Kapitulli 9 – material i shkruar për mësuesit 2: të punosh me televizionin
Living Democracy » Textbooks » Rritemi në demokraci » KAPITULLI 9: Media – Media në përdorim: Unë do ta bëja nëse do të mundesha » Kapitulli 9 – material i shkruar për mësuesit 2: të punosh me televizioninMaterial shtesë për mësuesit
1. Pse fëmijët janë aq të hipnotizuar nga TV?
Televizioni mundëson ndryshim të vazhdueshëm, relaksim dhe aventurë. Me shtypjen e një butoni, ke botën – e vërtetë ose imagjinare – në majën e gishtit, pa pasur nevojë të bëjë ndonjë përpjekje tjetër, fizikisht ose emocionalisht! Për shkak të telekomandës dhe të një numri të pafund programesh, ju jeni të aftë të kaloni nga një ngjarjeje emocionuese në një tjetër. Fëmijët, shpesh, identifikohen me karaktere dhe personalitete nga programe të ndryshme televizive; ata e përdorin televizionin për informacion, por e përdorin edhe kur nuk kanë asgjë më të mirë për të bërë.
2. Sa kohë kalojnë fëmijët para TV çdo ditë?
Në Evropën Perëndimore, konsumi mesatar i përditshëm i televizionit nga fëmijët e moshës mes 3 dhe 13 vjeç, është 90 minuta. Në të vërtetë, vetëm 60% e fëmijëve e fikin ndonjëherë vetë televizionin. Për më tepër, televizioni është shpesh i hapur ndërkohë që fëmijët bëjnë gjëra të tjera. Prindërit duhet të përpiqen për të vendosur disa rregulla për shikimin e televizionit, që fëmijët e tyre të jenë pak më të fokusuar në atë që po shikojnë. Në përgjithësi, rekomandohet që TV nuk duhet të jetë i hapur gjatë gjithë kohës dhe që fëmijët duhet shikojnë vetëm programe që janë të përshtatshme me moshën, interesante e të rëndësishme.
3. A ka shumë fëmijë që shikojnë sasi tepër të mëdha emisionesh të TV?
Të ashtuquajturit “të varur nga TV” shpenzojnë më shumë kohë para televizorit sesa në çdo aktivitet tjetër (shkollor, lojëra, takime miqsh etj.). Megjithatë, ka shumë pak fëmijë që futen në këto kategori. Nuk është domosdoshmërish problem, në qoftë se një fëmijë shikon më shumë TV një ditë, sesa ditën tjetër. Problemi lind kur shikojnë gjëra të rastit ose kur diçka nuk po shkon mirë në familje ose me fëmijën. Në raste të tilla, konsumimi i TV përdoret për ti shpëtuar realitetit.
4. Çfarë pëlqejnë të shikojnë fëmijët e moshave të ndryshme?
Fëmijët e vegjël zakonisht duan të shikojnë programe nga të cilat mund të mësojnë diçka, si dhe filmat multiplikativë, filma me përralla dhe me aventura. Nga mosha 6 vjeç fëmijët fillojnë të bëhen të interesuar në rolet gjinore. Djemtë shikojnë filma me aksion dhe identifikohen vetë me heronjtë meshkuj; vajzat fillojnë të duan programe të ndryshme artistike dhe me muzikë, si dhe seriale të tëra, në të cilat familjet dhe kafshët luajnë një rol të rëndësishëm. Aty rreth moshës 12 vjeç, videot muzikore, me hitet e fundit dhe serialët për të rinjtë dhe dashurinë, fillojnë të bëhen të rëndësishme. Pothuajse të gjithë fëmijët i shohin këto programe, por në këtë moshë, ata fillojnë të shikojnë më shumë edhe programe për të rritur. Prindërit duhet të dinë që më parë përmbajtjen e programeve, në mënyrë që të shmangin gjërat që nuk janë të përshtatshme për fëmijët.
5. Cilat janë efektet e televizionit?
Televizioni mund të jetë çlodhës, por ai mund të shkaktojë edhe shqetësime, madje mund t’i bëjë fëmijët të ndihen të “ngarkuar”. Kjo ndodh për shkak se imazhet ndryshojnë shumë shpejt dhe gjithmonë ka zhurma e zëra të lartë, sidomos në filmat vizatimorë dhe seritë me aksion. Disa përmbajtje programesh përçojnë ide të botës së vërtetë, duke dhënë hapur mënyrën se si ajo funksionon. Për më tepër, TV ndikon në emocionet e fëmijëve dhe fëmijët reagojnë për të parë: gëzim, frikë apo agresion në të njëjtën mënyrë siç bëjnë të rriturit. Mungesa e krahasimeve të ekuilibruara mund të bëhet një problem dhe, për këtë arsye, është tejet e këshillueshme të shmanget shikimi i programeve të një zhanri të veçantë.
6. Cilat programe informative janë të mira për fëmijët?
Shumica e kanaleve mundësojnë programe të posaçme për fëmijët. Ato japin informacion dhe përcjellin njohuri për botën. Disa kanale kanë edhe lajme për fëmijë, të cilat paraqiten në një mënyrë që fëmijët mund t’i kuptojnë lehtësisht. Për më tepër, një lajm për të rriturit i transmetuar në mesditë ose në mbrëmje, në përgjithësi, i shmang pamjet që nuk janë të përshtatshme për fëmijët. Megjithatë, të rriturit duhet të jenë gjithmonë të gatshëm, për t’u shpjeguar fëmijëve atë që ata nuk e kuptojnë.
7. Sa i rëndësishëm është TV në krahasim me mediet e tjera?
Për fëmijët më të vegjël, shpesh televizioni është forma më e përdorur e medies. Me kalimin e kohës, forma të tjera të ndryshme të medieve (CD, MP3, video muzikore, TV në internet etj.) bëhen të rëndësishëm për ta, megjithëse, ekrani i TV mbetet burimi kryesor i informacionit dhe diskutimeve.
Prindërit e fëmijëve të vegjël duhet të kujdesen që fëmijët e tyre të marrin e të përjetojnë shumëllojshmëri mediesh: TV për çështjet aktuale dhe relaksim; radio për të dëgjuar muzikë gjatë gjithë ditës dhe për të dëgjuar disa pjesë të lajmeve; libra për nxitjen e imagjinatës dhe të aftësive gjuhësore; kompjuter dhe internet, në mënyrë që fëmijët të mund të bëhen nxënës të pavarur dhe të komunikojnë mirë me të tjerët.
8. Për çfarë është TV i mirë dhe kur nuk është kaq ideal?
Fëmijët që shikojnë një shumëllojshmëri programesh (lajme, tregime, emisione, serialë etj.) dinë shumë për çështjet aktuale dhe njohin shumë fakte e dukuri për jetën sot. Megjithatë, televizioni nuk ndihmon shumë në zgjidhjen e problemeve. Kur dikush është përfshirë në një “zënkë” me dikë, kërkon rrugën më të mirë për veprim ose përpiqet të zgjidhë një enigmë, nuk mund të ndihmohet vetëm nga faktet. Për këtë arsye, televizioni nuk mund ta zëvendësojë kurrë edukimin në shkollë ose në familje.
9. A janë të rriturit modele për t’u ndjekur?
Edhe fëmijët imitojnë të rriturit në përdorimin e medias. Nëse të rriturit lexojnë gazetën, atëherë edhe fëmijët e tyre do të jenë më të prirë për të lexuar gazetën. Nëse të rriturit kalojnë shumë kohë para TV, atëherë fëmijët do ta bëjnë po këtë gjë me teprí. Prandaj, prindërit nuk duhet kurrë të ankohen për zakonet e fëmijëve të tyre, sidomos në lidhje me TV, por duhet të jenë një shembull i mirë për ta në këtë drejtim. Ata nuk duhet kurrë ta shikojnë TV pa ndonjë qëllim të dukshëm, dhe duhet të jenë gjithnjë kritikë gjatë shikimit të TV.
10. Çfarë mund të bëjnë prindërit që të nxitin fëmijët të jenë shikues të arsyeshëm të TV?
Prindërit nuk duhet ta ndalojnë shikimin e TV, por duhet ta shikojnë atë së bashku me fëmijët, për t’u i shpjeguar atyre pse disa programe janë të mirë dhe të tjerët nuk janë aq të mirë. Televizioni nuk duhet të përdoret as si mjet shpërblimi apo ndëshkimi. Është e rëndësishme të gjejmë baraspeshën e duhur në këtë drejtim. Fëmijët duhet të kenë kohë të mjaftueshme për përvojat “reale”, duke kaluar kohë me shokët, duke luajtur dhe përjetuar natyrën, qytetet dhe takimet me njerëz të tjerë.