KAPITULLI 7: Përgjegjësia – Unë bëhem eko … merr pjesë edhe shkolla ime!

Living Democracy » Textbooks » Rritemi në demokraci » KAPITULLI 7: Përgjegjësia – Unë bëhem eko … merr pjesë edhe shkolla ime!

Kapitulli 7: Koncepti kyç – “Përgjegjësia”

Informacion  për mësuesit: si i pasqyrojnë vlerat e nxënësve
perceptimin e tyre rreth konceptit të të drejtave të njeriut?

Mirë se vini në mëngjesin tim, mirë se vini në ditën time
Unë jam përgjegjës, dhe çdo gjë e kam bërë kështu
Që t’i shkrepja disa foto, për të parë se ç’mund të sjellin
Mendoj se i kam bërë të përkryera, dhe s’do të ndryshoja asgjë

Nga kënga Lamtumirë Andromeda (1973) nga Xhon Denver

Në ditët e sotme, fëmijët mësojnë të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre që në moshë të re. Kjo pranohet në shumë familje dhe shoqëri. Një shtet demokratik mund të funksionojë vetëm në qoftë se qytetarët nuk kërkojnë se çfarë mund të bëjë shteti për ta, por çfarë ata mund të bëjnë për shtetin. Kjo ide bazohet në thënien e Xhon F. Kenedi: “Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju – por kërkoni se çfarë ju mund të bëni për vendin tuaj”.

Ekzistojnë lloje e shkallë të ndryshme të përgjegjësisë. Përgjegjësia mund të jetë vetjake, kolektive ose morale. Kemi përgjegjësi të parlamentit, të qeverisë apo të medieve. Kemi edhe përgjegjësi për edukimin e prindërve ose të mësuesve etj. Këto forma të përgjegjësisë mund të kenë një bazë ligjore ose të përfaqësojnë vlerat morale.

Në këtë kapitull, nxënësit kuptojnë se ekzistojnë forma të ndryshme të përgjegjësisë dhe se ato, shpesh herë, ngatërrohen. Gjëja më e rëndësishme për ne është se nxënësit fillojnë të kuptojnë që marrja e përgjegjësive për mjedisin e tyre rrethues është edhe kontribut për komunitetin. Duke vepruar kështu, nxënësit nuk kontribuojnë vetëm në jetën e komunitetit, por edhe fitojnë pushtet dhe ndikim. Në varësi të situatës ose të  traditës politike në vend (ose në varësi të traditës së shkollës si trup qeverisës), marrja e përgjegjësive dhe fitimi i pushtetit mund të jetë e lehtë, por mund të jetë edhe shumë vështirë. Përgjegjësia e mohuar krijon zhgënjim në jetën e përditshme dhe duhet të analizohet  dhe kapërcehet.

Qeniet njerëzore e fitojnë aftësinë për gjykim moral që në moshë të re dhe e kuptojnë se kur janë duke vepruar me përgjegjësi dhe kur jo. Megjithatë, në arsimin fillor, është e rëndësishme që të mos e kufizojnë veten vetëm me të mësuarit social dhe moral. Për më tepër,  nëse   vendosim  ta bëjmë këtë në kuadër të EQD/EDNJ,  me parimet e saj të nënkuptuara të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe instrumenteve të saj ligjore,  synimet që janë vendosur paraprakisht do të zgjerohen. Reflektimi  për përvojën e fituar përmes marrjes së përgjegjësive, të çon në një kuptim më të gjerë të vetes si qytetar. Për më tepër, kjo përvojë çon jo vetëm në përgjegjshmëri më të madhe, por edhe në marrjen e përgjegjësisë, gjithmonë,  si diçka të natyrshme. .

Ashtu si në vargjet nga kënga e Xhon Denver, të treguar në fillim: Unë jam përgjegjës dhe çdo gjë e kam bërë kështu, nxënësit duhet të mësojnë të marrin përgjegjësi. Ata duhet të marrin vendime dhe të jenë përgjegjës për rezultatet e vendimeve të tyre. Mësimi dhe të jetuarit në demokraci në shkollë do të thotë se shkolla është vendi ku përgatitemi për jetën, por edhe vendi në të cilën jetojmë dhe vendosim së bashku. Është e qartë për të gjithë se ekzistojnë ndarje të qarta të roleve dhe, për këtë qëllim, janë të domosdoshme ligjet dhe rregullat. Megjithatë, në shumicën e shkollave në mbarë botën, potenciali i dhënies më shumë hapësirë ​​për nxënësit dhe dorëzimi i më shumë përgjegjësive për ta, ende nuk është i përhapur. Mësuesit dhe drejtorët mund të ndryshojnë mjaft lehtësisht këtë situatë në kuadrin e rregullave dhe ligjeve ekzistuese.

Qëllimi i edukimit për qytetari demokratike është që të mbështesë zhvillimin e kompetencave në tri fusha. Ky kapitull ka profilin e mëposhtëm të kompetencës.

Kompetenca në …
… analizë dhe gjykimin politik … përdorimin e metodave … vendimmarrjen dhe veprimin politik
** ** ***
Mbështetja me mjete
Në këtë kapitull do të përdoren mjetet e mëposhtme nga kutia e mjeteve të nxënësit. Mësuesi duhet të vendosë nëse disa ose të gjithë nxënësit kanë nevojë për  përgatitje shtesë që të jenë në gjendje  të punojnë me këto mjete.
X Hulumtim në biblioteka
X Hulumtim në internet
X Kryerja e intervistave dhe sondazheve
0 Interpretimi i imazheve
0 Harta mendore
0 Krijimi i posterave
0 Organizimi i ekspozitave
X Planifikimi dhe paraqitja e prezantimeve
X Përgatitja e sliderave për projektor ose një prezantim në PowerPoint
X Shkrim artikujsh ne gazeta
0 Vënia e një shfaqjeje
X Debate të përbashkëta

 

KAPITULLI 7: Përgjegjësia

Unë bëhem eko … merr pjesë edhe shkolla ime!
Si i pasqyrojnë vlerat e nxënësit perceptimin e tyre rreth konceptit të të drejtave të njeriut?

Titulli i mësimit Objektivat e mësimit Detyrat e nxënësve Burimet Metodat

Mësimi 1:

Përgjegjësia

 

Nxënësit:

– mendojnë rreth përgjegjësive si një çështje që është e lidhur me njerëz, objekte ose detyra.

Nxënësit mbledhin dhe analizojnë gazeta dhe revista që lexohen në komunitetin e tyre. Ata krijojnë një poster në të cilën nxjerrin në pah rezultatet e tyre. Materiali i shkruar. Punë në grupe.

Mësimi 2:

Shkolla është jeta: ekologjia e gjallë?

;

Nxënësit:

– kuptojnë se shkolla nuk është vetëm vendi i të mësuarit por edhe një vend për të jetuar;

– planifikojnë të marrin përgjegjësi (ekologjike) për këtë “hapësirë ​​ku jetojnë”.

Zhvillohen e planifikohen mundësi të ndryshme për sjellje ekologjike. Materiali i shtypur. Prezantime në grupe, diskutim plenar.

Mësimi 3:

Si mund të fillojmë të jemi të përgjegjshëm?

;

Nxënësit:

– planifikojnë zbatimin konkret të hapave individuale;

– bëjnë kompromis në grup

Nxënësit përdorin kohën e caktuar për zbatimin e aktiviteteve të planifikuara. Puna individuale e varur nga plani i veprimeve. Zbatim  praktik.

Mësimi 4:

Si e bëmë – cili është plani?

Nxënësit:

– përpiqen të ndryshojnë këndvështrimet në mënyrë që të kuptojnë çfarë do të thotë marrje e përgjegjësisë në pozicione të tjera.

Nxënësit transferojnë përvojat që ata kanë pasur kur punonin në grupe të vogla,në situata të tjera. Materiali i shtypur. Diskutim plenar, puna në grup.