Mësimi 1: Zgjidhja e konfliktit

Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 1: Individi dhe komuniteti » NJËSIA 4: Konflikti » Mësimi 1: Zgjidhja e konfliktit

Si mund t’i trajtojmë mospajtimet e rënda?

Objektivat e mësimnxënies Paraqitja e qasjes gjashtë-hapësh për zgjidhjen e konfliktit.
Detyrat e nxënësve Analiza e një konflikti; gjetja e zgjidhjeve.
Burimet Fletë të letrës ose fletore dhe stilografë.
Prospektet për nxënës 4.1.
Metoda Puna me tërë klasën dhe puna në çifte mbetet zgjedhore.

Të  mësuarit  konceptual

Konfliktet janë pjesë e jetës së përditshme. Ato nuk duhet shikuar si ngjarje negative, por si përplasje interesash në mes të individëve ose grupeve. Në politikë, konfliktet madje janë pjesë e rëndësishme e diskutimit publik. Vetëm përmes konfliktit të hapur dhe kërkimit të kompromisit grupet e ndryshme shoqërore do të ndjehen se janë të integruar dhe se zëri i tyre dëgjohet. Zgjidhja e konfliktit (kërkimi i kompromisit) është një shkathtësi që mund të mësohet. Ky mësim synon që t’i kontribuojë këtij qëllimi.

Përshkrimet e mëposhtme të zgjidhjes së konfliktit paraqiten në këtë mësim, dhe është me rëndësi që mësimdhënësi të ketë njohuri për kuptimin e tyre.

Fiton-fiton: kjo përshkruan situatën në të cilën përfitojnë të dyja palët në mënyrë të njëjtë nga zgjidhja e konfliktit për të cilën janë pajtuar, dhe ata mendojnë se kanë arritur atë që kanë dëshiruar. Kjo konsiderohet si situata më ideale e zgjidhjes së konfliktit, sepse ndihmon për të siguruar që konflikti të mos rishfaqet.

Fiton-humb ose humb-fiton: Kjo përshkruan situatën ku zgjidhja e konfliktit do të thotë se njëra palë ka humbur dhe tjetra ka fituar. Kjo lloj situate shpesh do të thotë se konflikti do të rishfaqet, meqë për humbësin përfitimi është shumë i vogël.

Humb-humb: Kjo përshkruan situatën në të cilën asnjëra palë nuk fiton gjë nga zgjidhja e konfliktit. Kjo situatë shpesh do të thotë se konflikti ka pushuar vetëm përkohësisht dhe ka shumë të ngjarë që sërish të del në sipërfaqe.

Mësimi

Mësimdhënësi e fillon mësimin duke shkruar fjalën “KONFLIKT” në anën e majtë të dërrasës së zezë. Pastaj nga nxënësit kërkon që të shkruajnë në një fletë të letrës shprehje dhe fjalë që atyre u kujtohen të cilat lidhen me fjalën “konflikt”.

Pastaj e njëjta bëhet edhe me fjalën “PAQE”, të cilën mësimdhënësi e shkruan në anën e djathtë të dërrasës së zezë. Mësimdhënësi pastaj pyet rreth 10 nxënës për fjalët që ata i kanë shkruar. Rezultatet shënohen në dërrasën e zezë dhe nxënësit paraqesin komentet e tyre për çështjet vijuese:

  • A janë ata të befasuar me ndonjërën nga fjalët e zgjedhura?
  • A janë të gjitha fjalët që lidhen me konfliktin negative, kurse ato që lidhen me paqen a kanë konotacion pozitiv?

Në vazhdim mësimdhënësi kërkon që nxënësit të japin shembuj të konflikteve të cilët ata vetë i kanë përjetuar apo të cilët janë shfaqur në mjedisin e tyre. Ai kërkon që ata të mendojnë nëse këto konflikte u përkasin kategorive të konflikteve të cilët mund të zgjidhen, dhe që janë hapi i parë kah kompromisi, ose kategorisë së konflikteve të cilët nuk mund të zgjidhen. Mësimdhënësi pastaj paraqet mendimin se konfliktet nuk shpien domosdoshmërisht në dhunë, dhe se janë të mundshme qasje më konstruktive për zgjidhjen e konflikteve.

Mësimdhënësi në vazhdim u paraqet një shembull konkret të një konflikti i cili mund të paraqitet në familje.

“Katja, vajza 18 vjeçare, dëshiron të shikojë një videokasetë, të cilën ajo së fundi e ka marrë nga një shok. Vëllai i saj Martin, 15 vjeçar, dëshiron të shikojë programin e tij më të preferuar televiziv.” Mësimdhënësi i jep çdo nxënësi kopje të prospekteve për nxënës 4.1 dhe fillon të analizojë këtë konflikt

duke përdorur qasjen gjashtë-hapësh të përshkruar më poshtë.

Hapat 1 dhe 2 ndërmerren me tërë grupin, të drejtuar nga mësimdhënësi, i cili insiston në gjetjen e “nevojave” reale të të dy palëve, dhe në përpilimin e një përkufizimi të qartë të konfliktit.

Në hapin 1 është me rëndësi që nevojat reale të secilës palë të sqarohen në mënyrë joprovokative. Duhet menduar se cilat janë nevojat reale që qëndrojnë pas problemit, meqë këto mund të ndryshojnë nga nevojat e shprehura nga vetë palët. Në hapin 2, problemi i cili qëndron pas konfliktit formulohet ashtu që të dyja palët të pajtohen për të.

Hapi 3 konsiston në të menduarit e zgjidhjeve të mundshme. Në këtë fazë, zgjidhjet nuk duhet të komentohen apo të gjykohen – të gjitha kontributet duhet mirëpritur. Hapi 3 mund të realizohet në çifte, i përcjell me këmbim të opinioneve (ose partnerëve?). Në vijim mësimdhënësi paraqet konceptin e qasjeve “humb-humb”, “fiton- humb”, “humb-fiton” ose “fiton-fiton” për analizimin e zgjidhjeve, dhe pastaj kërkon që çiftet të vlerësojnë zgjidhjet e tyre duke e përdorur këtë koncept (hapi 4).

Nëse nxënësit konstatojnë se asnjëra nga zgjidhjet e tyre nuk rezulton me situatën fiton-fiton, nga ta kërkohet që të mendojnë më tepër. Mirëpo, gjithmonë do të ketë raste kur zgjidhja fiton-fiton nuk është e mundshme. Pasi të paraqesin përgjigjet e tyre, mësimdhënësi fton grupin që të vendosë se cila zgjidhje është më e mira (hapi 5). Në një konflikt të vërtetë, ku palët drejtpërsëdrejti janë të përfshira në këtë qasje të zgjidhjes së konfliktit, palët duhet ta pranojnë zgjidhjen. Mësimdhënësi përfundon duke bërë një prezentim të shkurtër të një mundësie për hapin 6. Elementi esencial për hapin 6 është se pas një periudhe të caktuar kohore (disa minuta, orë, ditë ose javë, varësisht nga natyra e konfliktit) zgjidhja vlerësohet dhe, kur është e nevojshme, miratohet. Si përfundim, mësimdhënësi e mbështet një diskutim për pyetjen nëse një mjet siç është metoda gjashtë-hapëshe mund të jetë e suksesshme, në çfarë lloji të situatës, dhe cilat do të ishin pasojat nëse njohuritë për mjetin e tillë do të ishin të gjëra dhe ky të përdorej. Kjo duhet të diskutohet në relacion me grupet dhe kontekstet e ndryshme siç janë:

  • grupet e shokëve;
  • familja;
  • klasa;
  • shkolla;
  • shteti;
  • lufta;
  • sporti.