NJËSIA 5: Të drejtat, liritë dhe përgjegjësitë

Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 2: Marrja e përgjegjësisë » NJËSIA 5: Të drejtat, liritë dhe përgjegjësitë

Cilat janë të drejtat tona dhe si mbrohen ato?

ID_5599

Të drejtat e njeriut, në njërën anë, merren me zhvillimin e qenieve njerëzore, d.m.th. sa ata janë në gjendje të vënë në jetë potencialin e tyre të plotë në marrëdhëniet me bashkëqytetarët e tyre. Në anën tjetër, të drejtat e njeriut përcaktojnë përgjegjësitë e shtetit komb ndaj individëve. Dokumentet e rëndësishme mbi të drejtat e njeriut përfshijnë Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut dhe Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës. Tradicionalisht, të drejtat e njeriut janë ndarë në kategori – të drejtat civile, politike, sociale, ekonomike dhe kulturore. Këto kategori shpesh shoqërohen me etapat e zhvillimit të historisë së të drejtave të njeriut, ku të drejtat civile dhe politike konsiderohen si “gjenerata e parë”, pasuar nga të drejtat sociale dhe ekonomike si “gjenerata e dytë” dhe të drejtat kulturore ose të drejtat për zhvillim që konsiderohen si “gjenerata e tretë”. Pavarësisht vlerës së kategorizimit të të drejtave, EQD/EDNJ- ja kërkon promovimin e të kuptuarit të të drejtave të njeriut pa bërë dallime. Të gjitha kategoritë i konsideron të një rëndësie të njëjtë: civile, politike, sociale, ekonomie dhe kulturore. Pra, EQD/EDNJ-ja përpiqet të balancojë tendencën e të kaluarës për të konsideruar të drejtat e caktuara si më të rëndësishme se të tjerat. Derisa të drejtat e njeriut tradicionalisht janë shoqëruar me shtetin dhe marrëdhëniet e tij me individët, EQD/EDNJ-ja gjithnjë e më shumë e vë theksin në të drejtat e grupeve ose të popujve. Përpjekjet për të përfshirë këto ide në EQD/EDNJ janë të rëndësishme për zhvillimin e vetë konceptit dhe për zhvillimin e komuniteteve lokale, nacionale dhe rajonale.19

Të drejtat e njeriut i kanë tri elemente: bartësin e të drejtave, përmbajtjen e të drejtës (çfarë ka të drejtë të kërkojë bartësi) bartësin e detyrimit (personi ose institucioni që duhet t’i përgjigjet kërkesës). Detyrimet zakonisht vlerësohen në tri nivele:

  • Të respektosh do të thotë të përmbahesh nga privimi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i të drejtave të individëve, duke përfshirë edhe përmbajtjen nga krijimi i një sistemi institucional, i cili do t’i privonte njerëzit nga të drejtat e tyre apo nga stimulimi i të tjerëve për të privuar njerëzit nga të drejtat e tyre.
  • Të mbrosh do të thotë të zbatosh këtë respekt; të parandalosh ata të cilët duan të privojnë tjetrin nga të drejtat e tij – qofshin ata zyrtarë qeveritarë, institucione ndërkombëtare, korporata private, udhëheqës të komunitetit, anëtarë të komitetit apo anëtarë të familjes – që këtë të mos e bëjnë.
  • Të përmbushësh do të thotë të ndihmosh të privuarit – duke përfshirë edhe ata për të cilët kemi përgjegjësi speciale, ata të cilët janë privuar sepse nuk është kryer detyrimi për të respektuar dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre, dhe ata të cilët janë viktima të katastrofave natyrore. Kjo ndihmë përfshin ndërmarrjen e veprimeve legjislative, buxhetore, gjyqësore dhe të tjera për të siguruar ambientin më të mirë të mundshëm, ku mbizotërojnë parimet për mbrojtjen e të drejtave.20

Liritë e mbrojtura si të drejta civile përfshijnë lirinë e mendimit, të opinionit dhe të shprehjes, lirinë e besimit religjioz dhe praktikimit të atij religjioni, lirinë e lëvizjes brenda shtetit dhe të drejtën për tubim paqësor dhe në shoqata (shoqëri). Të drejtat tjera civile mbrojnë privatësinë e individit, jetën familjare dhe të drejtën e barazisë para ligjit.21

Përgjegjësitë janë rrjedhojë logjike e të drejtave të njeriut. Për t’u mbrojtur, çdo e drejtë bart përgjegjësitë përkatëse, edhe për qytetarët edhe për shtetin. Çdo individ ka detyrim moral që të mos cenojë dinjitetin personal të tjetrit. Qeveritë, me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe të detyruar me kushtetutat e tyre, nuk kanë vetëm obligim moral, por edhe detyrim ligjor.

Edukimi për Qytetarinë Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut

Përmes kësaj serie të mësimeve nxënësit do të:

  • kuptojnë më mirë natyrën e të drejtave të njeriut: ato janë parakushte që çdo njeriu i mundësojnë të jetojë me dinjitet;
  • zgjerojnë njohuritë e tyre për këto të drejta dhe kuptojnë si funksionojnë të drejtat e njeriut të pranuara ndërkombëtarisht;
  • rrisin aftësitë e tyre për të njohur shkeljet e të drejtave të njeriut;
  • zgjerojnë njohuritë e tyre se si ata mund të kontribuojnë në përmirësimin e respektimit të të drejtave të njeriut;
  • zgjerojnë  njohuritë  dhe  rrisin  vetëdijen  e  tyre  për  përgjegjësitë  që  lidhen  me  të  drejtat  e  njeriut: përgjegjësitë e shtetit dhe të institucioneve, si dhe përgjegjësitë e tyre morale.

NJËSIA 5: Të drejtat, liritë dhe përgjegjësitë

Cilat janë të drejtat tona dhe si mbrohen ato?

Titulli i mësimit Objektivat Detyrat e nxënësve Burimet Metoda

Mësimi 1:

Dëshirat, nevojat themelore, dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut

Nxënësit mund të tregojnë se të drejtat e njeriut janë parakusht që çdo njeri të mund të jetojë me dinjitet. Nxënësit i lidhin dëshirat e tyre me nevojat themelore dhe me të drejtat e njeriut. Prospektet për nxënës 5.1. Prospektet për nxënës 5.2 (mësimdhënësi duhet t’i njoftojë nxënësit se këto prospekte për nxënës përdoren gjatë tërë njësisë dhe kështu do të nevojiten edhe në mësimet tjera). Punë në grupe, punë plenare. Të menduarit kritik.

Mësimi 2:

Zbulimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Nxënësit mund të identifikojnë shkeljet e të drejtave të njeriut. Nxënësit studiojnë rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Prospektet për nxënës 5.3. Prospektet për nxënës 5.2. Punë në çifte ose në grup. Diskutim plenar.

Mësimi 3:

Të drejtat dhe përgjegjësitë

Nxënësit kuptojnë se si ata mund të kontribuojnë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Nxënësit kuptojnë se të drejtat e njeriut janë të lidhura me përgjegjësitë – përgjegjësitë e shtetit dhe të institucioneve, si dhe përgjegjësitë e tyre morale. Nxënësit identifikojnë përgjegjësitë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe kontributet e tyre personale. Fletë e bardhë e letrës dhe stilograf Prospektet për nxënës 5.4. Prospektet për nxënës 5.2. Punë në çifte ose në grup.
Të menduarit kritik.

Mësimi 4:

Kuizi (testi) për të drejtat e njeriut

Nxënësit mësojnë për të drejtat e njeriut të pranuara ndërkombëtarisht. Nxënësit përgjigjen në pyetjet me më shumë alternativa të përgjigjes dhe diskutojnë implikimet e përgjigjeve të tyre. Skeda për çdo nxënës me zgjedhjet në anën e pasme (prospektet për nxënës 5.5). Pyetje me zgjidhje të shumfishta.

19. Nga “Fjalori i termave të edukimin për qytetarinë demokratike” (“A glossary of terms for education for democratic cit- izenship”), Karen O’Shea, Këshilli i Evropës, DGIV/EDU/CIT (2003) 29.
20. Bazuar në “Duties sans Frontières. Të drejtat e njeriut dhe drejtësia globale shoqërore”, International Council of Human Rights Policy.
21. Po aty.