Mësimi 4: Ndarja e pushtetit
Living Democracy » Textbooks » Rritemi në demokraci » KAPITULLI 6: Pushteti dhe autoriteti – Unë jam shefi! A jam unë? » Mësimi 4: Ndarja e pushtetitCilat kritere përcaktojnë sistemin e përfaqësimit?
Objektivat e mësimit | Nxënësit njihen me konceptet e rizgjedhjes dhe mos-përzgjedhjes. Ata reflektojnë kriteret për përcaktimin e sistemit të përfaqësimit. |
Detyrat e nxënësve | Nxënësit diskutojnë dhe përcaktojnë kriteret që i lejojnë ata që të kontrollojnë puna e kreut (kujdestarit) të klasës. |
Burimet | Tabelë, lapsa. |
Metoda | Diskutim plenar. |
Përshkrimi i mësimit
Nxënësit sjellin përgjigjet e prindërve të tyre për zgjedhjet në klasë. Ata ulen në grupe me nga katër vetë dhe diskutojnë për to.
Në vijim, mësuesi u lexon nxënësve një histori në lidhje me kryebashkiakun e një qyteti të vogël.
Na ishte një herë një qytet i vogël i quajtur Bortaun ku njerëzit ishin të pakënaqur. Kishte disa arsye për këtë. Bortaun nuk ishte shumë interesant dhe e vetmja gjë që mund të bëhej ishte të vizitoje parkun e qytetit. Nuk kishte as dyqane interesante, as koncerte dhe as vende për aktivitete sportive. Nuk kishte as edhe ndonjë kënd lojërash për fëmijët, as edhe në kopshtin e fëmijëve ose në shkolla. Popullit të Bortaunit i mbetej vetëm të shëtiste në park, të ulej dhe të shihte pellgun me ujë. Fëmijët ktheheshin në shtëpi nga shkolla, bënin detyrat e shtëpisë, shkonin në park e vraponin rreth pellgut. Në mbrëmje, njerëzit në Bortaun nuk kishin asgjë për të treguar, as përvojën e duhur dhe as kujtime për t’i ndarë me njëri-tjetrin. Një ditë ishte njëlloj si tjetra për popullin e Bortaunit.
Pse ishte kjo gjendje? A ishte Bortaun tepër i varfër, për të ndërtuar ndërtesa të reja? A ishin njerëzit në Bortaun tepër dembelë për të bërë ndonjë gjë? Jo, padyshim jo. Vetëm se nuk ishte askush në krye të punëve për të organizuar gjërat si duhet, me sa duket, askush nuk dëshironte të merrte përgjegjësi për të filluar në ndryshimin. Ndryshe nga shumë qytete të tjera të vogla, Bortauni nuk kishte një kryetar të qytetit, një kryebashkiak.
Meqenëse, situata në Bortaun ishte bërë e padurueshme, një të diel, një grup njerëzish në park vendosën të zgjedhin dikë që të ishte në krye të Bortaunit . Ata vendosën të zgjidhnin një kryebashkiak. Diçka duhej të ndryshonte! Dhe shpejt!
Nuk ishin shumë njerëz që dëshironin ta bënin këtë punë. Vetëm dy kandidatë qëndruan në listë për zgjedhjet. Njëri nga kandidatët ishte mësuesi i zonës, zoti Knoules, i cili donte të ndryshonte gjërat që kishte në shkollë dhe jashtë saj. Ai kishte disa mendime si ta bënte këtë, por kur njerëzit e pyesnin se çfarë do të ndryshonte në Bortaun, ai u tha se, për momentin, nuk e dinte dhe se më parë ai duhej të pyeste banorët e qytetit se çfarë mendonin dhe çfarë u nevojitej. Shumë njerëz mbeteshin të zhgënjyer. Ata kishin menduar se zoti Knoules do të dilte me disa ide: për një qendër të madhe tregtare me kinema dhe një sallë ushqimi. Ata mendonin se, më në fund, do të kishin pishinën e madhe të notit që ëndërronin. Ata mendonin se zoti Knoules do të premtonte të ndërtonte një sallë koncertesh. Çfarë zhgënjimi ishte ky për banorët e Boretaunit!
Ndërkaq, kur kandidati i dytë, Z. Slimington, doli në skenë, populli i Bortaunit nuk priste shumë prej tij. “Kjo është humbje kohe; asgjë nuk do të ndryshojë në Bortaun,” tha një nga pleqtë. “Unë mendoj se keni të drejtë”, pëshpëriti një grua plakë pranë tij. Mr Slimington, një i ri bukurosh, filloi fjalimin e tij. Foli shumë për Bortaunin si vendlindjen e tij, duke përmendur edhe shkollën, parkun ku ishte rritur, si dhe mjaft gjëra të tjera që duhej të ndryshonin në Boretaun. Ai foli edhe për terrenet sportive, aq të nevojshme për fëmijët, madje foli edhe për pishinën e re të notit, që të gjithë e donin, përmendi sallën e koncerteve të shumëpritur, madje përmendi edhe një sallë patinazhi për të rinjtë. Fjalimi i Z. Slimington bëri që fytyrat e njerëzve të Bortaunit të ndriçonin nga gëzimi. Papritmas të gjithë u qeshën. “Ndoshta ne e kishim gabim”, pëshpëriti përsëri gruaja e moshuar. “Po, ndoshta”, u përgjigj edhe plaku, që tashmë përfytyronte dëshirën e madhe për të notuar në pishinën e re.
“Si do t’i paguajmë këto?” pyeti Z. Slimington audiencën. “Nuk ka problem! Unë sugjeroj që ne të gjithë të vëmë së bashku një pjesë të kursimeve tona dhe do të ndërtojmë gjërat e njëra pas tjetrës. Në këtë mënyrë do të fitojmë të gjithë diçka”. Kjo iu duk e hapur dhe e drejtë popullit të Bortaunit. Kur zgjedhjet u zhvilluan të dielën në vijim, vetëm dy njerëz nga i gjithë Bortauni nuk votuan për z Slimington. Ai ishte fitues i qartë. Dy njerëzit e vetëm që kishin votuar për z Knoules, ishin ai vetë dhe e ëma e tij. Por, tani gjërat do të ndryshonin në Bortaun. Të gjithë e dinin këtë. Më në fund, ishte dikush që kish ide të qarta se çfarë do të bënte dhe sesi do të paguhej për to. Nuk kishte asnjë dyshim se kushdo që e donte me gjithë mend Bortaunin do t’ia jepte Z. Slimington të gjitha paratë e kursyera në vite – dhe ai i mori me kënaqësi të gjitha paratë që njerëzit ia dhanë.
Për një kohë të gjatë pas zgjedhjeve, populli i Bortaunit ishte i gëzuar, pasi e dinte që, së shpejti, do t’i kishte të realizuara të gjitha gjërat që ata dëshironin. Muaj të tërë shkuan, por ende nuk po shfaqeshin ndërtimet në Bortaun; nuk shiheshin fadroma për të filluar punimet e ndërtimit dhe, gjëkundi, nuk qenë parë punëtorë të punonin për ndërtimet e reja.
Një pasdite, një makinë i ra përqark Bortaunit, me në krye diçka qesharake, në formë rrethore dhe me ngjyrë blu. “Ka ardhur pishina jonë”, bërtiti një nga djemtë e vegjël në oborrin e shkollës. Britma e tij u shoqërua me një e “Bukur” nga gjithë të tjerët. Por, ajo që zbuluan vetëm disa ditë më vonë ishte se pishina qe dërguar në shtëpinë e z Slimington dhe ishte montuar në kopshtin e tij. Njerëzit filluan të çuditen. Disa filluan të dyshojnë në premtimet e tij, por disa ende besonin se pishina e tyre do të ndërtohej së shpejti. Megjithatë ata vendosën të tregohen të durueshëm.
Vetëm një javë më vonë, një grup njerëzish të moshuar panë një makinë të madhe të shtrenjtë, që shndrinte nga ari dhe shkëlqente në rrezet e diellit. “Ha! Ha!” Ndoshta, ndoshta do të ketë ndonjë vizitë prej Mbretëreshës” bëri shaka një nga pleqtë. Të tjerët u bashkuan me të qeshura, derisa panë që pas timonit u ul Z. Slimington. Në vend të përdorte paratë për terrenet e reja sportive, ai i kishte blerë vetes një makinë të re. Njerëzit në Boretaun u mërzitën edhe më tepër.
Një javë më pas ndodhi një incident tjetë. Z. Leterman, postieri ynë, që po kthehej në Bortaun nga ecejaket e tij të përditshme, u thoshte shokëve të tij se çfarë i kishte ndodhur atë ditë. “A e merrni dot me mend, kur unë… po kthehesha nga vila e Z. Slimington, dëgjova një zhurmë që dukej si për të qeshur, diçka si tingujt që lëshon një elefant. Kështu që m’u desh të ndaloja, për të hedhur një vështrim nga më afër. “Dhe, çfarë patë?” e pyetën shokët, që po e dëgjonin me interes. “Kjo duket se është një gjë e pabesueshme; kur vura re përmes gardhit metalik, pashë një elefant i madh. Pikërisht ky elefant e kishte bërë atë zhurmë të tmerrshme”. “Vërtet?” e pyetën miqtë e tij me mosbesim. “Po, me të vërtetë, derisa unë zbulova se ishte vetëm një film. Veçse unë, më parë, kurrë nuk kisha parë një ekran kinemaje të tillë, kaq të madh! Atëherë i thashë Z. Slimington se ai paskej ndërtuar për vete një kinema kaq të madhe, kinemanë më të madhe në botë!” Askush nuk mund ta besonte këtë. Çfarë kishte ndodhur me sallën e tyre të koncerteve? Njerëzit në Bortaun u mërzitën aq sa s’tregohet. Por çfarë mund të bënin ata? Në fund të fundit, ata kishin votuar për të.
“Kjo nuk është puna ime”, tha zoti Knoules, mësuesi, kur një grup i banorëve, që kishin vendosur më parë për të mbajtur zgjedhjet në qytet, erdhën për t’i kërkuar një këshillë. “Ju votuat për të dhe tani ai është kryetari i Bortaunit”, theksoi Z. Knoules. “Sigurisht, por kjo është e padrejtë”, thanë banorët. “Ai e ka përdorur edhe pjesën tjetër të parave që do të përdorej për parkun dhe për patinazhin, për të ndërtuar për vete një restorant të preferuar, në kopshtin e tij. Tani ai mund të hajë sa të dojë çdo ditë hamburgerë e sufllaqe. Dhe ne të gjithë, ende rrimë ulur në park dhe mërzitemi, dhe fëmijët tanë ende janë ulur aty në park dhe mërziten”. “Unë e di, e kam të qartë”, tha Z. Knoules, duke mbyllur paksa sytë dhe duke fërkuar mjekrën me dorë. “Unë e di, e kam të qartë dhe ne duhet të bëjmë diçka …”
Në grupet e tyre, nxënësit diskutojnë si mund të vazhdonte historia, duke u fokusuar në tri pyetje:
- Çfarë mund të bënte populli i Bortaunit më parë?
- Çfarë mund të bënin ata tani? Në fund të fundit, ata kishin votuar për z Slimington, si i pari i vendit.
- Si mund të pengohej kjo për më tej?
Nxënësit shkruajnë përgjigjet e tyre në një fletë letre dhe e paraqesin para klasës në diskutimin plenar.
Pasi të gjitha grupet kanë paraqitur idetë e tyre, mësuesi e fillon diskutimin duke bërë pyetjet e mëposhtme:
- Si mund të jemi të sigurt ne se kreu i klasës që do bëjë ato për të cilat kemi rënë dakord?
- Cilët mekanizma do të na e sigurojnë këtë?
- Kush mund ta bëjë këtë gjë?
- Çfarë do të ndodhë, në qoftë se ne zbulojmë diçka të gabuar?
- Kush mund të vendosë për një ndryshim të drejtuesit të klasës?
Nxënësit e diskutojnë këtë në seancë plenare dhe japin sugjerimet e tyre. Ata votojnë për sugjerimet dhe vendosin për një zgjidhje të përbashkët. Marrëveshja, tashmë, është shkruar dhe nënshkruar prej të gjithëve, duke përfshirë kreun e klasës dhe zëvendësin i tij (të saj).