Fleta e burimeve të mësimdhënësit: E drejta ndërkombëtare humanitare
Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 1: Individi dhe komuniteti » NJËSIA 4: Konflikti » Fleta e burimeve të mësimdhënësit: E drejta ndërkombëtare humanitareÇka është e drejta ndërkombëtare humanitare?
E drejta ndërkombëtare humanitare (DNH) përfshin edhe parimet humanitare edhe traktatet ndërkombëtare, përmes të cilëve kërkohet ruajtja e jetëve dhe lehtësimi i vuajtjeve të luftëtarëve dhe joluftëtarëve gjatë konfliktit të armatosur. Dokumentet e saj kryesore ligjore janë Konventat e Gjenevës të vitit 1949, dhe katër traktatet e nënshkruara gati nga çdo popull i botës. Me këto konventa përkufizohen të drejtat fundamentale të luftëtarëve të larguar nga beteja për shkak të lëndimit, sëmundjes ose zënies rob dhe të drejtat fundametale për popullatën civile. Protokollet shtesë të vitit 1977, që i plotësojnë Konventat e Gjenevës, i zgjerojnë edhe më shumë këto të drejta.
Kë e mbron DNH-ja? A më mbron DNH-ja mua?
DNH-ja mbron pjesëtarët e plagosur, të sëmurët ose të zënët rob të forcave të armatosura dhe të popullatës civile. Luftëtarët e plagosur dhe të sëmurët – cilitdo kombi që ata t’i përkasin – duhet të mblidhen nga ku janë dhe për ta duhet ofruar kujdes sipas dispozitave të Konventës së Gjenevës I. Ata nuk mund të vriten ose t’u nënshtrohen torturave apo eksperimenteve biologjike. Atyre duhet ofruar kujdes adekuat dhe duhet mbrojtur nga plaçkitja ose keqtrajtimi. Me këtë Konventë mbrohen, gjithashtu, punëtorët shëndetësorë, personeli religjioz ushtarak, objektet mjekësore ushtarake dhe njësitë mobile.
Luftëtarët e plagosur, të sëmurët dhe të mbijetuarit nga mbytja e anijeve në det mbrohen me Konventën e Gjenevës II. Atyre u sigurohet mbrojtje e njëjtë sikurse ushtarëve në tokë, e cila mbrojtje ofrohet varësisht nga kushtet me të cilat përballen në det. Anijet spitale janë të mbrojtura.
Të burgosurit e luftës (BL), të mbrojtur me Konventën e Gjenevës III, duhet të trajtohen me humanizëm dhe atyre duhet siguruar strehim adekuat, ushqim, veshmbathje dhe kujdes mjekësor. Ata nuk duhet t’i nënshtrohen torturës apo eksperimentimeve mjekësore, dhe duhet të mbrohen kundër akteve të dhunës, fyerjeve dhe kurioziteteve publike. Reporterët e luftës të zënë rob dhe civilët e autorizuar që përcjellin ushtrinë gjithashtu kanë të drejtë në këtë status.
Civilët janë të mbrojtur me Konventën e Gjenevës IV. Gjatë tërë kohës, palët në konflikt duhet bërë dallimin në mes civilëve dhe luftëtarëve, dhe operacionet e tyre duhet drejtuar vetëm kundër caqeve ushtarake. Popullata civile duhet lejuar që të bëjë jetë sa më normale të mundshme. Ajo duhet mbrojtur kundër vrasjeve, torturës, plaçkitjes, masave ndëshkimore, shkatërrimit pa dallim të pasurisë dhe marrjes peng. Duhet të respektohet nderi i tyre, të drejtat familjare, bindjet religjioze dhe praktikimi i religjionit. Forcat okupuese sigurojnë dhe lejojnë kalim të sigurt të ushqimit të mjaftueshëm dhe të pajisjeve mjekësore, si dhe krijimin e zonave spitalore të sigurta për të plagosurit, për të sëmurët, për të moshuarit, për fëmijët , për gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë të vegjël. Kjo Konventë siguron mbrojtje speciale për gratë dhe fëmijët. Stafi i spitalit që kujdeset për këta individë duhet të respektohet dhe të mbrohet.
Me Konventat e Gjenevës kërkohet që ndihma humanitare të ofrohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKQ), nga Kryqi i Kuq dhe organizatat shtetërore të Gjysmëhënës së Kuqe apo nga organizatat tjera humanitare të pavarura, ashtu siç autorizohen nga palët në konflikt.
A janë e drejta ndërkombëtare humanitare dhe ligji mbi të drejtat e njeriut ndryshe?
Po, por ata e plotësojnë njëri tjetrin. Që të dy kërkojnë mbrojtjen e individëve nga dëmet dhe ruajtjen e dinjitetit njerëzor, por ata trajtojnë rrethana të ndryshme dhe kanë dokumente të ndryshme bazë. DNH-ja zbatohet në kohë të konflikteve të armatosura për të zvogëluar vuajtjet e shkaktuara nga lufta dhe për të mbrojtur ata të cilët kanë rënë në duart e palës kundërshtare. Përqendrimi kryesor i DNH- së është të mbrojë të drejtat fundamentale të luftëtarëve të plagosur, të sëmurë dhe të mbijetuar nga mbytja e anijeve, të BL-ve dhe të popullatës civile. Ligji mbi të drejtat e njeriut zbatohet në kohë të paqes apo të luftës, por kryesisht merret me mbrojtjen e njerëzve kundër shkeljeve të të drejtave të tyre civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të njohura ndërkombëtarisht, shkelje këto që atyre ua bëjnë qeveritë.
Çka parasheh DNH-ja për fëmijët ushtarë?
E drejta humanitare ndërkombëtare ndalon fëmijët nga pjesëmarrja në luftime, por fëmijët ushtarë akoma paraqesin një problem serioz në shumë pjesë të botës. Sipas DNH-së kërkohet që fëmijët nën 15 vjet të mos rekrutohen në forcat e armatosura, dhe që të ndërmerren “të gjitha masat e mundshme” për të siguruar që ata të mos marrin pjesë direkte në luftime. Gjatë rekrutimit të atyre ndërmjet 15 dhe 18 vjeç, prioritet duhet dhënë atyre më të vjetër (neni 77, Protokolli I). Fatkeqësisht, numri i fëmijëve të cilët bëhen ushtarë, qoftë në mënyrë vullnetare apo me forcë, është në rritje. Fëmijët të cilët jetojnë në zona të konfliktit, veçanërisht ata të cilët janë ndarë nga familjet e tyre apo janë të margjinalizuar në mënyra të tjera, mund të bëhen rekrutë potencial. Fëmijët shpesh detyrohen t’i bashkohen një grupi të armatosur ose të bëhen fëmijë ushtarë si mënyrë për të mbijetuar.
Kur përdoret DNH-ja?
DNH-ja zbatohet në konfliktin e armatosur (luftën) që zhvillohet ndërmjet popujve (konflikt i armatosur ndërkombëtar) ose në konfliktet e armatosura të brendshme, siç janë luftërat civile.
A zbatohet DNH-ja për sulmet terroriste të 11 shtatorit?
Edhe pse 11 shtatori i vitit 2001 shkaktoi vdekje dhe rrënime të përmasave që lidhen me luftën, nuk është e qartë se zbatohet DNH-ja. DNH-ja zbatohet në konfliktet e armatosura në mes të shteteve (konfliktet e armatosura ndërkombëtare) ose në konfliktet e armatosura të brendshme siç janë luftërat civile. Nëse sulmet tronditëse në caqet civile në Nju Jork dhe Uashington do të kryheshin nga një rrjet terrorist që vepron në mënyrë individuale, atëherë ata do të rezultonin me krime të tmerrshme, dhe jo në akte të luftës ku do të zbatohej DNH-ja.
A ofron DNH-ja mbrojtje speciale për gratë?
Po. Edhe pse gratë gëzojnë mbrojtjen e përgjithshme ligjore të njëjtë sikurse burrat, me Konventat e Gjenevës miratohet parimi se “gratë duhet trajtuar me tërë respektin për shkak të ginisë së tyre” (neni 12, KGJ I dhe II, neni 14, KGJ III). Kjo do të thotë se ofrohet mbrojtje shtesë për trajtimin e nevojave specifike të grave si pasojë e ndryshimeve gjinore, nderit dhe modestisë, shtatzënisë dhe lindjes së fëmijëve. Për shembull, gratë e burgosura të luftës (BL) ose të internuara duhet të mbahen në vende të ndara nga burrat, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të grave të tjera. Gratë duhet të mbrohen “kundër dhunimit, prostitucionit të detyruar ose kundër çdo forme tjetër të sulmit të turpshëm” (KGJ IV, neni 27, gjithashtu neni 75 dhe 76, Protokolli I). Sa u përket rasteve kur duhet liruar mjetin transportues nga ngarkesat, prioritet duhet dhënë “grave shtatzëna, grave që kanë lindur dhe nënave që ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri” (neni 70, Protokolli I). Për të mësuar më shumë për çështje të grave në konfliktet e armatosura, si dhe për natyrën optimiste që e kanë treguar shumica prej tyre, referohuni studimit të fundit mbi “Gratë të cilat përballen me luftën” në www.womenandwar.org.
Si i mbron DNH-ja fëmijët?
DNH-ja ndalon sulmet kundër popullatës civile dhe përfshin mbrojtjen speciale për fëmijët. Të gjithë civilët duhet të mbrohen kundër vrasjeve, torturës, plaçkitjes, masave ndëshkimore, shkatërrimit pa dallim të pasurisë dhe marrjes peng. Duhet të respektohet nderi i tyre, të drejtat familjare, bindjet religjioze dhe praktikimi i fesë. Forcat okupuese duhet të sigurojnë dhe të lejojnë kalim të sigurt të ushqimit të mjaftueshëm dhe të pajisjeve mjekësore, si dhe vendosjen e zonave spitalore dhe atyre të sigurisë për të plagosurit, për të sëmurët, për të moshuarit, për fëmijët, për gratë shtatzëna dhe për nënat me fëmijë të vegjël. Dispozitat e veçanta gjithashtu u përgjigjen nevojave të fëmijëve të pashoqëruar nga familja, nevojave psiko-sociale dhe komunikimit me familjen.
Fëmijët nën 15 vjeç të cilët kanë mbetur jetim apo janë ndarë nga familjet e tyre, duhet marrë nën përkujdesje. Atyre duhet t’u mundësohet të praktikojnë religjionin dhe duhet ndihmuar në edukimin e tyre.
A është shkelje e DNH-së nëse civilët vriten gjatë luftës?
Mbrojtja e civilëve është objektivi kryesor i DNH-së. Sipas Konventës së Gjenevës IV, civilët duhet mbrojtur nga vrasjet dhe ata duhet lejuar që të bëjnë jetë normale, nëse këtë e lejon siguria. Protokolli shtesë I i vitit 1977 ofron më tepër detaje për zgjerimin e mbrojtjes civile në konfliktet e armatosura ndërkombëtare. Edhe pse Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar Protokollin I, akoma nuk e kanë ratifikuar atë. Megjithatë, ShBA-ja është shprehur se do të veprojë në përputhje me këto dispozita, të cilat nga shumica konsiderohen të jenë kodifikim i të drejtës zakonore të pranuar gjerësisht, të përpiluar para qindra vitesh.
Rregulla kryesore e parimit të dallimit është paraqitur në nenin 48 të Protokollit I, në të cilën thuhet: “Për të siguruar respektin për popullatën civile dhe objektet civile dhe për t’i mbrojtur ato, palët në konflikt çdoherë do të bëjnë dallimin në mes të popullatës civile dhe luftëtarëve dhe në mes të objekteve civile dhe objektivave ushtarake dhe, në përputhje me rrethanat, do t’i drejtojnë operacionet e tyre vetëm kundër caqeve ushtarake.” Përveç ndalimit të sulmeve të drejtpërdrejta, DNH-ja gjithashtu ndalon sulmet pa bërë dallime mbi popullatën civile. Këto mund të paraqiten, për shembull, ku një sulm i forcave të armatosura drejtuar një objektivi ushtarak, nuk merr parasysh pasojat negative tepër të mëdha të popullatës civile (neni 41 i Protokollit I).
Mirëpo, nuk janë të paligjshme të gjitha vdekjet e civilëve të shkaktuara gjatë luftës. DNH-ja nuk e shpall të paligjshëm konfliktin e armatosur, por bën përpjekje që të ekuilibrojë të drejtat e pranuara ligjore të atij populli për të sulmuar caqet legjitime ushtarake gjatë luftës me të drejtën e popullatës civile për t’u mbrojtur nga efektet e luftimeve. Me fjalë të tjera, duke pasur parasysh natyrën e luftës, DNH-ja parasheh një shkallë të caktuar të “dëmit kolateral”, i cili ndonjëherë, fatkeqësisht, mund të përfshijë viktima civile.