Si do të reagonim po të na ndodhte kjo neve?

Objektivat e mësimnxënies Nxënësit vetëdijesohen për paragjykimet dhe diskriminimin në shoqëri. Nxënësit janë të aftë të kuptojnë pikëpamjet e viktimave të diskriminimit. Nxënësit janë në gjendje të reagojnë në situatat e diskriminimit.
Detyrat e nxënësve Nxënësit komentojnë një rast të diskriminimit dhe atë e krahasojnë me situatën në shtetin e tyre.
Burimet Kopje të prospekteve për nxënës 2.1 (me pyetje) për çdo nxënës.
Metodat Punë në grupe bazuar në tekst.

 

 

Të  mësuarit  konceptual

Diskriminimi është një formë e sjelljes shumë e përhapur në shoqëri. Në diskriminim nuk janë të përfshirë vetëm autoritetet, por gjithashtu edhe shumë organe dhe individë të tjerë. Duke filluar me një tregim të vërtetë të diskriminimit, mësimi u jep nxënësve mundësinë të reflektojnë në sjelljen e tyre.

Mësimi

Mësimdhënësi mund të lexojë me zë një kopje të prospekteve për nxënës 2.1 apo t’u jep një kopje nxënësve që ata ta lexojnë vetë.

Tregimi i Xhevahires

Xhevahirja, një grua rome, tregon se çka i ka ndodhur asaj:

“Unë e pashë një vend pune si asistente e shitjes të shpallur në vitrinën e një dyqani rrobash. Ata kërkonin një punëtor ndërmjet moshës 18 dhe 23 vjeç. Unë i kam 19 vjet, kështu që hyra brenda dhe e pyeta menaxherin lidhur me këtë vend të punës. Ajo më tha që të shkoja sërish pas dy ditësh sepse nuk kishin aplikuar mjaft njerëz.

Unë shkova edhe dy herë të tjera dhe morra përgjigjen e njëjtë .Pothuaj një javë më vonë unë shkova sërish në atë dyqan. Shpallja e vendit të punës akoma ndodhej në vitrinë. Menaxheri ishte shumë i nxënë që të takohej me mua, veçse më thanë se vendi i lirë i punës ishte plotësuar.

Pasi u largova nga dyqani, isha shumë e mërzitur dhe e pyeta një mike jo rome nëse mund të hynte brenda dhe të pyeste për vendin e punës. Kur ajo doli jashtë tha se i kishin thënë të shkonte për intervistë të hënën.”

Pasi të gjithë nxënësit të kenë lexuar apo dëgjuar tregimin, mësimdhënësi i ndan nxënësit në grupe me katër apo pesë vetë dhe kërkon që ata të diskutojnë për pyetjet vijuese (prospektet e nxënësve i përfshijnë këto pyetje; nëse mësimdhënësi e ka prezentuar tregimin gojarisht, ai ose ajo duhet t’i shënojë pyetjet në dërrasën e zezë apo në tabelën shfletuese (flip chart)):

  1. Si do të ndiheshit nëse ajo çka i ka ndodhur Xhevahire do t’ju ndodhte juve? Si do të reagonit ju nëse mikja juaj do t’ju tregonte se ajo është ftuar për intervistë?
  2. Pse, sipas jush, menaxheri i dyqanit veproi në këtë mënyrë? A e konsideroni këtë një formë të diskriminimit? Pse (ose pse jo)?
  3. Çka mund të bënte Xhevahirja për këtë? A mendoni se do të mund të ndryshonte situatën? Çka mund të bënin njerëzit tjerë në emër të saj?
  4. A prisni ju që me ligj të bëhet diçka për një situatë të tillë? Çka duhet të parasheh ligji?
  5. A mund të ndodhë kjo edhe në vendin tuaj? Nëse po, cilat grupe do të dëmtoheshin?

Mësimdhënësi kërkon përgjigjet fillestare nga grupet për këto pyetje. Kjo mund të bëhet duke i shtruar çdo grupi një pyetje apo duke kërkuar nga grupet përgjigje të shkurtra në më shumë se një pyetje.

Mësimdhënësi pastaj u tregon nxënësve se tregimi i Xhevahires ka ndodhur me të vërtetë, para më shumë se një dekadë, dhe se më vonë, kur e kanë pyetur për sjelljen e tij, menaxheri i dyqanit tha:

Përgjigjja  e  menaxherit

“Mendova se Xhevahires do t’i dukej vështirë të punonte këtu, për shkak të distancës së largët, ku ajo do të duhej të udhëtonte për në punë çdo ditë. Do të ishte një udhëtim prej tetë milje në dy autobusë . Është shumë vështirë të drejtosh dyqanin nëse stafi gjithmonë vonohet. Unë do të preferoja më shumë të zgjedh dikë nga ky rajon. Personi të cilin e pranova për këtë vend të punës mu duk person i duhur.”

Mësimdhënësi u tregon nxënësve se në Konventën Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut (neni 14) thuhet se: “Sigurohet gëzimi i të drejtave dhe lirive të parapara në këtë Konventë pa diskriminim në asnjë bazë siç është seksi, raca, ngjyra, gjuha, religjioni, mendimi politik apo tjetër, prejardhja nacionale apo shoqërore, shoqërimi me një pakicë nacionale, prona, lindja apo ndonjë status tjetër”; dhe se në nenin 2 të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut thuhet: “Çdokush ka të drejtë të gëzojë të gjitha të drejtat dhe liritë e parapara në këtë Deklaratë, pa dallim të çfarëdo lloji, siç është raca, ngjyra, gjuha, religjioni, mendimi politik apo tjetër, prejardhja  nacionale  apo  shoqërore,  prona, lindja apo ndonjë status tjetër.”

Pastaj mësimdhënësi i pyet nxënësit se çka nënkuptohet me këto tekste në lidhje me rastin e Xhevahires. Për ta përmbyllur mësimin, mësimdhënësi u tregon nxënësve se si ka përfunduar rasti i Xhevahires në të vërtetë.

Konkludimi i tregimit të Xhevahires

“Xhevahirja e paraqiti rastin e saj në një gjykatë speciale evropiane, që e zbaton ligjin mbi diskriminimin. Gjykata u pajtua se ndaj saj ishte bërë diskriminim. Ishin marrë në pyetje disa njerëz të tjerë që jetonin shumë larg dyqanit. Vajza e cila u punësua në këtë detyrë ishte vetëm 16 vjet, e racës së bardhë, dhe jetonte në largësi të njëjtë nga dyqani sikurse Xhevahirja. Dyqani duhej t’i paguante Xhevahires ca para për lëndimin e ndjenjave të saj.”

Në vazhdim, mësimdhënësi kërkon që nxënësit t’i shkruajnë një letër menaxherit të dyqanit apo kryetarit të qytetit. Ai/ajo duhet t’i ndihmojë ata që të shkruajnë duke marrë parasysh pikëpamjet e tyre personale dhe opinionet e Gjykatës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut. Është me rëndësi që e tërë klasa t’i sheh këto shkresa, ashtu që të bëhen diskutime edhe jashtë orëve të zakonshme të shkollës.