Çka ofron ky libër?
Ky doracak u dedikohet mësimdhënësve, trajnerëve të mësimdhënësve, hartuesve të kurrikulës, botuesve të teksteve dhe përkthyesve në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Mund të përkthehet dhe të përshtatet për të plotësuar kushtet specifike brenda sistemeve të tyre të arsimit.
Ky libër përmban nëntë njësi mësimore mbi Edukimin për Qytetarinë Demokratike (EQD) dhe Edukimin mbi të Drejtat e Njeriut (EDNJ). Njësitë, që përmbajnë secila nga katër mësime, u dedikohen nxënësve në vitin e fundit të nivelit të mesëm të ulët (klasa e 8-të apo e 9-të, varësisht nga sistemi i shkollimit). Çdo njësi përqendrohet në një koncept kyç që lidhet me EQD-në ose EDNJ-në: identiteti – liria– përgjegjësia – konflikti – komunikimi – pluralizmi – rregullat dhe ligji – barazia – qeverisja.
Për çdo mësim, hollësisht përshkruhet sekuenca e hapave të sugjeruar të mësimdhënies, për aq sa kjo është e mundshme. Prospektet e nxënësve janë të përfshira si shtojca në çdo njësi, ashtu që mësimdhënësi të merr po aq mbështetje sa mund t’ia ofrojë një doracak. Prandaj, ky libër u dedikohet mësimdhënësve, jo nxënësve. Përvoja jonë në trajnimin e mësimdhënësve ka treguar se të trajnuarit dhe fillestarët në profesionin e mësimdhënies i vlerësojnë përshkrimet e hollësishme të mësimit, por ndoshta mësimdhënësit me përvojë gjithashtu mund të gjejnë disa ide dhe materiale të dobishme për orët e tyre mësimore. Trajnuesit e mësimdhënësve këtë libër mund ta përdorin si doracak për trajnimin e mësimdhënësve për EQD dhe të drejtat e njeriut.
Ky është version i rishikuar i doracakut. Botimi i parë doli në Bosnje dhe Hercegovinë për të mbështetur një lëndë të re shkollore, demokracia dhe të drejtat e njeriut, që u paraqit në vitin 2002. Që nga viti 1996, Këshilli i Evropës ka qenë i angazhuar në trajnimin e mësimdhënësve dhe trajnerëve të mësimdhënësve për EQD dhe EDNJ, për të përkrahur procesin e ndërtimit të paqes pas luftës. Redaktorët dhe autorët e botimit të parë ishin anëtarë të ekipit ndërkombëtar të trajnerëve të cilët merrnin pjesë në këtë projekt. Ne mbajtëm trajnime për mësimdhënësit, pa shkëputje nga puna dhe trajner të mësimdhënësve, dhe hartuam materiale, duke përfshirë edhe draftin e parë të këtij doracaku, për trajnimin e mësimdhënësve dhe për përdorim në klasë.1
Cila është qasja e EQD/EDNJ?
Parimet themelore të EQD-së më së miri mund të ilustrohen përmes një shembulli. Liria e mendimit dhe e shprehjes2 është e drejtë themelore e pjesëmarrjes demokratike. Në EQD/EDNJ, nxënësit duhet ta dinë, ta kuptojnë dhe çmojnë të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes dhe ata duhet të dinë se si mbrohet kjo me kushtetutën e tyre kombëtare (dimensioni i nxënies së njohjes dhe kuptimit). Mu për shkak se përdorimi aktiv i kësaj të drejte është thelbësore për pjesëmarrje në një komunitet demokratik, nxënësit gjithashtu duhet të mësojnë dhe të ushtrojnë se si të diskutojnë publikisht (dimensioni i nxënies së zhvillimit të shkathtësive dhe ndërtimit të aftësive). Përfundimisht, liria e shprehjes dhe e mendimit vë themelin për një shoqëri të hapur dhe pluraliste. Polemika dhe ndeshja e interesave e mendimeve janë norma, e jo përjashtimi. Konfliktet do të paraqiten, dhe ato duhet të zgjidhen me mjete të padhunshme, d.m.th., përmes fjalës së folur (argumentimit (diskutimit), marrëveshjes, negocimit – edhe publikisht edhe pas dyerve të mbyllura). Një shoqëri e hapur pluraliste mbështetet në një tërësi rregullash detyruese dhe në institucione të fuqishme për zbatimin e këtyre rregullave, por ndoshta edhe më tepër në një grup vlerash të ndara në mes të qytetarëve. Këto vlera përfshijnë tolerancën, respektin e ndërsjellë, vlerësimin e kompromisit të drejtë, mosdhunën, dhe aftësinë për t’u marrë me situata të hapura të mosmarrëveshjes dhe kundërshtimit, ku çështjet akoma nuk janë vendosur. Nëse vendimmarrja politike mbështetet dhe formohet me konsensus të fuqishëm të rendit dhe vlerave demokratike, shoqëria mund të përballet me mosmarrëveshje të mëdha për çështje konkrete. Atëherë, liria e mendimit në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet rrezik për qeverisjen efektive, por përkundrazi atë e mbështet si mjet për gjetjen e zgjidhjeve të drejta dhe efikase për problemet dhe konfliktet. Demokracia ka dimension kulturor dhe në teorinë politike kjo është konceptuar si një kontratë e pashkruar shoqërore të cilën e ka lidhur çdo qytetar. Prandaj, çdo gjeneratë e re duhet të kuptojë dhe mbështesë këtë kontratë të pashkruar shoqërore (përvetësim i vlerave).
Ky shembull tregon se EQD/EDNJ ndjek qasjen holistike (të përgjithshme), duke integruar proceset e mësimnxënies në tri dimensione:
- njohja dhe të kuptuarit (dimensioni kognitiv /njohës);
- trajnimi mbi aftësitë dhe ndërtimi i shkathtësive;
- përvetësimi i vlerave dhe qëndrimeve.
Ky model i dimensioneve të mësimnxënies zbatohet në edukim në përgjithësi, dhe prandaj do të jetë i njohur për shumë lexues. Çdo mësimdhënës e din sa e fortë është anësia ndaj mësimnxënies kognitive, sidomos në klasat e larta. Prandaj, shtrohet pyetja se si i përgjigjet EQD/EDNJ-ja sfidës të cilën e paraqet ky model holistik (i përgjithshme), i mësimnxënies? Me fjalë të tjera, nëse kjo është ajo që nxënësit duhet ta mësojnë, çka duhet të bëjnë mësimdhënësit?
Cilat janë parimet themelore të EQD/EDNJ-së?
Në përgjithësi, EQD-ja dhe EDNJ-ja i integrojnë këto dimensione të mësimnxënies duke krijuar një lidhje që përfshin të mësuarit në klasë dhe të mësuarit nga përvoja e jetës reale. EQD dhe EDNJ-ja bazohen në një grup të tri qasjeve didaktike:
- të mësuarit “lidhur me” demokracinë dhe të drejtat e njeriut;
- të mësuarit “përmes” demokracisë dhe të drejtave të njeriut;
- të mësuarit “për” demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Këto tri qasje didaktike të EQD/EDNJ-së formojnë një tërësi të integruar. Në gjithçka që bëjnë mësimdhënësit janë të përfshira të tri qasjet didaktike, duke u shërbyer të tri dimensioneve të mësimnxënies. Ekuilibrimi i theksimit të qëllimshëm duhet të ndryshojë. Secilën nga këto qasje do ta paraqesim pak më detajisht në vazhdim.
Të mësuarit “lidhur me”
Kjo përfshin edukatën qytetare si lëndë të rregullt shkollore. Të mësuarit “lidhur me” i referohet dimensionit kognitiv (njohës) të mësimnxënies. Standardet e kurrikulës kognitive (njohëse) të EQD/EDNJ-së përfshijnë aftësitë në vazhdim: nxënësit mund të shpjegojnë se si funksionon demokracia në krahasim me format tjera të shtetit (diktaturën, oligarkinë); nxënësit mund të përshkruajnë traditën dhe historinë e të drejtave të njeriut; dhe ata mund të demonstrojnë se si disa nga këto të drejta të njeriut janë përfshirë në kushtetutat e tyre nacionale, duke ju dhënë atyre, në këtë mënyrë, statusin e të drejtave civile të cilat mbrohen më bindshëm. Prandaj, kurrikula duhet të përfshijë kurse për EQD/EDNJ-në dhe lëndë të lidhura ngushtë me këto kurse, siç janë historia, shkencat shoqërore dhe ekonomia.
Të mësuarit “përmes”
Nxënësit jo vetëm që duhet t’i dinë të drejtat e tyre lidhur me pjesëmarrje, por ata duhet gjithashtu të jenë në gjendje t’i përdorin ata. Prandaj, nxënësve ju nevojitet përvojë praktike dhe mundësi për trajnime në kuadër të jetës shkollore përmes pjesëmarrjes në vendimmarrje, kur kjo është e mundshme dhe e dobishme. Për shembull, mësimdhënësit duhet t’ju japin nxënësve mundësinë t’i paraqesin mendimet e tyre, për temat në klasë dhe për çështje lidhur me mësimdhënien dhe drejtimin e shkollës. Kur kuptohet në këtë mënyrë, EQD-ja dhe EDNJ-ja sigurojnë një udhëzim pedagogjik më tepër sesa një kurrikulë, dhe ky udhëzim përfshin tërë shkollën, dhe jo vetëm mësimdhënësit të trajnuar posaçërisht për EQD/EDNJ-në. Vlerat siç janë toleranca dhe përgjegjësia mësohen përmes përvojës, dhe mund të varet shumë nga mësimdhënësit – të gjithë mësimdhënësit, në të gjitha lëndët – të cilët shërbejnë si model/shembullit bindës për nxënësit. Nga ana tjetër, as vlerat demokratike si mënyrë joverbale e sjelljes nuk do të jenë të mjaftueshme. Përvoja në jetën shkollore duhet të reflektohet dhe të lidhet me kategoritë dhe mënyrën sistematike të të kuptuarit (të mësuarit “lidhur me”). EQD/EDNJ-ja varet në të dy dimensionet, dhe debati nëse EQD/EDNJ ose edukata qytetare si lëndë mund të zëvendësohet në kurrikulë me EQD/EDNJ-në si parim pedagogjik i përgjithësuar, është mashtrues.
Të mësuarit “për”
Kjo perspektivë didaktike i referohet lidhjeve në mes të përvojës shkollore dhe jetës së mëvonshme. EQD/EDNJ-ja i përmbahet pikëpamjes se përvoja në jetën shkollore është e rëndësishme për socializmin e përgjithshëm dhe atë politik. Është e vërtetë se edukimi, duke përfshirë edhe jetën në shkollë, është një nënsistem që drejtohet nga nevoja dhe rregulla të veçanta, dhe përvojat nga ky nënsistem nuk janë drejtpërsëdrejti të transferueshme. Por, në anën tjetër, jeta në shkollë është para së gjithash një pjesë e jetës reale. Shumë përvoja të cilat nxënësit i hasin në shkollë rishfaqen në jetën e tyre kur ata të rriten, për shembull, çështje e barazisë gjinore, integrimi i pjesëtarëve të komunitetit në mjedise të ndryshme etnike ose me sfonde të ndryshme shoqërore (sociale), përballja me dhunën, marrja e përgjegjësive, të përjetuarit e ndarjes së pabarabartë të pushtetit dhe mungesës së resurseve kryesore (siç janë paratë dhe koha), respektimi i rregullave dhe i ligjeve dhe miratimi i kompromisit. Të mësuarit “për” i referohet rëndësisë së edukimit për jetën e mëvonshme. Është detyrë e mësimdhënësve, në të gjitha lëndët, që nxënësit t’i aftësojnë për shkathtësitë e pjesëmarrjes aktive, për shembull, aftësia për të paraqitur mendimin publikisht, shkurt dhe qartë.
EQD-ja e koncepton shkollën si një vend ku nxënësit mund të mësojnë nga përvoja e jetës reale. Shkolla është jeta, dhe jo vend i izoluar i të mësuarit akademik për jetën e mëvonshme. Shkolla është një mikrokomunitet që shërben si model i shoqërisë në tërësi.3 Në një farë mase, shkolla mund të bëhet edhe model i një shoqërie më të mirë apo më demokratike, sepse pjesëtarët e komunitetit të shkollës mund të marrin pjesë në vendimmarrje më shumë brenda ambientit të shkollës, se sa që kjo të ishte e mundur jashtë tij. Të mësuarit “për” demokracinë dhe të drejtat e njeriut do të thotë nxënia si të marrish pjesë në një komunitet, kurse të mësuarit “përmes” demokracisë dhe të drejtave të njeriut nënkupton faktin që ky komunitet qeveriset nga parimet demokratike, ku të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijëve zbatohen si udhëzime pedagogjike. Demokracia mbështetet në një kulturë politike që nxënësit duhet ta mësojnë përmes përvojës në shkolla, dhe nga të reflektuarit mbi këtë përvojë (të mësuarit “lidhur me”).
EQD/EDNJ-ja mbart implikacione në reformën arsimore që i adresohen tërë shkollës, duke përfshirë të gjithë mësimdhënësit dhe kujdestarët e klasave, administratorët dhe mbikëqyrësit e shkollës. Në anën tjetër, ky doracak përqendrohet në edukimin për qytetarinë demokratike dhe edukimin mbi të drejtat e njeriut si lëndë shkollore. Reforma përbëhet nga shumë hapa të vegjël, dhe procesi e rezultati do të ndryshojnë varësisht nga shteti dhe konteksti. Hapat e parë që duhet ndërmarrë janë në klasë, ku mësimdhënësit mund të vendosin se çka dëshirojnë të ndryshojnë. Nga kjo pikëpamje, çështja e metodës dhe e përmbajtjes është e rëndësishme.
Si lidhet përmbajtja me metodën në EQD/EDNJ?
Në përgjithësi, të nxënit është një aktivitet që kryhet nga nxënësi. Të nxënit është një proces aktiv që ndryshon nga një individ tek tjetri (koncepti kontruktivist i të mësuarit). Të marrim sërisht shembullin e dhënë më lart, nxënësit mund të mësojnë vetëm se si të gëzojnë lirinë e të shprehurit përmes praktikës së shpeshtë – “shfrytëzoje (përdore) ose humbe atë”. Mësimdhënësit – jo vetëm në EQD/EDNJ, por gjithashtu edhe në lëndë tjera – kanë për detyrim të sigurojnë për nxënësit e tyre mundësi dhe detyra që e mbështesin këtë proces të të nxënit, për shembull përmes prezantimeve, diskutimeve, debateve, eseve, pllakateve, punimeve artistike ose video klipave.
Prandaj, EQD/EDNJ-ja e vë theksin mbi metodat që mbështesin të nxënit e bazuar në punë, ndërvepruese dhe bashkëpunuese (bashkëvepruese). Duke i zbuluar problemet që janë të lidhura me një detyrë të caktuar dhe duke gjetur vetë zgjidhjet, nxënësit mësojnë më shumë se sa në një ambient ku vetëm marrin udhëzime frontale, dhe në këtë rast ka më shumë fleksibilitet për të marrë shpjegime për nevojat e tyre individuale të mësimnxënies. Njësitë në këtë libër demonstrojnë se si të nxënit e bazuar në punë mund të lidhet me tema specifike dhe me çështjen që është temë diskutimi, duke përfshirë edhe të nxënit përmes projekteve, të menduarit kritik, debatimit dhe diskutimit, përsiatjes dhe reagimit prapaveprimit. Në anën tjetër, udhëzimet frontale kundruall mësimdhënies ndërvepruese është një alternativë false. Mësimdhënia e mirë gjithmonë do të jetë një kombinim i të dy formave, siç do të tregojnë përshkrimet e mësimit në këtë doracak.
Objektivi kyç i EQD/EDNJ: Pjesëmarrja në demokraci | |||
Mësimnxënia | Mësimdhënia | Metodat | Shkolla |
Njohja dhe të kuptuarit Shkathtësitë Qëndrimet dhe vlerat |
Mësimdhënia
demokracinë dhe të drejtat e njeriut |
të kombinuar me
nga mësimdhënësi |
“Shkolla si mikroshoqëri” Përvoja e jetës reale në shkollë |
Të nxënit e bazuar në detyra ka implikime për planifikimin e kohës në klasë. Në përgjithësi, nëse mësimdhënësit duan që nxënësit të bëjnë më shumë, ata duhet të flasin më pak dhe të harxhojnë më pak kohë në orën e mësimit. Në të njëjtën kohë, ata duhet të jenë më fleksibil duke ju përgjigjur nevojave të mësimnxënies së nxënësve të tyre. Të nxënit e bazuar në detyra dhe ndërveprim kërkon planifikim dhe përgatitje të kujdesshme, dhe përgjithësisht konsumon më shumë kohë se sa udhëzimet frontale. Kjo ndoshta është arsyeja pse mbizotëron kjo e fundit, ndonëse tani pranohet kudo se është i nevojshëm një ndërrim në mësimdhënien ndërvepruese.
Prandaj, mund të duket paradoksale për të hartuar një libër për mësimdhënës e jo për nxënës. Mirëpo, mu për shkak se të mësuarit ndërveprues dhe të nxënit e bazuar në detyra paraqesin punë më të vështirë për mësimdhënës, duke kërkuar nga ata që të luajnë një varg më të gjerë të roleve dhe të reagojnë në mënyrë fleksibile ndaj nevojave të mësimnxënies së nxënësve, ky libër është paramenduar të mbështesë mësimdhënësit si figurat kyçe – sepse mësimdhënësi është ai që duhet të ofrojë mundësinë, detyrat dhe mjetet e komunikimit, në mënyrë që nxënësit të bëhen më aktiv.
Cili është objektivi kyç i EQD/EDNJ?
Sistemet demokratike varen nga demokratët aktiv. Se si të marrim pjesë në demokraci mundet dhe duhet të mësohet. Kompleksiteti i kornizës institucionale dhe i çështjeve në diskutim kërkon nivel minimal të njohjes dhe të mirëkuptimit. Marrja pjesë në debate publike, d.m.th., në garën e ideve dhe ndikimeve të organizuara, kërkon shkathtësi siç janë aftësia për të folur publikisht dhe për të negociuar. Të kuptuarit dhe të vlerësuarit e kontratës së pashkruar shoqërore, e cila nënkupton kulturën politike të komuniteteve demokratike, varet nga vlerat dhe qëndrimet që i përkrah një i ri. Objektivi kyç i EQD/EDNJ-së është që ta mbajë gjallë demokracinë, duke e mbështetur gjeneratën e re për t’u bërë qytetarë aktiv. Demokracia nuk mund të funksionojë pa një kornizë institucionale të mbrojtur me kushtetutë. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Ajo duhet të rrënjoset në shoqëri. Është dimensioni kulturor i demokracisë të cilin EQD/EDNJ-ja përpiqet ta forcojë dhe ta mbështesë. Kjo është pikërisht arsyeja pse Këshilli i Evropës u përqendrua në trajnimin e mësimdhënësve pa shkëputje nga puna në EQD/EDNJ për të përkrahur procesin e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ky doracak u dedikohet mësimdhënësve të nxënësve të klasës së 8-të ose 9-të. Të mësuarit shumë varet nga ajo se sa nxënësi tanimë di, dhe çfarë janë përvojat e tij ose të saj në jetë. Prandaj, njësitë në këtë libër e vënë theksin në dimensionin kulturor të demokracisë, ndërsa doracaku për nivelin e dytë (EQD/EDNJ, Vëllimi IV) e zhvendos përqendrimin në dimensionin politik dhe institucional të demokracisë, në komunitet dhe në proceset e vendimmarrjes politike.4
“Qasja evropiane” ndaj EQD/EDNJ-së
Ky doracak paraqet një qasje të përbashkët evropiane ndaj EQD/EDNJ-së duke përfituar nga kontributet që burojnë nga një llojllojshmëri e gjerë e formimit kulturor. Idenë dhe versionin e parë të këtij libri e paraqitëm në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe shumë edukatorë dhe mësimdhënës morën pjesë në recensim dhe në diskutim. Autorët dhe redaktorët e këtij doracaku paraqesin qasjet dhe traditat e mësimdhënies në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Zvicër dhe Gjermani. Kur e përgatitëm versionin e korrigjuar (rishikuar), na mbështeti znj. Olöf Olafsdottir dhe znj. Sarah Keating- Chetwynd në Këshillin e Evropës, dhe znj. Sabrina Marruncheddu dhe Dr Wiltrud Weidinger (Projektet Ndërkombëtare në Arsim (PNA), Cyrih). Znj. Angela Doul, Këshilli i Evropës, lexoi draftet tona përfundimtare. Ilustrimet e z. Peti Wiskemann i shtojë domethënien e tekstit që nuk mund të shprehet me fjalë. Dëshirojmë të falënderojmë autorët, ilustratorët, recensentët dhe korrektorët për kontributet dhe përkrahjen e tyre. Veçanërisht i jemi mirënjohës z. Emir Adzovic, koordinatorit të Këshillit të Evropës në Sarajevë, i cili është kujdesur për ne gjatë gjithë projekteve të EQD/EDNJ- së. Pa angazhimin e tij që nga fillimi i projektit ky libër asnjëherë nuk do të ishte shkruar. Gjithashtu falënderojmë znj. Heather Courant për durimin e saj në organizimin e udhëtimeve tona, marrjen e vizave dhe caktimin e mbledhjeve. U jemi mirënjohës të gjithë partnerëve tanë në këtë projekt vërtetë evropian.
Strasburg, prill 2008
Rolf Gollob (Cyrih, Zvicër)
Peter Krapf (Weingarten, Gjermani)
1. Për të dhëna më të detajuara të këtij projekti, shih Vëllimin I të kësaj serie.
2. Shih UDHR, 10 dhjetor 1948, neni 19; KEDNJ, 4 nëntor 1950, neni 10.
3. Ky koncept është sugjeruar nga mendimtarët si Dewey (shkolla si “shoqëri embrionale”) dhe von Henting (“shkolla si polis”).
4. Çdo grupmoshë mund ta mësojmë për EQD/EDNJ, me kusht që të merret parasysh niveli i ekspertizës dhe përvojës së nxënësve. “Doracaku për edukimin mbi të drejtat e fëmijëve” (EQD/EDNJ, Vëllimi V) trajton spektrin e qasjeve didaktike nga niveli i foshnjores deri në klasën e 8-të.
- Korniza konceptuale e doracakut: konceptet kyçe
Konceptet kyçe në EQD/EDNJ – mjetet për qytetarin aktiv Duke u përqendruar në koncepte, ky libër ndjek një qasje klasike didaktike në...