NJËSIA 3: Diversiteti dhe pluralizmi
Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 1: Individi dhe komuniteti » NJËSIA 3: Diversiteti dhe pluralizmiNJËSIA 3: Diversiteti dhe pluralizmi
Si mund të jetojnë njerëzit së bashku në paqe?
Kjo njësi përqendrohet në tri koncepte kyçe: diversitetin, pluralizmin dhe demokracinë. Në të eksplorohen disa nga lidhjet që ekzistojnë në mes tyre, për të ndihmuar nxënësit të marrin qëndrime dhe të zhvillojnë shkathtësitë që atyre u nevojiten për të marrë pjesë në një shoqëri pluraliste, të udhëhequr në mënyrë demokratike.
Pluralizmi i referohet një kualiteti bazë të shoqërive moderne, ku pranohet një varg i gjerë (por jo gjithëpërfshirës) i besimeve fetare dhe politike – diversiteti – dhe ku shoqëritë ideale të parashikuara nga partitë e ndryshme politike, mund të mos jenë në pajtueshmëri me njëra tjetrën. Për shembull, qytetarët që u përkasin partive socialiste radikale, përpiqen të krijojnë një shoqëri e cila do të jetë tërësisht e kundërt për qytetarët e krahut të djathtë, me bindje kapitaliste. Në shoqëritë pluraliste, është dobësuar ndikimi i përgjithshëm i traditave dhe vlerave të shumta, duke përfshirë edhe besimin fetar. Individët mund dhe duhet të zgjedhin vetë se cilat vlera do t’i përkrahin dhe si ata dëshirojnë të jetojnë jetën e tyre. Ndaj, shoqëritë pluraliste paraqesin një sfidë: individët mund të gëzojnë një shkallë më të lartë të lirisë personale se kurdoherë më parë por, në anën tjetër, ata duhet të punojnë më shumë për të rënë në ujdi për një marrëveshje dhe për një kompromis, pa të cilat nuk mund të mbijetojë asnjë komunitet. Kjo shtron pyetjen se cili sistem politik mund të sigurojë strukturën më të mirë për organizimin e vendimmarrjes në një shoqëri të hapur dhe pluraliste.
Në një sistem autoritar – ku sundon një parti, në sistemin teokratik, apo edhe në atë diktatorial – ky problem është zgjidhur duke i dhënë pushtetin një akteri (për shembull, një partie apo një lideri) për të vendosur në emër të secilit, për gjërat që janë me interes të përbashkët. Kjo zgjidhje përballet me sfidën e pluralizmit duke e shmangur atë – duke sakrifikuar lirinë e individëve. Në shoqëritë pluraliste është shuar mundësia për konflikt, por çmimi që duhet paguar është i lartë: shumë probleme nuk zgjidheni në mënyrën e duhur dhe të drejtë, meqë ata tanimë mund të mos artikulohen qartë.
Në demokraci, qytetarët pajtohen, në parim, për një grup parimesh, për rregullat e veprimit dhe për të drejtat që atyre u lejojnë të mos pajtohen për shumë gjëra, por duke u ofruar, gjithashtu, mjetet të cilat atyre u mundësojnë të arrijnë marrëveshje në mënyrë të padhunshme. E vështruar në këtë mënyrë, demokracia e mbështet paqen në shoqëritë pluraliste duke e civilizuar konfliktin dhe jo duke e shtypur atë. Interesi i përbashkët është diçka për të cilin bashkërisht duhet gjetur zgjidhje, dhe për të cilin duhet rënë në ujdi, dhe jo të përcaktohet paraprakisht nga ndonjë parti e vetme. Mospajtimi dhe konflikti janë normale, dhe në asnjë mënyrë nuk janë të dëmshëm përderisa potenciali i tyre destruktiv mbahet nën kontroll. Prandaj, në demokraci si formë e qeverisjes, qytetarëve u jepen të drejtat e tilla themelore si liria e ndërgjegjes, besimit dhe shprehjes. Kur qytetarët t’i përdorin këto të drejta, ata do të krijojnë mosmarrëveshje dhe konflikt, dhe duhet të arrijnë marrëveshje për një zgjidhje. Për të siguruar se ata pajtohen për rregullat e trajtimit të konflikteve dhe, përfundimisht, gjetjen e zgjidhjeve për to, gjykohet që qytetarët e demokracive pluraliste të bëjnë një kontratë shoqërore me gjithë qytetarët tjerë, për t’u pajtuar me marrëveshjet shoqërore dhe politike të asaj shoqërie.
Një kontratë e tillë shoqërore përmban parimin e sundimit nga shumica. Për disa grupe minoritare, e meta e kësaj është se vizioni i tyre radikal asnjëherë mund të mos arrihet përmes kutisë së votimit. Në anën tjetër, shoqëritë e tilla i garantojnë të drejtat e pakicave politike që ata të ndjekin qëllimet e tyre legjitime politike, të papenguar nga shteti. Pra, demokracitë pluraliste gjithmonë jetojnë me mundësinë e zgjedhjes së qeverive radikale, anëtarët e të cilëve mund të jenë të prirur të kufizojnë aktivitetet e oponentëve politikë. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kemi legjislacion mbi të drejtat e njeriut dhe liritë, të mbështetur në kushtetutat e shteteve demokratike.
Çdo gjeneratë duhet ta kuptojë këtë grup kompleks të sfidave në shoqëritë pluraliste, dhe mundësinë për t’u përballur me ato në një komunitet demokratik. Kjo përfshin çmuarjen e kontratës së pashkruar shoqërore, pa të cilën nuk mund të mbijetojë asnjë komunitet demokratik. Edukimi për Qytetarinë Demokratike dhe Edukimi për të Drejtat e Njeriut mund të ndihmojë nxënësit të zhvillojnë aftësitë e të kuptuarit, të marrin qëndrimet e tyre dhe të zhvillojnë shkathtësitë që atyre u nevojiten për të marrë pjesë në shoqëri si qytetarë.
Mësimdhënia lidhur me diversitetin dhe pluralizmin
Nxënësit të cilët vijojnë kurset për EQD-në duhet ndihmuar që të kuptojnë natyrën e diversitetit shoqëror, politik, religjioz dhe racor. Ata duhet ndihmuar që të kuptojnë natyrën komplekse të sfidave që dalin nga diversiteti i tillë. Duke ditur se shumë paragjykime lindin nga mungesa e informacioneve dhe të kuptuarit, fanatizmi, në masë të madhe, mund të zvogëlohet me anë të një kontrollimi racional të qëndrimeve, duke marrë parasysh dijen dhe zhvillimin e një gjykimi të ndjeshëm.
Mësimdhënia për diversitetin dhe pluralizmin
Nxënësit duhet gjithashtu të përjetojnë diskutimin demokratik, ashtu që ata të mësohen si të merren me të. Prandaj, Edukimi për Qytetarinë Demokratike duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për t’i pyetur nxënësit që ata të shprehin opinionet e tyre për një temë (sado e parëndësishme) dhe të ofrojnë arsyetimet për këto pikëpamje. Duke dëgjuar dhe duke reaguar në pikëpamjet e nxënësve të tjerë për çështjen e njëjtë, nxënësit do të zhvillojnë jo vetëm shkathtësitë e tyre analitike dhe shprehëse, por do të zhvillojnë gjithashtu gatishmërinë themelore për tolerancë ndaj diversitetit moral dhe politik. Ata do të aftësohen që të pranojnë situata të mosmarrëveshjeve dhe kundërthënieve, dhe po ashtu të çmojnë nevojën për kompromis, dhe do të kuptojnë dallimin në mes të një kompromisi të drejtë dhe të padrejtë. Ata duhet të përqendrohen në çështjet dhe të respektojnë njerëzit, pavarësisht nga pikëpamjet dhe interesat e tyre.
Duke përjetuar procesin e diskutimit demokratik, nxënësit gjithashtu mësojnë se debatet e hapura dhe të drejta kërkojnë respektimin e procedurave të caktuara themelore, duke përfshirë:
- të gjithë pjesëmarrësve të cilët kanë me çka të kontribuojnë duhet t’ju mundësohet që ta bëjnë këtë;
- kontributet e të gjithëve duhet të dëgjohen me respekt;
- pjesëmarrësit duhet të sulmojnë argumentet jo njerëzit;
- pjesëmarrësit duhet të marrin pjesë në debat duke pranuar mundësinë që pikëpamjet e tyre të mund të ndryshohen;
- debatet kundërshtuese, ku pjesëmarrësit argumentojnë nga pozicione të mbyllura, shpesh janë më pak të dobishme se sa debatet eksplorative, ku qëllimi nuk është që “të fitohet argumenti” por “të kuptohet më mirë problemi”.
Kjo e veçon EQD-në si lëndë në të cilën pyetjet dhe përgjigjet, përgjithësisht, janë më të rëndësishme se sa paraqitja e fakteve të caktuara. Ndaj, kjo nënkupton se në procesin e mësimdhënies, mësimdhënësit e EQD-së zhvillojnë shkathtësi për të mbështetur të menduarit e nxënësve dhe jo për ta dominuar atë. Studimet tregojnë se nxënësit flasin më shumë në klasë vetëm atëherë kur mësimdhënësit flasin më pak.
NJËSIA 3: Diversiteti dhe pluralizmi
Si mund të jetojnë njerëzit së bashku në paqe?
Titulli i mësimit | Objektivat | Detyrat e nxënësve | Burimet | Metoda |
Mësimi 1: Si mund të jetojnë njerëzit së bashku? |
Të shqyrtohen çështjet të cilat paraqiten kur komunitetet me vlera dhe besime të ndryshme mundohen të jetojnë së bashku në paqe. Të merret parasysh roli i edukimit për arritjen e mirëkuptimit ndërmjet njerëzve të kulturave të ndryshme. Të gjykohet nëse individët, në mënyrë të pavarur, mund të ndikojnë në shoqëri. |
Nxënësit diskutojnë për çështje që lidhen me një tregim. Nxënësit angazhohen në të menduarit kritik. Ata këmbejnë ide. Nxënësit luajnë role për të eksploruar një çështje. | Kopje të prospekteve për nxënës 3.1. | Diskutime. Të menduarit kritik. Ngritja e hipotezave. Luajtja e roleve. |
Mësimi 2: Pse njerëzit nuk pajtohen? |
Të merren parasysh arsyet pse njerëzit kanë opinione të ndryshme për çështje të rëndësishme. Të zhvillohet aftësia për të diskutuar çështje të kontestueshme. Të shqyrtohen vlerat që janë të nevojshme për përforcimin e shoqërive demokratike. | Nxënësit paraqesin pikëpamjet e tyre mbi një sërë çështjesh dhe ato pikëpamje i mbrojnë. Nxënësit analizojnë burimet e mosmarrëveshjeve për çështje të kontestuara publikisht. Nxënësit i gjykojnë ndikimet në vlerat e tyre vetjake. Nxënësit përpilojnë udhëzime për të inkurajuar respektimin e pluralizmit dhe për të siguruar mbështetje për cilësinë e respektit dhe dialogut për çështje publike. | Etiketa të mëdha për ushtrimin “katër këndet”. | Diskutim. Reflektim. Të menduarit kritik. Krijimi i rregullave me bashkëpunim. |
Mësimi 3: Në çfarë aspektesh ndryshojnë njerëzit? |
Të merren parasysh barrierat e barazisë në një komunitet më të gjerë. Të identifikohen arsyet pse disa njerëz mund të kenë qasje të pabarabartë në edukim. Të merren parasysh barrierat e barazisë në një komunitet më të gjerë. Të gjykohet kush mban përgjegjësinë për kapërcimin e barrierave të barazisë. | Nxënësit në mënyrë kritike analizojnë një situatë hipotetike që ka të bëjë me konceptet kyçe. Nxënësit i zbatojnë parimet kyçe në situatat e tyre shoqërore. Nxënësit diskutojnë për çështjet kyçe që lidhen me mësimin. Nxënësit bëjnë një detyrë me shkrim. | Kopje të tregimit. Kopje të materialeve për nxënës 3.3. | Të menduarit kritik. Diskutim. Përpilim i argumentit me shkrim. |
Mësimi 4: Pse janë të rëndësishme të drejtat e njeriut?
|
Të shqyrtohen çështjet që dalin kur njerëzit me vlera dhe mënyra të ndryshme jetese mundohen të jetojnë së bashku. Të merren parasysh arsyet pse janë hartuar instrumentet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, veçanërisht kur individët dhe komunitetet janë të cenueshëm. | Nxënësit angazhohen në të menduarit kritik dhe në prioritizimin e situatave. Nxënësit luajnë role të diskutimeve ndërmjet palëve kundërshtare. Nxënësit i paraqesin parimet kyçe duke u bazuar në luajtjen e roleve, dhe ato i krahasojnë me nenet e krahasueshme të KEDNJ. Nxënësit i krahasojnë skenarët me shembuj të vërtetë të abuzimeve të të drejtave të njeriut në vendin e tyre. Nxënësit përgatisin prezentime për nxënësit tjerë lidhur me elementet e përzgjedhur të KEDNJ. |
Kopje të skenarit të ishullit. Kopje të skedave me situatat e ndryshme për çdo grup të vogël. Lista e elementeve kyçe të drejtave të njeriut. Fletë të mëdha të letrës dhe materiale të artit, sipas nevojës, për prezentimin përfundimtar.
|
Të menduarit kritik. Diskutim. Negocim. Prezentim në grupe.
|
- Mësimi 1: Si mund të jetojnë njerëzit së bashku?
Si mund të ndikojë arsimi në rritjen e tolerancës dhe të kuptuarit13? Objektivat e mësimnxënies Nxënësit janë në gjendje të: –...
- Mësimi 2: Pse njerëzit nuk pajtohen?
Në çka bazohen dallimet? Objektivat e mësimnxënies Nxënësit janë në gjendje të marrin parasysh arsyet pse njerëzit kanë opinione të ndryshme...
- Mësimi 3: Në çfarë aspektesh ndryshojnë njerëzit?
Sa janë ndryshe nevojat e njerëzve? Objektivat e mësimnxënies Nxënësit mund të: identifikojnë arsyet pse disa njerëz mund të kenë qasje të...
- Mësimi 4: Pse janë të rëndësishme të drejtat e njeriut?
Pse na nevojitet legjislacion mbi të drejtat e njeriut për të mbrojtur njerëzit e cenueshëm?14 Objektivat e mësimnxënies Nxënësit janë në gjendje...
- Prospektet për nxënës 3.1: Shkolla në skaj të pyllit
Na ishte njëherë një komunitet i njerëzve të cilët jetonin në pyje të dendura buzë një vargmali. Ata ishin njerëz religjioz të...
- Prospektet për nxënës 3.2: Shpresa është për të gjithë
Drejtoresha e Kolegjit të Shpresës ishte një grua bujare dhe zemërmirë. Ajo fuqishëm besonte në rëndësinë e edukimit. “Çdokush meriton një fillim...
- Prospektet për nxënës 3.3: Ndihmë për Kolegjin e Shpresës
Problemet Zgjidhjet (1) Fëmijët...
- Prospektet për nxënës 3.4: Banorët e ishullit dhe ardhësit (kolonët) (skedat e roleve)
Grupi 1: Banorët e ishullit Ju jeni një grup i banorëve të ishullit. Populli juaj ka jetuar në këtë ishull me mijëra...
- Prospektet për nxënës 3.5: Skedat e situatave: banorët e ishullit
Shikoni situatat vijuese dhe vendosni në grupet e juaja çka mendoni ju se duhet bërë për këto situata. Banorët e ishullit Ardhësit...
- Prospektet për nxënës 3.6: Elementet kryesore të të drejtave të njeriut15
E drejta për jetë. Liria nga tortura. Liria nga skllavërimi. E drejta për liri dhe siguri. E drejta për gjykim të drejtë....