Mësimi 1: Ligji i mirë – ligji i keq

Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 4: Pushteti dhe kompetencat » NJËSIA 8: Rregullat dhe ligji » Mësimi 1: Ligji i mirë – ligji i keq

Çka e bën ligjin të mirë?

Objektivi i mësimnxënies Të informohen dhe të kuptojnë faktorët të cilët përcaktojnë se çka e bën ligjin të mirë.
Detyrat e nxënësve Të diskutojnë për rregullat e shkollës dhe të identifikojnë se çka e bën një rregull shkolle të mirë.
Të diskutojnë për ligjet dhe të identifikojnë se çka e bën një ligj të jetë i mirë.
Të shqyrtojnë në mënyrë kritike një fushë të ligjeve në vendin e tyre, p.sh. ligjet mbi alkoolin.
Të propozojnë dhe të arsyetojnë rregullën ose ligjin e tyre të ri në shkollë.
Burimet Dy skeda për çdo nxënës – njëra e shënuar me shkronjën “A” (me të gjelbër), tjetra me shkronjën “B” (me të kuqe).
Materialet e nxënësve – Ligjet mbi alkoolin në vendin tonë.
Markera (shënues) dhe një fletë e madhe e letrës për çdo grup prej 4-6 nxënës.
Tabelë shfletuese ose një fletë e madhe e letrës për ta ekspozuar në klasë.
Metoda Diskutim me tërë klasën dhe punë në grupe të vogla.

Kuti informacioni

Metoda e përdorur në këtë mësim njihet si “të mësuarit induktiv”. Përmes kësaj metode mësimdhënësi u ndihmon nxënësve të kuptojnë parimet abstrakte duke i bazuar ato në shembuj konkret. Mësimi fillon me shembuj të tillë – në këtë rast me shembuj të rregullave apo ligjeve – dhe nxënësit inkurajohen që nga këto të nxjerrin parimet e përgjithshme. Në këtë rast, parimet janë kriteret të cilat mund të zbatohen për rregullat dhe ligjet për të gjykuar nëse ata janë ligje të mira apo jo: A janë ata të drejtë? A janë të dobishëm? A janë ato në dobi të të gjithëve? A mund t’i zbatojë ato ligje policia? A janë të lehtë për t’i kuptuar dhe për t’i zbatuar?

Kur nevojiten materiale specifike, për shembull, ligjet mbi alkoolin të cilat zbatohen në atë vend, mësimdhënësi apo nxënësit e kanë për detyrë që këto materiale t’i përfshijnë në mësim.

Mësimi

Mësimdhënësi e fillon mësimin duke i dhënë çdo nxënësi dy skeda – njëra e shënuar me shkronjën e madhe “A” (me të gjelbër) dhe tjetra me shkronjën e madhe “B” (me të kuqe).

Mësimdhënësi u tregon nxënësve se ata do të dëgjojnë disa rregulla shkollore imagjinare, dhe ata duhet të vendosin nëse mendojnë se këto do të ishin rregulla të mira apo të këqija. Për rregullat e mira ata duhet të ngrenë skedën “A”, dhe për rregullat e këqija skedën “B”.

Mësimdhënësi lexon me zë rregullat shkollore imagjinare një nga një. Çdo herë, nxënësit duhet të ngrenë njërën prej skedave të tyre – varësisht se çka mendojnë për rregullën. Rregullat e shfrytëzuara do të mund të përfshinin:

  • ndalohen detyrat e shtëpisë;
  • nuk lejohet ngacmimi;
  • nxënësit duhet të paguajnë për të vijuar shkollën;
  • nuk lejohet prurja e çamçakëzit në shkollë;
  • nxënësit duhet t’i duan të gjithë mësimdhënësit e tyre;
  • nxënësit duhet të kenë mundësi të zgjedhin në cilat klasë duan të shkojnë;
  • mësimdhënësit e moshuar duhet të kenë një orar më të lehtë;
  • telefonat celular nuk lejohen në shkollë.

Për secilën, mësimdhënësi duhet të kërkojë nga dy apo tre nxënës të ndryshëm të arsyetojnë vendimet e tyre:

  • Pse mendoni se është rregull e mirë/e keqe?

Mendimet e nxënësve nuk duhet të diskutohen më tutje apo të komentohen në këtë fazë. Në vazhdim mësimdhënësi duhet ta ndajë klasën në grupe me nga 4-6 nxënës dhe të kërkojë nga nxënësit që të mundohen të gjejnë me saktësi faktorët të cilët një rregull shkollore e bëjnë të mirë:

  • Çka e bën një rregull shkolle të mirë?

Grupet duhet t’i paraqesin mendimet e tyre para klasës si tërësi.

Në vijim, mësimdhënësi e përsërit tërë ushtrimin me klasën – duke lexuar  me  zë formulimet, nxënësit duke i ngritur skedat dhe duke arsyetuar vendimet e tyre, etj. – por këtë herë përqendrohen në ligje imagjinare, dhe jo në rregulla të shkollës. Ligjet e shfrytëzuara do të mund të përfshinin:

  • të gjithë qytetarët duhet t’i përkasin religjionit të njëjtë;
  • vrasja është e keqe;
  • nuk lejohen gënjeshtrat;
  • duhet ndaluar ushqimin e gatshëm pa vlerë;
  • qytetarët duhet lejuar që vetë të vendosin se në cilën anë të rrugës duan të vozisin;
  • gratë duhet paguar njëlloj sikurse burrat

Pastaj mësimdhënësi duhet të kërkojë që nxënësit të kthehen në grupet e tyre dhe të mundohen të tregojnë faktorët të cilët e bëjnë ligjin të jetë i mirë:

  • Çka e bën ligjin të mirë?

Grupet duhet t’i paraqesin mendimet e tyre para klasës si tërësi. Duke e bërë këtë, mësimdhënësi duhet të bëjë përpjekje që të orientojë të menduarit e nxënësve kah një sërë kriteresh kyçe, të cilat mund të zbatohen për ligjet dhe të cilat ndihmojnë që ato ligje t’i bëjnë të mira. Ata përfshijnë:

  • paanësinë – drejtësinë dhe barazinë, siç është pagesë e barabartë për burrat dhe gratë;
  • dobinë – duke mundësuar drejtimin e shoqërisë pa tronditje, siç janë ligjet mbi vozitjen për të bërë rrugët më të sigurta;
  • të mirën e përbashkët – duke mos mbështetur vetëm interesat e grupeve të caktuara, siç janë të pasurit;
  • ekzekutueshmërinë – shumica janë të gatshëm t’u binden ligjeve, policia është e aftë t’i zë ata të cilët i shkelin ligjet;
  • thjeshtësinë – lehtë për t’i kuptuar dhe për t’i zbatuar, jo shumë të komplikuar.

Kur klasa të jetë pajtuar për këto kritere, ata duhet të ekspozohen në klasë në tabelën shfletuese për t’i parë të gjithë. Titulli për këtë ekspozim duhet të jetë “Çka e bën ligjin të jetë i mirë?”

Mësimdhënësi pastaj duhet të kërkojë nga nxënësit, në grupet e tyre, të studiojnë një ligj apo një fushë të ligjeve nga vendi i tyre (siç janë ligjet mbi alkoolin). Ky material duhet të sigurohet në materialet e nxënësve. Nëse ka më shumë kohë në dispozicion, nxënësit mund të marrin materiale të tjera për të cilat ata  janë të interesuar, për shembull,  të drejtat dhe detyrimet  e fëmijëve dhe adoleshentëve. Çdo grupi i jepen markera (shënues) dhe një fletë e madhe e letrës dhe nga ta kërkohet që të përgatisin një prezentim për klasën, nëse ata mendojnë se ligji(et) të cilët ata i kanë zgjedhur janë ligje të mira apo jo – duke i shfrytëzuar parimet që më parë i kanë identifikuar dhe të cilat janë ekspozuar në murin e klasës.

Grupet ua paraqesin prezentimet e tyre klasës.

Si një ushtrim i fundit apo si detyrë shtëpie, nga nxënësit mund të kërkoni të propozojnë një ligj të ri apo një rregull të re shkollore për një temë sipas zgjedhjes së tyre, siç është mjedisi, dhe të përgatisin argumente për prezentimin e saj, përkitazi me parimet kyçe që ata i kanë identifikuar.