Mësimi 1: Dëshirat, nevojat themelore, dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut

Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 2: Marrja e përgjegjësisë » NJËSIA 5: Të drejtat, liritë dhe përgjegjësitë » Mësimi 1: Dëshirat, nevojat themelore, dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut

A gëzoj unët të drejtë të njeriut për çdo gjë që unë e dëshiroj?

Objektivi i mësimnxënies Nxënësit mund të tregojnë se të drejtat e njeriut janë parakushte të nevojshme që çdo njeri të jetojë me dinjitet.
Detyrat e nxënësve Nxënësit i lidhin dëshirat e tyre me nevojat (e tyre) themelore dhe me të drejtat e njeriut.
Burimet Prospektet për nxënës 5.1 (një material për çdo grup me katër apo pesë nxënës).
Prospektet për nxënës 5.2 (një fletushkë për çdo grup me katër apo pesë nxënës).
Metoda Punë në grupe, punë plenare.
Të menduarit kritik.

Konceptet

Është me rëndësi që të jeni në gjendje të bëni dallimin në mes të dëshirës dhe nevojës themelore. Nevojat themelore të njerëzve, të cilat duhet të përmbushen për t’u mundësuar atyre të jetojnë me dinjitet, mund të konsiderohen si bazë mbi të cilën janë formuar të drejtat e njeriut.

Në këtë mësim ka mundësi të bëhet punë me postera dhe të menduarit kritik si aktivitete shtesë.

Mësimi

Për të paraqitur mësimin, mësimdhënësi i njofton nxënësit për organizimin e mësimit, por nuk duhet të hyjë në detaje sa i përket temës kryesore. Nxënësit fillojnë duke i bërë pyetje vetes dhe njëri tjetrit për dëshirat dhe nevojat e tyre – ata më vonë në mësim do të shohin se shumica prej tyre korrespondojnë me të drejtat njeriut. Pas hyrjes (jo më shumë se një apo dy minuta) nxënësit ndahen në grupe të vogla me nga katër apo pesë, dhe atyre u jepen detyrat në dy faza. Mësimdhënësi së pari shpjegon detyrën 1, dhe në mënyrë individuale grupeve u shpjegon hapin e ardhshëm kur ata të kenë mbaruar. Në këtë mënyrë, kujdesemi për suksesin e të nxënit individual të nxënësve.

  • Detyra 1: Prospektet për nxënës 5.1, Dëshirat, nevojat dhe të drejtat. Grupet bëjnë një listë të dëshirave të tyre “materiale” (p.sh. “një shujtë e mirë”) në kolonën e majtë të fletës së punës dhe shtojnë së paku tri dëshira “jomateriale” (p.sh. “të të dashurojë dikush”). Ata pastaj mendojnë për nevojat që paraqesin këto dëshira dhe ato i shtojnë në kolonën e mesme.
  • Detyra 2: Në vijim mësimdhënësi u jep grupeve që kanë mbaruar me detyrën 1 kopje të prospekteve për nxënës 5.2, Listën e të drejtave të njeriut, dhe kërkon që ata të shkruajnë të drejtën përkatëse në kolonën e fundit (p.sh. “të drejtën për ushqim”, “lirinë nga diskriminimi”).
  • Detyra 3: Grupet që kanë mbaruar herët duhet të fillojnë të mendojnë për përgatitjen e posterit për të drejtat e njeriut duke zgjedhur njërën nga nevojat dhe të drejtën përkatëse. Ata duhet të diskutojnë për përmbajtjen e konceptit të tyre dhe këtë ta shikojnë gjithashtu nga pikëvështrimi artistik, dhe pastaj të bëjnë një projektpropozim.

Pasi të përfundojë puna në grupe, mësimdhënësi mund të shkruaj mendimet e grupeve në dërrasën e zezë. Ai vizaton një tabelë me tri kolona dhe kërkon nga përfaqësuesi i çdo grupi të shtojnë një dëshirë, një nevojë dhe të drejtën përkatëse. Kjo vazhdon derisa kemi një listë me dhjetë dëshira, nevoja dhe të drejta në dërrasën e zezë (nëse është e mundshme, përdorni tabelën shfletuese (flip chart), meqë fletët mund të ngjiten në muret e klasës për të përkujtuar grupet për diskutimet e tyre).

Në vijim mësimdhënësi drejton një diskutim të shkurtër plenar duke përdorur idetë vijuese:

  • “Keni konstatuar se dëshirat dhe nevojat e juaja korrespondojnë me idetë e Konventës mbi të Drejtat e Njeriut. Për këtë nevojiten disa shpjegime!”
  • “Disa të drejta nga Konventa ne nuk i kemi menduar. Ato mund të mos jenë të rëndësishme ose janë të përfshira në ndonjë të drejtë tjetër. Cili është mendimi juaj?”
  • “Shikoni këtë listë të të drejtave të njeriut. Kur të mendoni se çka u nevojitet për të jetuar një jetë të denjë apo çka u nevojitet njerëzve të tjerë në rajone, shtete apo kontinente të tjera, çka mungon? Çfarë të drejtash tjera të njeriut do të shtonit?”

Për të përfunduar diskutimin, mësimdhënësi informon nxënësit se zhvillohet debat mbarëbotëror për fokusin kryesor të të drejtave të njeriut. Njëri prej konkludimeve është: “Të drejtat e njeriut nevojiten për të lejuar secilin të jetojë me dinjitet.” Mësimdhënësi pastaj kërkon që nxënësit të mendojnë për alternativa të këtij konkludimi. Kjo mund të jetë detyrë shtëpie. Nëse është e mundshme, gjatë ditëve të ardhshme, nxënësit duhet të shtojnë idetë e tyre në fletët e letrës që janë ngjitur në muret. Në këtë mënyrë, mund të vazhdojë procesi i të menduarit.

Si detyrë shtesë, nga nxënësit mund të kërkohet të përgatisin postera për temën e të drejtave të njeriut, duke përdorur copa të prera nga gazetat, copa të prera nga revistat ose vizatime dhe piktura të bëra nga vetë ata. Këto mund të përdoren për dekorime të klasës apo për ekspozitë.

Në fund, për të përmbledhur, mësimdhënësi bën një rishikim të shkurtër të mendimeve dhe qëllimeve të mësimit. Ai mund edhe të shpjegojë parimin didaktik të konceptit të tij për të bërë hyrjen: d.m.th., të fillojë me shikimin e përvojës dhe të ideve personale dhe të përfundojë duke shpjeguar konceptin apo teorinë.