Mësimi 2: Zbulimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut

Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 2: Marrja e përgjegjësisë » NJËSIA 5: Të drejtat, liritë dhe përgjegjësitë » Mësimi 2: Zbulimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut

Cila e drejtë e njeriut është shkelur këtu?

 

Objektivi
i mësimnxënies
Nxënësit mund të identifikojnë shkeljet e të drejtave të njeriut.
Detyrat e
nxënësve
Nxënësit studiojnë raste të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Burimet Prospektet për nxënës 5.3 për çdo çift të nxënësve.
Prospektet për nxënës 5.2 për çdo çift të nxënësve.
Metodat Punë në çifte ose në grup.
Diskutim plenar.

Kuti informacioni

Shkelja dhe cenimi i të drejtave të njeriut ndodhin çdo ditë, në mbarë botën. Duke shikuar rastet e vërteta nga e kaluara ose e tanishmja, nxënësit fitojnë një pasqyrë më të qartë dhe më precize se çka  janë të drejtat e njeriut.

Mësimi

Mësimi fillon me diskutimin e detyrave dhe rezultateve nga mësimi i kaluar. Paraqiten posterat dhe bëhet krahasimi i listës së konkluzioneve. Nëse është e dobishme dhe e mundshme, propozimet shënohen në fletë të letrës dhe ngjiten me gjilpëra në muret e klasës, së bashku me posterat.

Në vazhdim nxënësit formojnë çiftet. Çdo çifti i jepet një kopje e prospekteve për nxënës 5.3, Shkeljet e të drejtave të njeriut, dhe një kopje e prospekteve për nxënës 5.2, Lista e të drejtave të njeriut.

Lista e shembujve të shkeljeve të të drejtave të njeriut ndahet në mes të çifteve; për shembull çiftit 1 mund t’i jepet a-d, çiftit 2 e-j, etj.

Është e pëlqyeshme që lista të ndahet ashtu që çdo grup i shkeljeve të rishqyrtohet nga më shumë se një çift i nxënësve.

Nxënësit lexojnë dhe diskutojnë shembullin e një rasti të shkeljes së të drejtave të njeriut. Ata pastaj mundohen të pajtohen për të drejtën e njeriut nga lista e cila është cenuar apo shkelur; d.m.th., në shembullin a, e drejta e cila është shkelur është e drejta nr. 10.

Përgjigjet diskutohen në klasë. Dobia e të pasurit më shumë se një çift duke punuar në një shembull do të thotë se nëse ka dallime të opinioneve, diskutimet mund të drejtohen përmes një serie të pyetjeve të shkurta:

  • Si arritët në opinioni tuaj?
  • Kur dëgjuat përgjigjet e çifteve të tjera, a u bëri kjo që të dëshironi të ndërroni përgjigjen tuaj? Nëse po, çka u bindi juve? Pse?

Qëllimi i diskutimit është që të shqyrtohen disa nga shembujt dhe përgjigjet, në vend që të mendohet se vetëm një përgjigje është e saktë.

Aktivitet shtesë

Nëse ka ende kohë në fund të mësimit, mësimdhënësi mund të pyes nxënësit se cili nga këto shembuj konkretë ju bën më shumë përshtypje. Për disa nga shembujt e dhënë, nxënësit mund të pyeten:

  • Si do të ndiheshit ju po t’ju ndodhte kjo juve?
  • Si do të reagonit ju?
  • Çka besoni ju se do të bënin njerëzit tjerë?

Pyetjet e tilla mund të ndihmojnë nxënësit të eksplorojnë idenë se të tjerët kanë përgjegjësi të veprojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Prospektet për nxënës 5.3: Raste të shkeljeve të të drejtave të njeriut

Kopja e mësimdhënësit me zgjidhjet

Cenimi apo shkelja e të drejtave të njeriut Të drejtat e shkelura të njeriut (DNJ)
a. Znj. X, e cila para ca vitesh e humbi vajzën dhe burrin e saj në një aksident automobilistik, nuk mund të martohej me burrë tjetër pa dhënë leje të qartë kunati i saj. 10
b. Rojet e burgut i përdorën qentë për të frikësuar dhe kërcënuar të burgosurit me sulme, dhe në një rast ata detyruan qentë të kafshojnë një të burgosur. 2
c. Në një fabrikë lokale, punëtorët duhet të punojnë për së paku 10 orë në ditë pa pushim. 21
d. Që nga arrestimi i tyre, tre burra kanë pasur probleme për qasje në avokat. Avokatët kishin ardhur shumë herë por atyre nuk u ishte lejuar që t’i shohin këta të arrestuar; burrave nuk u lejohej që të zhvillojnë diskutime të përbashkëta me avokatët e tyre, që në të vërtetë do të thoshte se dy prej tyre nuk kishin qasje në avokatët e tyre. 5
e. Një grua, e cila e kryen saktësisht punën e njëjtë dhe e ka moshën dhe përvojën e njëjtë sikurse kolegu i saj mashkull, ka marrë pagë më të ulët se ai. 7
f. X e rrëmbeu dhe e arrestoi Y për tri ditë dhe e gjuajti atë në kokë, gjë që pasoi me vdekjen e tij pas 3 ditësh. 1
g. Znj. X, e varur nga droga, ishte fotografuar kur ajo po largohej nga një takim anonim i narkotikëve. Më vonë kjo fotografi ishte publikuar. 9
h. Një grua, e keqtrajtuar nga burri i saj, kishte mundur të shkurorëzohet atëherë kur atij i kishte dhënë shtëpinë, veturën dhe tërë pasurinë e saj. Asaj nuk i kishte mbetur asgjë. 11
i. X, e cila vuante nga pneumonia me rrezik për jetën, nuk i kishin ofruar trajtim mjekësor në spital, meqë ajo kishte hyrë ilegalisht në këtë shtet. 18
j. Shtatëdhjetë për qind e popullatës në zonën X ishin detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, dhe më vonë i kishin penguar që të kthehen. Atyre nuk u lejohej të largohen nga kampet e tyre për të shkuar në fushat e afërta për të kultivuar të mbjellat e tyre, dhe u ndalohej udhëtimi nëpër shumë rrugë. 12
k. Afrikanët e zi i blinin në Afrikë, për shembull, për një shishe uiski, dhe shiteshin në Amerikën Veriore ndërmjet 1 200 dhe 1 500 dollarë amerikan. 3
l. Në shtetin X, të gjitha mjetet e jetesës për popullatën vendore qëllimisht janë shkatërruar: të mbjellat, furnizimi me ujë dhe bagëtia. 17
m. Në shtetin X, qytetarët mund të burgosen pa u akuzuar. 4
n. Një reporter 26-vjeçar i një gazete ditore, ishte qëlluar për vdekje në një sulm të dyshimtë raprezaliesh, për mbulimin e fushatës zgjedhore të posa përfunduar. 15
o. Z. X ishte thirrur për t’u regjistruar në ushtri. Ai i shkroi zyrës ushtarake duke deklaruar kundërshtimin e tij të ndërgjegjshëm për shërbimin ushtarak dhe refuzoi të paraqitet për shërbim ushtarak. Ai ishte akuzuar për mosbindje dhe ia kishin ndaluar që të largohet nga vendi. 14
p. Në shtetin X, ata të cilët duan t’i përkasin religjionit Falun Gong janë të ndaluar që të mblidhen. 16
q. Shumica etnike urdhëroi që, ata të cilët u përkasin grupeve minoritare, siç janë populli çifut dhe rom, obligohen të jetojnë në zona të caktuara të qytetit. 25
r. Fëmijët të cilët jetojnë në fshat nuk kanë mundësi të vijojnë shkollën fillore, meqë një shkollë e tillë nuk është në dispozicion brenda një distance të arsyeshme. 19
s. X nuk mund të vë kandidaturën për zgjedhjet parlamentare, sepse autoritetet religjioze të shtetit nuk e kanë pranuar atë. 23
t. Duke qenë i zi, X nuk mund të punësohet si mjek në spitalin lokal. 20
u. Në disa shtete njerëzit e varfër nuk kanë qasje në programe të ushqimit apo të strehimit, as në shërbime shëndetësore të përballueshme për ata. 26
v. Z. X, shtëpia e të cilit është djegur, nuk mund të paraqiste kërkesë për kompensim. 6
w. X, një grua 47 vjeçare, e cila gjithmonë ka punuar në shtëpi si amvise dhe nënë e pesë fëmijëve, i humb të gjitha përfitimet nga sigurimi social pasi shkurorëzohet nga burri i saj. 22
x. Z. X, baba i dy fëmijëve, ishte burgosur dhe torturuar në shtetin X për shkrimin e poemave me të cilat kritikoi regjimin në pushtet. Kërkesa e tij për azil politik në shtetin A ishte hedhur poshtë. Ai tha se do të përballej me tortura po të kthehej në vendlindje, meqë ai tani është i obliguar që të kthehet. 13
y. Për të ashtuquajturat arsye praktike, njerëzit e paaftë fizikisht, siç janë shfrytëzuesit e karrocës për invalidë, nuk lejohen të marrin pjesë në ngjarje kulturore në teatrin lokal. 24
z. Për të aplikuar për nënshtetësi në shtetin X, kërkohet banim për një periudhë 15 vjeçare, një test i shëndetit fizik dhe mental, si dhe taksë administrative, e cila është e lartë pa arsye. Si pasojë e kësaj, me mijëra rom, të cilët kanë lidhje të vjetra me vendin e tyre, janë pa shtetësi në shtetin e tyre. 8