Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit

Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 3: Pjesëmarrja » NJËSIA 7: Gazeta e klasës » Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit

Tri dimensione të zhvillimit të njohurive për mediat

1. Dimensioni i parë: gjykimi i mediave

Gjykimi i mediave mund të përmblidhet me foljen e lashtë greke Κρινειν (krinein), e cila fillimisht e kishte kuptimin “me dallua” dhe i referohej përvetësimit dhe përhapjes së vazhdueshme të dijes dhe përvojës.

Gjykimi i mediave është shqyrtimi (analiza) e mediave. Ky nëndimension analitik i referohet aftësisë për të perceptuar dhe kuptuar zhvillimet në shoqëri, siç është procesi i përqendrimit në punën e mediave, që mund të rrezikojë funksionimin e mediave në një shoqëri demokratike. Në këtë shembull, është me rëndësi të dihet se kush është pronar i cilës gazete dhe sa lloje të mediave janë në pronësi të kompanisë së njëjtë. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se mediat drejtohen si ndërmarrje komerciale të cilat duhet të nxjerrin një përfitim. Dhe na pëlqeu apo s’na pëlqeu neve, sa më të ndërvarura dhe të globalizuara që bëhen jetët tona, aq më shumë kemi nevojë të mbështetemi në mediat. Analiza e mediave na mundëson të gjykojmë zhvillimet e mediave në mënyrë kritike – të bëjmë dallime – ashtu që ne në mënyrë adekuate të mund të shfrytëzojmë aftësitë tona për mediat.

Nëndimensioni (vetë-) pasqyrues do të thotë se ne duhet të jemi në gjendje të lidhim dhe të përdorim potencialin dhe njohuritë tona analitik për veten tonë dhe sferës tonë personale të veprimit. Veçanërisht, kur kemi të bëjmë me mediat, kemi një tendencë të fuqishme që të flasim për “të tjerët” dhe të injorojmë përfshirjen tonë personale.

Aftësia për të analizuar dhe për të reflektuar përfshin një nëndimension të tretë, interesimin etik për të tjerët, që balancon dhe përcakton të menduarit  analitik dhe vetë-pasqyrimin nga pikëpamja e përgjegjësisë shoqërore.

2. Dimensioni i dytë: njohuritë për mediat

Këtu u referohemi njohurive “të thjeshta” për mediat dhe sistemeve të mediave. Kjo mund të ndahet në dy nëndimensione.

Nëndimensioni i informacioneve përfshin njohuritë themelore siç është interesimi se si gazetarët e kryejnë punën e tyre, llojet e programeve të cilat transmetohen në TV dhe radio, arsyet për preferencat e shikuesit kur shikon TV-në dhe si mund të përdoret kompjuteri, që në mënyrë efektive t’u shërbejë nevojave të përdoruesit.

Nëndimensioni i shkathtësive ua shton njohurive të mediave aftësinë për të përdorur pajisje të reja pa pasur nevojë të lexohen doracakët e udhëzimeve. Kjo përfshin procesin “mësojmë duke punuar” – si të përdoret kompjuteri, si t’i qasemi Internetit, si të përdoret një video-kamerë, etj.

3. Dimensioni i tretë: përdorimi i mediavea

Përdorimi i mediave gjithashtu mund të ndahet në dy nëndimensione:

  1. Aftësia për shfrytëzimin e produkteve të mediave, d.m.th., pranimi dhe konsumimi i asaj që e kanë përgatitur mediat. Një shembull për këtë është shikimi i TV-së. Është një aktivitet gjatë të cilit ne duhet të përpunojmë atë çka e kemi parë, dhe ta integrojmë atë në strukturat tona kognitive (njohëse) dhe në repertorin tonë të figurave. Në ditën e sotme, ne mund të përmirësojmë aftësitë tona perceptuese jo vetëm përmes leximit të teksteve, por edhe përmes shikimit të filmave.
  2. Shfrytëzim aktiv i pajisjeve të mediave. Ky nëndimension i referohet shfrytëzimit të mediave në bashkëveprimin shoqëror. Si shembuj mund të përmendim shërbimin  telebankar,  teleblerjen, video dhe telekonferencat, fotografinë tradicionale dhe digjitale dhe video produksionin. Llojllojshmëria e pafund e mediave në dispozicion na jep mundësinë që të perceptojmë botën jo vetëm përmes pranimit të informacioneve, por edhe përmes përgatitjes së informacioneve.Njësia për mediat përqendrohet pikërisht në shfrytëzimin e tillë aktiv të mediave, por përfshin lidhjet në dy dimensionet tjera të edukimit për mediat, të përmendura më lart.