materialit të shtypur.
Metoda Diskutim plenar.

Përshkrimi i mësimit

Nxënësit sjellin në klasë rezultatet e intervistave të tyre nga mësimi 2. Rezultatet paraqiten me anë të një fjalie, nga çdo nxënës.  Mësuesi i shkruan përgjigjet në lidhje me kompetencat e politikanëve në tabelë ose në dërrasën e zezë, në mënyrë që nxënësit të mund të vënë në dukje prirjet në përgjigjet e dhëna.

Mësuesi i kthehet  pyetjes e që lidhet me kreun e klasës si funksion politik. Lista e emrave të të gjithë nxënësve të interesuar për këtë pozicion vendoset në dërrasën e zezë. Mësuesi sqaron që për të ditur  për kë   të votojnë, klasa duhet të dijë më shumë për kreun e ardhshëm të klasës dhe rreth kompetencave dhe ideve të tij. Kandidatëve iu kërkohet të bëjnë një prezantim të shkurtër për veten, që nuk duhet të zgjasë më shumë se dy minuta. Fokusi kryesor i prezantimeve të tyre duhet të jetë “Çfarë do të bëj unë” .

Pasi të gjithë kandidatët kanë paraqitur veten, nxënësve duhet t’u jepet mundësia për të bërë pyetje. Ata mund t’i drejtohen një personi individualisht, por  mund të bëjnë pyetje të cilave duhet t’u përgjigjen të gjithë kandidatët. Pas kësaj, nxënësit  votojnë për kandidatët. Mësuesi paraqet dy lloje të ndryshme votimi: votimi i  hapur dhe votimi i fshehtë. Nxënësit vendosin se cilën procedurë duan të ndjekin.

Në qoftë se vendosin për votim të fshehtë, ata duhet të plotësojnë emrin e kandidatit të tyre të dëshiruar në fshehtësi. Pastaj duhet t’i hedhin  fletët e votimit  në një shportë ose kuti. Dy nxënës duhet të jenë përgjegjës për numërimin e votave dhe për të shënuar rezultatet në tabelë ose në dërrasën e zezë. Nxënësit që numërojnë  votat  shpallin emrin e personit që  zgjidhet si kreu   i klasës, si dhe emrin e atij që vjen i dyti, pasi  ai   do të jetë nënkryetari (zëvendës kujdestari) i klasës.

Mësuesi u jep nxënësve detyrën e mëposhtme për të bërë në shtëpi: “Shkoni në shtëpi dhe pyesni prindërit tuaj se kur votuan për herë të fundit në zgjedhje, çfarë lloj zgjedhjesh ishin, ku u zhvilluan dhe si ishin organizuar.” (Mësuesi duhet të kujdeset që nxënësit të mos u kërkojnë prindërve se për cilët kandidat kanë votuar etj.). Përdorni fletën e punës  për këtë detyrë.